EmailFacebookKontakt

Aktivitet në kujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas

Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, u përfaqësua nga Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, në aktivitetin në kujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas, i cili u zhvillua në Athinë më 18 shkurt 2026. Ky aktivitet u organizua nga Universiteti Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës dhe Qendra Ndërorthodhokse “Porefthentes”. Fjalimet e mbajtura theksuan kontributin e Kryepiskopit të lumur Anastas në fushën Akademike, në hierapostullimin e tij në Afrikë, Ringritjen e Kishës në Shqipëri, dhe në Trashëgiminë Qendrës Ndërthodhokse “Porefthentes”.

Me rastin e këtij aktiviteti, Hirësi Asti, i shoqëruar nga Protopresviter Atë Joan Qako dhe z. Ilia Koçi takoi Kryepiskopin e Athinës dhe Gjithë Greqisë, Fortlumturinë e Tij Jeronimi II dhe miq e bashkëpunëtorë në Athinë të Mitropolitit të ndjerë Ignatit. Më 19-20 shkurt vizitoi Mitropolinë e Shenjtë të Thivës, Livadhjasë dhe Avlidhës, ku lindi dhe shërbeu Mitropoliti i lumur Ignat, para se të vinte në vendin tonë më 1998.

Takimet dhe vizita u zhvilluan në kuadër të mirënjohjes drejtuar miqve e bashkëpunëtorëve të Mitropolitit Ignat, që i qëndruan pranë prej vitesh. Në këtë klimë vëllazërore, Hirësi Asti u prit ngrohtë nga Mitropoliti i zonës, Hirësia e Tij Gjeorgji, i cili shprehu dashurinë dhe lutjet e vazhdueshme për Kishën tonë dhe në veçanti Mitropolinë e Beratit. Me këtë dashuri e respekt, Mitropoliti Gjeorgji organizoi dhe shoqëroi vetë në programin e mbushur me takime me klerikë e laikë, bij shpirtërorë të të lumurit Hirësi Ignatit dhe në të gjitha vendet e shumta që vizituan duke përfshirë dhe ato pelegrinazhi.

Në grupin shoqërues mori pjesë edhe Igumeni i Manastirit të Shën Serafimit të Dombos, Arkimandriti Nektar Tsekouras, gjithashtu bir shpirtëror i Mitropolitit të lumur Ignat, i cili e ka vizituar disa herë vendin tonë. Të shumta ishin vendet e shenjta që vizituan si: kishën e Ungjillorit Lluka, ku ndodhet varri i apostullit të shenjtë; kishën e Shën Nikollës dhe Rufit; zyrat e Mitropolisë së Thivës; kishën e Hyjlindëses Mari dhe Shën Dhimitrit të Thivës, ku nderuan ikonën e Virgjëreshës Mari që, sipas traditës, është ikona e parë e pikturuar nga vetë Ungjillori Lluka; Manastirin e Shën Joan Theologut në Mazaraki, kishën mitropolitane të Hyrjes në Tempull të Hyjlindëses në Livadhja, në Orkomeno ku gjendet shenjtërorja më e vjetër e mbijetuar në Beoti, si edhe në Manastirin e Lindjes së Hyjlindëses në Akraifnio.

Përfaqësia nga Mitropolia e Beratit u njoh edhe me një pjesë të veprës sociale e humane që zhvillonte Mitropolia e Thivës dhe Livadhjasë, duke vizituar Qendrën e Qëndrimit dhe Rehabilitimit të të Moshuarve me Sëmundje Kronike si dhe Qendrën e Kujdesit Ditor për Personat me Nevoja të Veçanta “Arsim Special”.

***

Është gëzim i madh dhe nder i veçantë për Kishën e Shqipërisë të marr pjesë në këtë mbrëmje të bekuar kujtimi, kushtuar të lumurit, paraardhësit tonë. Ju falënderojmë nga zemra për ftesën nderuese dhe përshëndesim ngrohtësisht organizatorët për këtë iniciativë kaq të rëndësishme. Qendra Ndërorthodhokse “Porefthendes”, ashtu si dhe Kisha e Shqipërisë, ndajnë përvojën e përbashkët të shijimit të urtësisë së pakrahasueshme, dashurisë së dhembshur dhe veprës bamirëse të të lumurit, Kryepiskopit Anastas. Ai është pionieri i Hierapostullimit të Krishterë Orthodhoks në shekujt XX dhe XXI, duke zgjuar ndërgjegjen dhe duke hapur horizontin për porosinë e harruar “Shkoni pra e mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur ju. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin.” (Mt. 28:19-20). Ai zgjoi Orthodhoksinë nga tendenca e rrezikshme për t’u mbyllur në vetvete dhe i dhuroi përsëri potencialin e saj hierapostolik në një botë ku pjesa më e madhe e së cilës jeton ende në errësirën e padijes që Zoti u mishërua dhe u ngjall dhe rri në të djathtën e Atit; një botë që ende nuk e njeh Kishën. Jo vetëm që zgjoi ndërgjegje, por si pionier përparoi në zona të vështira gjeografike dhe kulturore, për të përcjellë dashurinë e tij për Krishtin. Fryt i kësaj vepre të dashurisë dhe dhuratave të tij të shumta ishte edhe krijimi i Qendrës Ndërorthodhokse “Porefthendes”, e cila është këtu, përparon dhe përpiqet ende tani që frymëzuesi dhe themeluesi i saj ka kaluar në jetën e vërtetë pranë Atij të cilit i shërbeu dhe e deshi gjithë jetën e tij.

