EmailFacebookKontakt

Apostull Sosipatri

Kremtohet më 10 nëntor. Së bashku me shokun e tij të ngushtë Vasonin kremtohen më 29 prill.

Ata ishin 2 nga 70 dishepujt (4 janar). Jasoni ishte ose grek që përqafoi judaizmin, ose nga Selaniku, ose nga Azia e Vogël, hebre i diasporës. Ai priti në Selanik Apostullin e Shenjtë Pavli (29 qershor). Reaksionarët izraelitë erdhën dhe pasi nuk gjetën Pavlin morën në vend të tij Jasonin bashkë me disa vëllezër dhe i çuan tek të parët e qytetit si elementë turbullues. U liruan sapo paguan garancinë (Veprat 17, 1-9). Jasoni (= shërues) përputhet me sa duket me bashkëpunëtorin e Pavlit në Letrën dërguar Romakëve (16, 41). “Ju falem me shëndet… Jasoni e Sosipatri, të afërmit e mi” (= bashkëatdhetarët e mi). Pra që të dy kishin ndjekur pas mësuesin e tyre Pavlin në Korinth – vendi i shkrimit të Letrës dërguar Romakëve.

Sosipatri ishte nga Akaia, ose më mirë i përmenduri si Sosipatër “Verijasi” (Vep. 20, 4), që me sa duket u katekizuan në Verja (Vepr. 17, 10-12). Korifeu duke u kthyer nga Korinthi për në Jeruzalem (viti 75) vendosi në Azinë e Vogël si episkop Jasonin në Tarso dhe Sosipatrin në Ikonio. Sipas traditës, pasi ata rregulluan çështjen e kishave të tyre përcollën ndriçimin e krishtërimit në Korfuz (67 ose 68). Aty ndërtuan një kishë, e cila qysh nga shekulli i XII, kur u rindërtua nga themelet, u është kushtuar dy ndërtuesve të saj; madje aty ndodhen edhe varret e tyre. Kjo kishë, që është më e vjetra e ishullit ruan lipsane të kishës së mëparshme dhe afreske të çmuara.

Për shkak të veprimtarisë së tyre, dy ndriçuesit e krishtërimit në Korfuz, u burgosën nga mbreti vendas Kerkilini, i cili u mbyt gjatë përndjekjes kundër besimtarëve. Kështu, sërish, apostujt predikonin lirisht, derisa u arrestuan përsëri nga pasardhësi i mbretit. Ky i hodhi në një gropë me zift të valuar dhe recinë, por kur i pa shëndoshë e mirë besoi te Krishti. Jasoni i ngjalli të birin kur i vdiq. Sosipatri u martirizua në vitin 68. Sipas një versioni tjetër, që të dy fjetën në moshë shumë të thyer. Gjatë torturave të tyre u ndriçuan shumë veta.