EmailFacebookKontakt

Apostulli i shenjtë Zakheu

Ngjarjen që vulosi jetën e tij na e përshkruan Shën Llukai në kapitullin 19 të Ungjillit të tij, nga vargu 1-10. Ishte kryekumerqar.

Kumerqarët, nëpunësa të pushtuesve të urryer, idhujtarë romakë, blinin prej tyre të drejtën e grumbullimit të taksave dhe tatimeve, të cilat i kërkonin pastaj nga populli në përmasa shumë të fryra. Arbitrariteti i tyre në vlerësimin e materialeve të taksueshme nëpër porte, pika ose nyje komunikimi, ku kishin doganat e tyre, u jepnin pasuri kolosale. Ishin, domethënë, hajdutë të ligjeruar dhe shfrytëzues – persona kaq të urryer, saqë fjala kumerqar nënkuptonte të padrejtin dhe mëkatarin e skajshëm. Por, shumë besonin te Perëndia, prandaj ai u bëri vërejtje kryepriftërinjve të papendueshëm: “Se kumerqarët edhe kurvat venë më përpara se ju në Mbretëri të Perëndisë” (Matth. 21,31).

Me të vërtetë Zakheu, që do të thotë i pastër, i pafajshëm, ndjeu diçka të zgjohej brenda vetes së tij dhe deshi të shikonte Shpëtimtarin që vinte në Jeriho. Por, masa e madhe e njerëzve e pengonte, ngaqë ishte shtatshkurtër. Atëhere, nuk mori parasysh pozitën që kishte dhe u ngjit majë një peme.

Shpëtimtari e thirri në emrin e tij edhe pse i qe “i panjohur”, të zbriste dhe ta priste në shtëpinë e tij. Dhe ashtu edhe u bë, megjithë mërmëritjet e njerëzve, “se hyri të rrijë te një njeri fajtor” (Lluk 19:7). Kryekumerqari u pendua dhe pendimin e tij e tregoi me vepra: deklaroi se gjysmën e pasurisë së tij ua jepte të vobektëve dhe të gjithë atyre që mund t’ju kishte marrë para në mënyrë të padrejtë do t’ua kthente katërfish – pra shumë më tepër nga çfarë kërkonte ligji i Moisiut (neni 5.7). Eshtë e qartë pra se do të mbetej i varfër.

Jisui në përgjigje të njerëzve, që pak më përpara ankoheshin, tha se u shpëtua familja e kryekumerqarit dhe se pikërisht vetë “Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburin” (Lluk. 19:10).

Sipas një dëshmie të hershme, Zakheu pasoi apostull Petron, i cili e hirotonisi atë episkop të Cezarisë së Palestinës. “Mos zbrit po ngjitu Zakhe, të thotë Krishti duke të ftuar në qiell”.

At Ju.