EmailFacebookKontakt

Apostull Petri (29 qershor)

Bir i Jonasë, Simoni ose Simeoni, nga Vithsaida e Galilesë, peshkonte në liqen, kur Perëndinjeriu e ftoi së bashku me të vëllanë Andrea (30 nëntor) në funksionin apostolike. Më vonë i ndërroi emrin duke e quajtur Kifa = Petri d.m.th. gur. Ishte i martuar dhe përmendet si babai i Shën Petronilës (31 maj) dhe bashkëshort i Marisë. Së bashku me apostujt Jakov (30 prill) dhe Joan (26 shtator) ishin tre nxënësit e dashur të Zotit, që vetëm ata u gjendën në çaste të rëndësishme të Tij, si p.sh. tek Metamorfoza. Entuziast dhe i vrullshëm u bë korifeu i apostujve dhe mori pjesë aktive në të gjithë veprimtarinë trevjeçare të Krishtit, i Cili e lumuroi, sepse ai e kuptoi dhe e pohoi si Bir të Perëndisë, por edhe e qortonte për ndryshimet e tij – dikur e quajti Satana! Petri, edhe pse me vetëdashje kishte premtuar të kundërtën, e mohoi Shpëtimtarin para Pësimit të Tij, por falë pendimit të tij u reabilitua prej Tij pas Ngjalljes. Gjatë Pendikostisë, peshkatari i pashkollë Petri predikoi në atë mënyrë, sa që tre mijë vetë u ndriçuan dhe u pagëzuan! Shpesh kryente mrekullira të mëdha, madje edhe me hijen e vet. I zellshëm, prandaj dhe u quajt “Shtyllë” e Kishës, pësoi shumë vuajtje. Dikur u lirua nga burgu prej engjëllit dhe i ranë prangat nga duart, ku Zinxhiri, nuk dihet se kur u transferua në Konstandinopojë (kremtohet kjo ngjarje më 16 janar). Ai veproi edhe në Samaria, në Azinë e Vogël, Antioki dhe më parë në Çezari të Palestinës, ku sipas Vepr. 10, 1-48, ndodhën sa më poshtë: Kryeqindëshi Kornil ishte një romak dashamirës dhe i dhembshur që kishte simpati për judaizmin. Ai shërbente në Çezari, kur një engjëll i sugjeroi që të sillte Petrin nga qyteti i afërt Joppi. Të dërguarit e tij mbërrijnë pasi korifeu pa në vegim diçka të vështirë për t’u interpretuar, domethënë pa të zbresin nga qielli kafshë të pastra e të papastra, sipas Dhiatës së Vjetër, të cilat tri herë u urdhërua për t’i ngrënë, edhe pse ai kundërshtonte. Tani e kuptoi: Perëndia nuk i veçon Izraelitët nga të tjerët, gjë e pakonceptueshme për izraelitët! Shkon, pra, dhe si katekizon oficerin dhe njerëzit e shtëpisë së tij u jep atyre Shpirt të Shenjtë. Më pas ata pagëzohen të krishterë të parë ish idhujtarë. Besimtarët e Jeruzalemit u çuditën nga novacioni, por Petri u rrëfeu sa kishte bërë dhe i qetësoi. Petri, sipas traditës, u kryqëzua me kokëposhtë (v. 64-67 pas Kr.) në kohën e Neronit (54-68) në Romë dhe u varros aty ku sot lartësohet kisha e tij kryevepër. Në letrën e tij të parë “universale” të Dhiatës së Re ai nxit për një jetë të shenjtë dhe mbështet besimin. Letra tjetër i referohet më tepër Ardhjes së Dytë dhe lufton pseudoprofetët.