30 vjet më parë në gazetën “Ngjallja” – Të njohim traditat tona fetare
Aleks Pjetri, një jetë për Kishën
94 vjet më parë, për Kolendra, duke gdhirë 24 dhjetori 1928, në qytetin e Durrësit u këndua sipas melodisë kishtare bizantine të Dërgimsores “Ju gra, dëgjoni” (Gjinekes akutisthite), një këngë e re për Krishtlindjen. Kjo këngë pati jehonë të madhe, u përhap me shpejtësi e u bë tradicionale në familjet orthodhokse dhe jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në Tiranë, Elbasan, si dhe ndër orthodhoksët shqiptarë të Bukureshtit etj. Kënga kujtohet e këndohet dhe sot dhe njihet më tepër me emrin “Mirmëngjes, zonja, zotërinj”. Autori i saj ishte Aleks Jan Pjetri, nga Durrësi, një nga qytetet e para të Evropës që përqafoi Krishterimin që në shekullin e parë pas Krishtit.
Po kush ishte Aleksi? Shumë veta, të moshuarit, sidomos në qytetin e Durrësit e të Tiranës e kujtojnë atë edhe sot me respekt të thellë, si njërin ndër pionierët e parë e aktivë të Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Shqiptare. Lindi më 17 mars 1895 në Durrës, në një familje punëtorësh. Në qytetin e lindjes kreu shkollën qytetase greqisht me shtatë klasë, në vitin 1914. Mësues dhe edukator i tij kryesor ishte Perikli Spirou. Në shkollë u shqua si një nga më të dalluarit. Në kohën e lirë mësonte me zell të veçantë gjuhën amtare shqipe.
Kështu, në vitin 1908-1909, duke qenë vetë ende i vogël, kontribuoi në Klubin e Shqipes në Durrës duke tërhequr e duke mësuar bashkëmoshatarët e vet në gjuhën e ëmbël shqipe. Më 1920, me disa bashkëqytetarë orthodhoksë, myslimanë e katolikë riformuan Bandën muzikore të Bashkisë së Durrësit. Pesë vjet më pas filloi veprimtarinë botuese, me një shkrim për rinitë e qyteteve Durrës e Vlorë, botuar në gazetën “Skënderbeu”, Nr.23.2, mars 1925, që një muaj më vonë do të pasohej me përkthimin e disa këngëve popullore e këshillave për rininë, të botuara si fletushka nën titullin “Shkathtësia praktike”. Gjithashtu, ai adaptoi e botoi komedinë “Karagjozi egërsirëzbutës”, e cila u vu në skenë më 1932 në Durrës, si dhe Tiranë e Kavajë; ndërsa më 1934 botoi librin “Anthollogji dashtunie”.
Si atdhetar i flaktë ai bashkëpunoi me Bibliotekën Kombëtare e Muzeun që në ditët e para të krijimit të tyre, duke u dhuruar libra të vjetër, dorëshkrime historike, monedha antike etj. Në mënyrë të veçantë, mjaft e gjerë është veprimtaria e tij fetare për mbarëvajtjen e Kishës sonë Orthodhokse. Më 1911, në moshën 13-vjeçare, Aleksi u dorëzua lexues (anagnost) në Kishën e Durrësit. Muzikën bizantine ai e mësoi nga kryepsalti Nako (Janaq) Maho, që kishte mbaruar konservatorin në Stamboll. Duke pasur një zë të ëmbël, melodioz e të përsosur dhe duke njohur e zotëruar mirë gjuhën shqipe, si i pari psalt i Kishës Orthodhokse në Durrës (nga tetori 1926, deri në shkurt 1930), Aleksi arriti të përshtatë muzikën bizantine tradicionale kishtare në psalmet. Madje që para Autoqefalisë së Kishës sonë, ai këndonte shqip dhe Apostullin.
Aleks Pjetri formoi dhe organizoi të parin kor kishtar shqip, krijoi arkivin e Kishës, dha mësime katekitike, morale e edukative në shkollë. Shërbeu si mësues besimi, kryepsalt e organizues kori në Shkodër më 1930 e më pas në Kavajë, u end si misionar në qytete e fshatra të ndryshme në dioqezat e Beratit, Korçës, në Pogradec e Shën Naum, në Vlorë, Fier, Elbasan etj. Në vitet 1917 dhe 1922-1925 shërbeu si psalt pa asnjë shpërblim në dy kishat orthodhokse të Tiranës, ndërsa më 1929 themeloi në Tiranë Korin e Kishës, drejtimin e të cilit më vonë ia la profesorit orthodhoks rus Evgjen Kiriev. Po këtë vit botoi dhe broshurën “Psalme dhe Hymne” (për Korin Kishtar dhe çdo të krishterë orthodhoks).
