EmailFacebookKontakt

Aleks Pjetri, një jetë për Kishën

64 vjet më parë, për kolendra, duke gdhirë 24 dhjetori 1928, në qytetin e Durrësit u kënduar sipas melodisë kishëtare bizantine të Dërgimësores “Ju gra, dëgjoni” (Gjineqes akutisthite), një këngë e re për “Krishtlindjet”. Kjo këngë pati jehonë të madhe dhe u përhap me shpejtësi dhe u bë tradicionale në familjet orthodhokse jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në Tiranë, Elbasan etj., si dhe ndër orthodhoksit shqiptarë të Bukureshtit e ndër studentët Calabrezo-shqiptarë në Grotta Ferrata e Italisë. Kënga kujtohet e këndohet edhe sot dhe njihet më tepër me emrin “Mirëmëngjes, zonja, zotërinj”.

Autori i saj ishte Aleks Jan Pjetri, nga Durrësi, njëri nga qytetet e para të Evropës që përqafoi krishterimin që në shekullin e parë pas Krishtit. Po kush ishte Aleksi. Shumë vetë, të moshuarit, sidomos në qytetin e Durrësit e të Tiranës e kujtojnë edhe sot me respekt të thellë atë si njërin ndër pionierët e parë e aktivë të Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Shqiptare. Ai lindi me 17 mars 1898 në qytetin e Durrësit, në një familje punëtore. Në qytetin e lindjes kreu shkollën qytetëse greqishte me shtatë klasë, në vitin 1914. Mësues dhe edukator i tij kryesor ishte Perikli Spiru. Në shkollë u shqua si një nga më të dalluarit. Në kohën e lirë mësonte me zell të veçantë gjuhën amtare shqipe. Kështu në vitin 1908-1909 duke qenë vetë ende i vogël, kontribuoi në Klubin e Shqipes në Durrës duke tërhequr e duke mësuar bashkëmoshatarët e vet në gjuhën e ëmbël shqipe. Më 1920, me disa bashkëqytetarë orthodhoksë, myslymanë e katolikë riformuan Bandën muzikore të Bashkisë së Durrësit. Pesë vjet më pas filloi veprimtarinë botuese, me një një shkrim për rininë e qyteteve Durrës e Vlorë, botuar në gazetën “Skenderbeu”, Nr.23, 2 mars 1925, që një muaj më vonë do të pasohej me përkthimin e disa këngëve popullore e këshillave për rininë e botuara si fletë volante nën titullin “Shkathtësia praktike”. Gjithashtu ai adaptoi e botoi komedinë “Karagjozi egërsirëzbutës”, e cila u vu në skenë më 1932 në Durrës, Tiranë e Kavajë; ndërsa më 1934 botoi librin “Anthollogji dashtunie”. Si atdhetar i flaktë ai bashkëpunoi me Biblotekën Kombëtare e Muzeumin që në ditët e para të krijimit të tyre duke u dhuruar libra të vjetër, dorëshkrime historike, monedha antike etj.

Në mënyrë të veçantë mjaft e gjerë është veprimtaria e tij fetare për mbarëvajtjen e Kishës sonë Orthodhokse. Më 1911, në moshën 13-vjeçare Aleksi u dorëzua Lexues (Anagnost) në Kishën e Durrësit. Muzikën bizantine ai e mësoi nga kryepsallti Nako (Janaq) Miho, që kishte mbaruar konservatorin në Stamboll. Duke pasur një zë të ëmbël melodioz e të persosur, dhe duke njohur e zotëruar mirë gjuhën shqipe, si i pari psalt i Kishës Orthodhokse në Durrës (nga tetori 1926, deri në shkurt 1930) Aleksi arriti të përshtatë muzikën bizantine tradicionale kishëtare në psalmet. Madje që para Autoqefalisë së Kishës sonë, ai këndonte shqip dhe apostullin.

Aleks Pjetri formoi dhe organizoi të parin kor kishtar shqip, krijoi arkivin e Kishës, dha mësime fetare, morale e edukative në shkollë, shërbeu si mësues besimi, kryepsalt e organizator kori në Shkodër më 1930 e më pas në Kavajë; u end si misionar në qytete e fshatra të ndryshme në dioqezat e Beratit, Korçës, në Pogradec e Shën Naum, në Vlorë, Fier e Elbasan etj. Në vitet 1917 dhe 1922-25 shërbeu si psalt pa asnjë shpërblim në dy kishat orthodhokse të Tiranës, ndërsa më 1929 themeloi në Tiranë Korin e Kishës, drejtimin e të cilit më vonë ia la profesorit rus orthodhoks Evgjeni Kiriev. Në këto vite ai dha edhe mësime fetare-morale e edukative për nxënësit orthodhoksë në shkollat e Tiranës. Po këtë vit botoi broshurën “Psalme dhe Hymne” (për Korin Kishëtar dhe çdo të krishtere orthodhoks).

Përkushtimin e tij ndaj Kishës Orthodhokse Aleks Pjetri e vazhdoi ta tregonte edhe pas vitit 1945. Në këtë vit, me iniciativën e tij ai formoi dhe organizoi të parin Kor Kishëtar bizantin tradicional shqip në kryeqytet, ndërkohë që nga ky vit deri më 15 janar 1949 shërbeu si kryepsalt në katedralen e Tiranës. Ai kishte përgatitur për botim edhe librin “Psalme” (për koristët e Kishës Orthodhokse), “Lutra e Zotit tonë Iisu Krisht” (përkthim e komentime) dhe “Dashuria ungjillore” (përpunuar nga Shkrimi i Shenjtë), të cilat për fat të keq në rrethanat e reja që u krijuan me vendosjen e pushtetit komunist, nuk e panë dot dritën e botimit, dhe madje nuk dihet as fati i dorëshkrimeve.

Për t’u theksuar është se megjithëse i varfër vetë, shumicën e veprimtarive në dobi të Kishës, Aleksi e bëri falas, pa asnjë lloj shpërblimi, shpesh herë në luftë me elemente konservatore e shpirtvegjël, të cilët në moshën e pleqërisë e lanë pa pension. Vdiq në qytetin e lindjes më 1961, i varfër materialisht, por me një pasuri të madhe shpirtërore, duke lënë pas vepra të bukura e të dobishme në të mirë të Kishës sonë Orthodhokse. Si mbyllje do të dëshironim të citonim ish-Kryepiskopin e gjithë Shqipërisë Kristoforin, i cili më 14.4.1948 shkruante se “…z. Aleks Pjetri, Kryepsalt (Këngëtar i parë) i Kishës Kathedrale të Tiranës, njeri i ndershëm, shpresëtar i kulluar, me karakter të mirë, me ndërgjegje të pastër, me zell fetar, me ndjenja patriotike të kulluara dhe punëtor i palodhur i Kishës sonë, gjë të cilën e ka provuar qartazi me veprimtarinë e tij dobiprurëse të pareshtur fetare e kombëtare, ka shërbyer në shumë qytete dhe fshatra të Shqipërisë që në vitin 1911 deri më sot si kryepsalt, mësues feje, predikues, drejtor koresh kishëtare bizantine etj, etj.

Për 28 vjet me radhë i ka sjellë Kishës sonë shërbime të shumëllojshme dhe të paçmueshme, pa asnjë shpërblim material.

Si kryepsalt është i vetmi që shquhet ndër kishat orthodhokse të Shqipërisë dhe është i kategorisë së parë, duke kryer me të vërtetë një detyrë delikate dhe tepër të rëndë”.

THOMA QENDRO