EmailFacebookKontakt

Ankesë për keqërdorimin e Televizionit Publik nga gazetari Ilir Yzeiri

Drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar
Z. Enkelejd Joti
Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive
Znj. Armela Krasniqi

Ditën e enjte, 12 janar 2023, në emisionin “ADN”, “Janullatosi dhe rënia e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare”, të gazetarit Ilir Yzeiri, me të ftuar Z. Pëllumb Xhufi, janë bërë sulme të papranueshme kundër Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe gjithë Komunitetit Orthodhoks shqiptar.

Nuk bëhet fjalë vetëm për qëndrimet e këtyre 2 individëve, tendencioziteti antiorthodhoks i të cilëve është i njohur, por shqetësimin kryesor e përbën fakti se për këtë propagandë baltosëse dhe përçarëse atyre u vihet në dispozicionin ekrani i Televizionit Publik, nga i cili pritet njohja dhe promovimi i komuniteteve fetare dhe i harmonisë mes tyre. Pa harruar edhe se orthodhoksët janë taksapagues që kontribuojnë qenësishëm për mbajtjen e shërbimit publik dhe revoltohen kur ai keqpërdoret kundër tyre.

Kujtoj se:

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kryepiskopi Anastas, i zgjedhur sipas Kanoneve të Shenjta Orthodhokse, njihen kanonikisht dhe si të barabartë nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, si dhe nga Kishat e Krishtera dhe komunitetet e tjera fetare.

Kryepiskopi Anastas është udhëheqësi i Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, i njohur, pranuar dhe vlerësuar që nga viti 1992 nga të gjitha qeveritë e vendit tonë, duke i dhënë vazhdimësi të veprës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (njohur kanonikisht në vitin 1937), pasqyruar qartë mes të tjerash edhe në Marrëveshjen me Shtetin Shqiptar, të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë (LIGJI Nr.10 057, datë 22.1.2009).

Kryepiskopi Anastas, personalitet i njohur dhe i vlerësuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit, është anëtar themelues i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (“Nderi i Kombit”) dhe ka punuar vazhdimisht për forcimin e harmonisë fetare, si një pasuri e çmuar kombëtare. Është qytetar shqiptar, i vlerësuar, ndër të tjera, me Urdhrin “Skënderbeu”, si dhe “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe qyteteve të tjera.

E gjithë veprimtaria e Kishës sonë dhe e Fortlumturisë së Tij, Anastasit, ka vlerësuar dhe vazhduar më tej veprën kolosale të Imzot Theofanit (Nolit). Atë Artur Liolini (Kryekancelari i Kishës Orthodhokse Shqiptare në Boston, SH.B.A.) është shprehur: “…Unë jam i sigurt se Noli do të ishte mik me Imzot Anastasin…”

Me kërkesën dhe bindjen se do të ndërhyni për të korrigjuar këto anomali, shprehim respektin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në vazhdimësi.

Thoma Dhima
Përgjegjës i Zyrës së Shtypit të Kryepiskopatës