Përkushtimin e tij ndaj Kishës e tregoi edhe pas vitit 1945. Në këtë vit, me iniciativën e tij formoi dhe organizoi të parin Kor Kishtar bizantin tradicional në shqip në kryeqytet, gjithashtu që nga ky vit deri më 15 janar 1949 shërbeu si kryepsalt në Katedralen e Tiranës. Ai kishte përgatitur për botim edhe librin “Psalme” (për koristët e Kishës Orthodhokse). “Letra e Zotit tonë Jisu Krisht” (përkthim e komente) dhe “Dashuria ungjillore” (përpunuar nga Shkrimi i Shenjtë), të cilat, për fat të keq, në rrethanat e reja që u krijuan me vendosjen e pushtetit komunist, nuk e panë dot dritën e botimit, dhe madje nuk dihet as fati i dorëshkrimeve.
Për t’u theksuar është se, megjithëse i varfër vetë, shumicën e veprimtarive në dobi të Kishës, Aleksi e bëri falas, pa asnjë lloj shpërblimi, shpeshherë në luftë me elementë konservatorë e shpirtvegjël, të cilët, në moshën e pleqërisë, e lanë pa pension.
Vdiq në qytetin e lindjes në vitin 1962, i varfër materialisht, por me një pasuri të madhe shpirtërore, duke lënë pas vepra të bukura e të dobishme në të mirë të Kishës sonë Orthodhokse.
Si mbyllje citojmë ish-Kryepiskopin e Gjithë Shqipërisë, Kristoforin, i cili më 14.4.1948 shkruante: “…z. Aleks Pjetri, Kryepsalt, i Kishës Katedrale të Tiranës, njeri i ndershëm, shpresëtar i zellshëm, me karakter të mirë, me ndërgjegje të pastër, me zell fetar, me ndjenja patriotike të kulluara dhe punëtor i palodhur i Kishës, gjë të cilën e ka provuar qartazi me veprimtarinë e tij dobiprurëse fetare e kombëtare, ka shërbyer në shumë qytete dhe fshatra të Shqipërisë që në vitin 1911 deri më sot si kryepsalt, mësues katekizmi, predikues, drejtor koresh kishtare Bizantine etj. Për 28 vjet me radhë i ka sjellë Kishës shërbime të shumëllojshme dhe të shumëçmueshme, pa asnjë shpërblim material. Si kryepsalt, është i vetmi që shquhet ndër kishat orthodhokse të Shqipërisë dhe është i kategorisë së parë, duke kryer me të vërtetë një detyrë delikate dhe tepër të vështirë”.
Thoma Qendro
Gazeta “Ngjallja” nr.3, Dhjetor 1992
[Foto: Durrës – Kisha (e prishur) e Shën Spiridhonit]
Në Durrës, shumë pranë vendit ku sot ngrihet Katedralja e re e Apostull Pavlit dhe e Shën Astit, më parë ngrihej kisha e vjetër e Shën Spiridhonit (dhe ish-Mitropolia). Kisha u shkatërrua nga regjimi komunist në vitet ’60. Në truallin e saj në fillim u ndërtua godina e Alb-Kontrollit e mëpas u vendos Shërbimi Informativ i Shtetit.
Mirmëngjes, zonja, zotërinj,
lutemi na pranoni;
në këtë çast me qetësi
një lajm gazmor dëgjoni:
Mbi Vithleemin hebraik
yjet shkëlqejn për çudi,
sepse u bë zbulim mistik
dhe gjithësia u përt’ri.
Se sot Fjala e Perëndisë
gjith botën për me shpëtu,
lind Njeri prej Virgjrës-Marisë
me emrin Zoti Jisu.
Lavdi më Ty që na dhuron,
drit’ dhe paqe çdo mirësi,
ëngjëjt, barinjt’ k’to fjal’ këndojn
në qiell, në tokë e gjithësi.
Prej Persie tre mbretër shok
nga një dhuratë po i sillnin,
por një yll i bukur dritplot’,
prin udhën që s’e dijshin.
K’ta pyetën në Jerusalem,
ku lindi Shpëtimtari,
por yll i bukur paraprin,
me drit’ si rreze ari.
Irodhi që ishte mbret n’at vend,
për Jisu Krishtin sa muar’ vesh,
u tund dhe u bë kuvend,
pastaj u thërret me buz’ tuj qesh.
U thot’ magve me mirësi,
Jisuin e kërkoni,
dhe si ta gjeni, faljuni,
por vendin ma tregoni.
Ylli qëndroi në Vithleem,
aty ku ishte lind Jisui
Si i vobekt me gjith’ mend,
por k’ta të tre i ran’ në gjunjë.
Iu falën me përulësi,
se ishin tepër dijetar’,
një ëngjëll iu dha porosi,
kur t’ikin, tjetër udh’ me marr’.
Ushtrin’ Irodhi urdhëroi,
preu katërmbëdhjetë mij’ fëmij’,
por Zoti Krishti vet’ shpëtoi,
dhe ç’kishte thën’ e plotësoi.
Për shumë vjet, zonja, zotërinj
kët’ dit’ të shenjt’ kremtoni,
me plot shëndet e lumturi,
Zoti ju dhënt’ ç’të doni.