EmailFacebookKontakt

Askush nuk mund të luajë me drejtësinë e Perëndisë

Në këto çaste tragjike, që po kalon vendi, fuqi të errëta dalin në mënyrë të pakontrollueshme, madje edhe nga zemrat e qytetarëve të thjeshtë. Sapo jepet rasti më i vogël, disa plaçkisin pa mëshirë këdo, madje edhe fqinjin. Nuk hezitojnë të plaçkisin edhe spitalet, jetimoret, institucionet fetare, duke dëmtuar të sëmurët, pleqtë dhe fëmijtë e pafajshëm.

Mjaft më, le të pushojë kjo histeri. Eshtë e padëgjuar të protestosh ndaj padrejtësisë, që t’u bë nga disa të fuqishëm, duke bërë vetë padrejtësi ndaj më të dobtëve.

Ata që veprojnë kështu, duken se nuk besojnë në asgjë. Por – sidomos ata që pretendojnë se bëjnë pjesë në ndonjë komunitet fetar – le të dëgjojnë me përgjegjësi: nëse nuk pendohen në praktikë, çfarëdo që të grabisin, nuk kanë për të parë mbarësi. Eshtë si të bësh investime nëpër pseudo-banka. Gëzohesh për pak, por më pas do t’i humbasësh që të gjitha. Askush nuk mund të luajë me Drejtësinë e Perëndisë.

Të gjithë sa jemi besimtarë, le të mbrojmë, në emër të Perëndisë të Gjallë, të dobëtit, kishat e xhamitë, teqetë e manastiret, shkollat dhe qendrat e bamirësisë shoqërore. Le të kundërshtojmë vendosmërisht, me besim e dashuri, këtë padrejtësi të pafalshme, që përhapet si një sëmundje infektive. Pa frikë. «Dashuria e përsosur e largon frikën» (I Joan. 4:18).

Si Kryepiskop do të mbetem deri në fund pranë jush, duke marrë pjesë me lutje, fjalë dhe vepra, në dhimbjen dhe përpjekjet për një shoqëri që do të frymëzohet nga Drejtësia, Liria, Dashuria e Perëndisë dhe respekti i sinqertë për çdo njeri.

Tiranë, më 15 mars 1997

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë

Ps: Kjo thirrje e Kryepiskopit, u transmetua në Televizion në dt. 15 mars, në emisionin qendror të lajmeve, të orës 20.00.