Kolosi i Krishtërimit, “i pari pas Njëshit”. U lind prej prindërve judenj të shquar e shpresëtarë në Tarso të Kilikisë (Azia Juglindore) midis viteve 5 dhe 15 pas Krishtit, Kishte një motër, e cila kishte një djalë. Quhej Saul, Savios (= i kërkuar nga Perëndia), por u bë i njohur në perandorinë romake me emrin latin Pavli (= i vogël). Mësoi zanatin e ndërtimit të çadrave dhe thelloi dijet në kulturën greke, madje dhe në atë hebraike dhe u bë farise aq i zellshëm, saqë kur qe i ri mori pjesë në vrasjen me gurë të Shën Stefanit (27 dhjetor), pra ruante rrobat e atyre që e qëllonin me gurë. Më vonë ai e ndoqi tmerrësisht Kishën… Pikërisht, duke shkuar në ndjekje të besimtarëve, në vitin 34, dëgjoi në një vision verbues Zotin: “Përse më ndjek? Keq për ty është t’u biesh me shkelma gjembave…” (Vepr. 26, 14). Verbohet atëherë për tri ditë, gjatë të cilave qëndron pa ngrënë. Zoti me anë të vegimit urdhëron Apostullin Anania (1 tetor) të shkonte të gjente Saulin, i cili tani lutej dhe në vegim sheh Ananian që vinte për ta shëruar. Anania heziton për t’iu bindur porosisë hyjnore, sepse e dinte namin e Saulit si persekutor maniak i të krishterëve, i cili qëllimisht mbërriti në Siri: yjen për t’i arrestuar e për t’i çuar në Jerusalem të krishterët që të dënohen aty. Po, Zoti këmbëngul, sepse ky armik do të shndërrohej në “enë të zgjedhur”, në organ të zgjedhur të tij! Atëherë Anania shkon në shtëpinë që i tregoi Perëndia, vendos duart mbi të verbërin dhe i thotë se e kishte dërguar Perëndia për ta shëruar, që të shndërrohej në predikues të Tij “para kombeve dhe mbretërve”! Dhe urdhëron: “Vëlla Saul, shih përsëri!” Ca si luspa ranë nga sytë e tij dhe menjëherë iu kthye shikimi! Ngrihet, pagëzohet nga Anania, ushqehet, forcohet (Vepr. 9, 1-19; 22,4-16; 26,14). Më pas përcjell shumanshmërinë e tij të pakonceptueshme “prej mallkimit të ligjit [të paarritshmëm]” të Dhiatës së Vjetër tek Hiri shpërblyes i Dhiatës së Re. Sinodi Apostolik i v.49 miraton tezën e tij se të krishterët që më parë ishin idhujtarë nuk janë të detyruar të respektojnë porositë e Moisiut. Dhe hapet rruga për mbarë botën! Vetë ai bëhet “apostulli i kombeve”. Me katër turnetë e tij plot dinamizëm të paimagjinuar dhe vetësakrificë (v.47-64), përhap lajmin e Shpëtimtarit në shumë popujt, duke kryer mrekullira. U zbulon edhe athinasve Perëndinë e panjohur që respektonin. Ndërkaq, zemërimi i bashkatdhetarëve të tij i shkaktoi shumë të këqia në vende të ndryshme dhe së fundi arrestimin e tij në Jerusalem (v.57). Duke patur qytetarinë e privilegjuar romake, lundron i lidhur për t’u gjykuar nga Çezari në Romë, ku mbërrin në vitin 59 pas mbytjes së anijes në Maltë. Në vitin 61 lirohet dhe vepron derisa arrestohet përsëri në vitin 64 në Romë, ku, sipas traditës, i pritet koka në kohën e Neronit (54-68) midis viteve 64-68. Theologjia e 14 Letrave të tij vulos tërë gjerësinë e dogmës dhe të moralit! Të paktën një Letër të tij e shkroi Apostulli Tertiu (30 tetor), duke e diktuar, sipas Letrës dërguar Romakëve 16,22. Duhej shkruesi, sepse kolosi Pavli udhëtoi nëpër botë dhe e ndriçoi, por ndofta i ishte dëmtuar shikimi. Kjo duket se është “gjembi në mish, engjëlli i satanait” që e fshikullonte për të mos u mburrur duke pranuar zbulesa të parajsës. Shumë herë i ishte lutur Zotit që ta shëronte, por i ishte përgjigjur se mjaftonte Hiri që i jepte, sepse fuqia hyjnore tregohet më së miri kur kryen vepra të mëdha nëpërmjet njerëzve të dobët. Që atëherë gëzohej nga sëmundjet (II Kor. 12,7-10). Për sëmundjen e tij të syve, ai bën fjalë tërthorazi në Letrën dërguar (Gal. 4,15; 6,11.) Të tjerë shëronte, veten e tij jo! Ky qe Pavli i madh.
Ju.
“Dhe duke rënë të gjithë përtokë, dëgjova një zë që më tha në gjuhën hebraike: Saul, Saul, pse më përndjek? Eshtë keq për ty t’u biesh me shqelma gjembave. Dhe unë thashë: Cili je ti, o Zot? Dhe ai u përgjigj: Unë jam Iisui, të cilin ti e përndjek. Por ngrihu, e qëndro më këmbë; se për këtë t’u shfaqa, që të të caktoj shërbyes e dëshmitar për ato që pe, dhe për ato të cilat do të t’i shfaq përsëri, duke të çliruar nga ky popull e nga Paganët, tek të cilët po të dërgoj, për t’u hapur atyre sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanait tek Perëndia, që nëpërmjet besimit tek unë, të marrin ndjesën e mëkateve dhe pjesë ndërmjet të shenjtëruarve.”