EmailFacebookKontakt

Apostulli i Shenjtë Thoma

Thomai, i quajtur Binjak, ishte një nga grupi i të dymbëdhjetë apostujve që kishte zgjedhur Krishti për misionin e Tij. Ishte nga Galilea dhe me origjinë nga një familje peshkatarësh. Për periudhën 3-vejçare që ka qendruar pranë Krishtit, në Dhiatën e Re nuk përmendet për të diçka e veçantë, veçse për skenën pas Ngjalljes së Krishtit, të cilën s’ka asnjë nga të krishterët të mos e dijë dhe gjatë se cilës ai nuk i besoi pohimit të Apostujve, që Krishti ishte Ngjallur së vdekuri dhe u ishte shfaqur atyre, po donte që ta vërtetonte edhe vetë.

Dihet se Iisui, pas Ngjalljes, u ishte shfaqur të dhjetë nxënësve që ishin mbyllur në një dhomë nga frika e Judejve. Thomai nuk ishte aty. Kur erdhi, i thanë të gjithë të tjerët plot me gëzim, se panë Zotin të ngjallur. Po Thomai nuk besonte. Ngulte këmbë duke u thënë: “Po të mos e shoh vetë me sytë e mi, po të mos shoh në duart e Tij shenjën e peronave dhe të vë gishtin tim në shenjën e peronave dhe të vë dorën time në brinjën e tij, s’kam për të besuar”.

Ndërkaq, kaluan tetë ditë. Erdhi e diela e parë pas Ngjalljes. Nxënësit qenë të mbledhur përsëri në dhomën e sipërme, me dyert e mbyllura nga frika e judejve. Mirëpo, këtë herë, aty ndodhej dhe Thomai. Papritur, shfaqet Iisui në mes të tyre duke u thënë si radhën e parë: “Paqe mbi ju”. Thomai, kur e pa, mbeti i shtangur. Me sytë e hapur tepër, me frymën të mbajtur, ai e vështronte me habi mësuesin e Tij që qëndronte aty përpara. Ishte Zoti vetë.

Iisui kthehet atëherë nga Thomai dhe me zërin e Tij të ëmbël e miqësisht qortues i thotë: “Thoma, sill gishtin tënd këtu dhe shih duart e mia dhe sill duart e tua dhe vëri në brinjën time, dhe mos u bëj i pabesë po besimtar”. Atëherë mendja dhe zemra e Thomait, u dorëzuan plotësisht. Po të vazhdonte të mos besonte, do të mbetej i verbër dhe i shurdhët. Ngjallja dhe paraqitja konkrete e Krishtit, ndritnin përpara syve të tij, me sigurinë më të gjallë e më të shkëlqyer. Nuk ishte më lajm apo ndonjë besim i kotë. Ngjallja dhe prezenca e Krishtit ishin ngjarje të vërtetuara me mënyrën më autentike, ishin fakt i prekshëm. Kështu që ai ra menjëherë në gjunjë përpara këmbëve të Krishtit dhe, me zë mallëngjyes e shpresëtari të madhe, i tha: “Zoti im dhe Perëndia im”.

Dyshimi i Aposull Thomait për Ngjalljen e Krishtit është, mund të themi, dhe një plan i ekonomisë hyjnore. Mendja e njeriut, duke abuzuar me cilësitë me të cilat e pajisi Zoti, do të vinte në dyshim me anë njerëzish të pabesë e ligdashës, evenimentin e Ngjalljes, duke e quajtur si autosugjestion të shkaktuar nga predispozicioni shpirtëror i apostujve. Duhej pra, që ky eveniment të ish kofirmuar me një seri të tërë faktesh pozitivë e të prekshëm. Dhe kështu u bë. Një nga këto fakte ishte edhe ngjarja me Apostull Thomanë.

Natyrisht, evenimente të tilla historike nuk është e mundur të përsëriten vazhdimisht. Po, kur për këto ekzistojnë gjithë kushtet e sigurisë historike, brezat që pasojnë, duhet të besojnë për ndodhjen e tyre, megjithëse nuk i shohin vetë. Pretendimi i përsëritjes së përhershme të këtyre ngjarjeve, do të ishte i jashtëlogjikshëm. Një fakt që është vërtetuar një herë, sipas të gjithë kritereve dhe rregullave të verifikimit pozitiv e historik, qëndron i tillë përgjithnjë. Prandaj Krishti, duke kritikuar logjikën dhe besimin e atyre që fshihen në përdorimin e sofizmave të tilla, iu përgjigj Thomait: “Pse më pe, o Thoma, besove, lum ata që nuk më panë e besuan”.

Pas Ngjalljes së Krishtit, Thomai mbeti bashkë me nxënësit dhe pasuesit e tjerë, që pritnin në lutje zbritjen e Shpirtit të Shejtë, kurse pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë dhe themelimit të Kishës së parë të krishterë në Jerusalem, punoi edhe ai bashkë me Apostujt e tjerë për përhapjen e Ungjillit dhe të besimit të krishterë. Kur pastaj Apostujt dolën jashtë Judesë dhe u shpërndanë nëpër kombet e ndryshëm, sipas profecisë së Krishtit, Thomait i ra shorti, sipas traditës, të shkonte e të predikonte Ungjillin ndër persët, midet dhe indianët. Ndër këta popuj ai përhapi me guxim e sukses fjalën e Krishtit, fjalën e së vërtetës, pa u frikësuar nga rreziqet e vështirësitë që haste përditë në ato vise.

Ky atlet i madh i Krishtit vdiq duke predikuar në një nga krahinat e largëta të Indisë. Suksesi që pati në përhapjen e krishtërimit në atë provincë, e tërboi mbretin, i cili e arrestoi dhe e dënoi të vritet me shtizë. Martirizimin Shën Thomai e duroi me trimëri, duke bekuar Zotin, i cili e bëri të denjë që, jo vetëm të predikojë Ungjillin e Tij, por të japë dhe jetën për Të. Dhe thuhet se ky nxënës, i cili nuk besoi menjëherë në Ngjalljen e Mësuesit dhe që kërkoi të prekë shenjën që kish lënë në brinjën e tij shtiza e ushtarit romak që e shpoi tej e tej, vdiq i shpuar po prej shtizës dhe pikërisht në vendin ku qe shpuar Krishti.

Me të tilla përpjekje, mundime dhe gjakra martirësh, pra, shtrinte hijen e vet mbi tërë botën pema madhështore e Ungjillit, duke e ushqyer atë me frutat shpirtërore të dashurisë, të paqes e të vëllazërimit.

Përkujtimin e Apostullit të Shenjtë Thoma, Kisha jonë Orthodhokse e kremton më 6 të muajit Tetor.

B.