Asti ishte Episkop i Durrësit (emri i tij do të thotë “qytetar”). U zu në kohën e Trajanit (98 – 117), nga paria e Durrësit dhe pasi nuk ra dakord që t’u sakrifikojë idhujve, u dorëzua tek qeveritari. E torturuan duke e rrahur me doreza plumbi dhe kamxhikë, por nuk e mohoi besimin e tij. Ndaj e lyen me mjaltë, e kryqëzuan në dru – ndryshe nga tradita, – dhe në vapën e padurueshme e vunë afër mureve, përkundrejt diellit përvëlues. Mbaroi nga pickimet e grerave, bletëve dhe insekteve të tjera, u varros në mënyrë modeste nga të krishterët, të cilët i ngritën një kishë.
Vdekja e lavdishme e tij u bë shkak i martirizimit të martirëve Peregrin, Luçjan, Pompe, Isiki, Papiu, Satornini dhe Gjermanoi. Këta, për t’i shpëtuar përndjekjes së pamëshirshme që ndodhte në atdheun e tyre, po largoheshin për në Itali dhe kaluan me anije në Durrës. Por, duke parë shën Astin të vuajë heroikisht për Perëndinë, e lumëruan, kështu që u kapën edhe ata. Kur shprehën haptazi bindjen e tyre për hyjninë e Jisuit, tirani dha urdhër dhe i mbytën në detin Adriatik. Mbas shtatëdhjetë (apo nëntëdhjetë) vjetësh, martirët iu shfaqën Kryepiskopit të Aleksandrisë. Ky i gjeti lipsanet e çmuara të tyre të futura në rërën e brigjeve egjiptiane, siç duket atje i kishin nxjerrë që në fillim dallgët. I varrosi me nder dhe iu ndërtoi një kishë të vogël.