EmailFacebookKontakt

Aktivitete përkujtimore në Kishat Orthodhokse Shqiptare në Boston

Vdekja e Teologut të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, z. Dhimitër Beduli, preku thellë dhe besimtarët orthodhoksë shqiptarë që jetojnë në Boston të Shteteve të Bashkuara.

Me të marrë këtë njoftim të hidhur, më 21 janar, në Kishën orthodhokse shqiptare të Trinisë së Shenjtë u bë një meshë përkujtimore nga At Vasil Xhorxhi e At Joan Pelushi. Pas Liturgjisë Hyjnore, At Joan Pelushi u foli besimtarëve në gjuhën shqipe mbi jetën e aktivitetin e këtij teologu, i cili ka punuar rreth 60 vjet për Kishën. Pas kësaj, At Vasil Xhorxhi, prifti i kësaj kishe, i tha këto në anglisht.

Po në të njëjtën ditë, në Kishën shqiptare të Shën Janit, po në Boston, pas meshës së zakonshme, prifti i kësaj kishe, At Rev. John Scholard, kreu përshpirtjen e rastit për teologun Dhimitër Beduli. Pas tij, z. Vasil Tamburi, shqiptaro-amerikan, që jeton prej shumë vjetësh në Boston dhe sekretar i kësaj kishe, foli shqip dhe anglisht për jetën e aktivitetin e z. Beduli, për besimtarët orthodhoksë që kishin ardhur në Kishë për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore.

Edhe gjatë Liturgjisë në Kishën orthodhokse shqiptare të Shën Gjergjit, u njoftuan besimtarët për vdekjen e këtij teologu të shquar të kishës sonë orthodhokse, duke përkujtuar dhe emrin e tij. Nga At Liolin dhe At Joan Pelushi u bë një meshë përkujtimore për Dhimitër Bedulin dhe At Joan Pelushi foli për jetën e aktivitetin e tij.

Gjithashtu, në buletinet javore që nxjerrin këto kisha shqiptare, përfshinë edhe lajmi për këtë humbje të madhe të Kishës sonë Orthodhokse.

Aleko Dhima