EmailFacebookKontakt

Askush nuk ka pse të shqetësohet nga ndërtimet orthodhokse të kultit

OPINION

Askush nuk ka pse të shqetësohet nga ndërtimet orthodhokse të kultit

-Rreth zhurmave pa vend të ngritura në shtyp, në lidhje me ndërtimin e Katedrales Orthodhokse –

Më 23 janar 2001, Kryetari i Këshillit të Ministrave i asaj kohe, Z. Ilir Meta, priti në takim Kryepiskopin Anastas dhe Kryetarin e Komunitetit Mysliman. Në prani të medias, Kryeministri u komunikoi atyre zyrtarisht vendimin e Qeverisë për dhënien e trojeve për rindërtimin e Katedrales Orthodhokse të Tiranës dhe të një xhamie. Madje, ai do ta quante këtë, si mbështetje në misionin e komuniteteve fetare, “që ato të realizojnë qëllimet e tyre fisnike, për më shumë tolerancë, mirëkuptim e paqe, bashkëpunim e respekt human midis njerëzve. Ndërsa Kryepiskopi Anastas, do të deklaronte, se “Me këtë vendim ju ndreqni një padrejtësi 33-vjeçare… Me të i japim Evropës një mesazh, se në Shqipëri myslimanët dhe të krishterët janë së bashku”….

Dhënia e kësaj të drejte krijoi mundësinë për të menduar për më tej, për ndërtimin e këtyre objekteve. Komuniteti Orthodhoks tërhoqi për këtë mendimin e arkitektëve vendas e të huaj, në mënyrë që të projektohet një kishë, e cila të plotësojë parametrat bashkëkohorë, pa e braktisur traditën tonë të pasur orthodhokse, që të jetë funksionale dhe që me dinjitet të zbukurojë qendrën e kryeqytetit. Dhe jo vetëm kaq, por Kryepiskopi është zotuar se ato pak pemë që do priten, do të zëvendësohen shumëfish.

Por, dike një vështirësi, pasi toka e dhënë në kompesim nuk mjaftonte për realizimin e objektit, ndaj iu kërkua qeverisë që të akordonte edhe një truall shtesë, që, siç është bërë më parë me komunitete të tjera fetare, do të blihej sipas ligjeve në fuqi. Dhe, para disa ditësh erdhi vendimi i drejtë i Qeverisë, që ia jepte këtë truall Komunitetit Orthodhoks, duke vënë në vend një të drejtë, që ishte mohuar 35 vjet më parë, kur regjimi ateist shkatërroi Katedralen Orthodhokse të Tiranës, për të ngritur aty Hotel “Tiranën”. Qendra e Tiranës, siç ka thënë Kryepiskopi Anastas, mbetej atëherë pa një nga të dy “sytë” e saj shpirtërorë, që qenë xhamia ekzistuese dhe Katedralja.

Por, në mënyrë të papritur, pak para se të merrej vendimi i qeverisë, disa media nisën një “stuhi në një gotë uji”, rreth kësaj çështjeje. Me pretekstin e ruajtjes së sipërfaqeve të gjelbra, u nxorën nga arkivi pëshpërimat e dëgjuara edhe herën e parë, që me teza tërësisht të stilit ateist, përpiqeshin të argumentonin se Tirana nuk ka nevojë që në qendër të saj të ngrihen objekte kulti. Për këtë u nxorën edhe lloj-lloj xhevahiresh e krahasimesh me botën, duke harruar atë që është më thelbësorja: Ajo që ngjau në Shqipëri nuk ndodhi në asnjë vend tjetër, kështu që edhe hapat për të rivënë në vend të drejtat e besimtarëve, nuk mund të ngjajnë me asnjë vend tjetër. (Askush në këto vende, nuk ka qoftë edhe imagjinuar ndonjëherë të prekë Shën Pjetrin, Notre Damen, Shën Sofinë apo Xhaminë Blu).

Shpesh u abuzua edhe me shprehjen e njohur të Vaso Pashës, duke harruar se ajo veçse thekson patriotizmin pa dallim besimi të shqiptarit dhe aspak se ai nuk beson. Madje, interpretimi që kjo tregon se shqiptari nuk beson i ka shërbyer gjithnjë vetëm atyre që nuk e kanë dashur këtë vend. Po si mund të thuhet se shqiptari ka natyrë jobesimtare! A mund të ishin bërë ato qindra kisha monumente, kodikët e mijërat e ikonave të mrekullueshme, me të cilat mburret vendi ynë, pa një besim të thellë tek Perëndia?!…

Eshtë e kuptueshme, se shumë persona të mbrujtur me klishetë e ateizmit shtetëror, nuk dalin dot prej tyre edhe sot. Por është e papranueshme, kur prapa tyre fshihen qëllime të tjera diskriminuese. Sepse po të ishte ndryshe, pse këto diskutime “të mëdha” zakonisht nisin vetëm kur bëhet fjala për të vënë në vend të drejtat e orthodhoksëve, kurse kur preken “lulishtet e të tjerëve”, quhen akte civilizuese…

Thoma Dhima