Si “Porefthendes”, edhe Kisha e Shqipërisë ka shijuar në praktikë energjinë e dobishme, veprat dhe dashurinë e Fortlumturisë së Tij për hierapostolinë. Shqipëria, një vend që gjeografikisht nuk është larg nga Greqia – vetëm disa kilometra ndajnë kufijtë tanë – megjithatë, shpirtërisht ishte shumë larg. Ishte një vend që kishte përjetuar ndjekjen më të egër ateiste që Evropa njeh në shekullin XX.

Një vend ku besimi pothuajse ishte shuar, ku kishat ishin shkatërruar ose shndërruar në stalla dhe magazina, ku priftërinjtë ishin burgosur ose ekzekutuar, ku brezat e rinj u rritën pa ditur as emrin e Zotit. Kur Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipëri në vitin 1992, ai u gjend përballë një Kishë që ishte plotësisht e shkatërruar. Ishin shkatërruar jo vetëm ndërtesat, por edhe shpirtrat e njerëzve ishin plagosur thellë nga frika, propaganda dhe nga izolimi i trashëgimisë së tyre shpirtërore. Ishte një vend që ishte shpallur zyrtarisht si shteti i parë ateist në botë, ku çdo shprehje e besimit fetar dënohej me burgim ose vdekje. Megjithatë, pikërisht atje, në këtë peizazh shpirtëror që dukej i thatë, Kryepiskopi Anastas solli ujin e jetës, të Frymës dhe të së vërtetës. Me të njëjtën dashuri që krijoi “Porefthendes” që fjala e Perëndisë të shkojë deri në skajet e dheut, me hirin dhe fuqinë e Perëndisë, ngriti Kishën e Shqipërisë nga themelet e saj. Ai nuk ndërtoi vetëm kisha – ndërtoi shpirtra, nuk riktheu thjesht ndërtesa – riktheu shpresën; nuk mësoi thjesht fenë – nxori në dritë ikonën e Perëndisë brenda çdo njeriu që takonte.

Kjo është trashëgimia e Kryepiskopit Anastas: dashuria për njeriun, respekti për dinjitetin e çdo personi besimi se asnjë situatë nuk është e pashpresë, kur Perëndia është me ne. I njëjti person që krijoi “Porefthendes” që të arrijë deri në skajet e botës, gjeti mënyrën për të arritur edhe në shpirtrat të cilët ishin shpirtërisht në errësirë, këtu në Shqipërinë kaq të afërt, por edhe aq largët. Në këtë frymë, nderojmë sot kujtimin e tij. Kryepiskopi i lumur Anastas ishte me të vërtetë një figurë e ndritur dhe e veçantë e Kishës Orthodhokse të kohës sonë – një bari i vërtetë, një vizionar. Kujtimi dhe trashëgimia e tij shpirtërore meritojnë të nderohen dhe të transmetohen te brezat e rinj si dëshmi e gjallë e dashurisë dhe sakrificës për të afërmit. Me emocion të thellë dhe mirënjohje ndaj Perëndisë, dua të përmend lidhjet e veçanta që bashkojnë Qendrën Porefthendes me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Që të dyja jemi bija të së njëjtës frymë, bartës të të njëjtit vizion: të sjellim Krishtin te çdo njeri, të kurojmë plagët e botës me dashurinë e Tij, të ndërtojmë ura paqeje atje ku ekzistojnë mure urrejtjeje.

Ofrimi i “Porefthendes”-it për Kishën tonë ka qenë i paçmuar, dhe gjatë këtyre dekadave ka përshkuar një rrugë të ndritur ofrimi.

Uroj nga thellësia e zemrës që Zoti ynë Jisu Krisht, me anë të ndërmjetimeve të Hyjlindëses Mari dhe të të gjithë shenjtorëve, t’i bekojë me bollëk anëtarët e Qendrës, si edhe iniciativat dhe veprat tuaja në hapat e Atit tonë të lumur. Mbrëmja e sotme le të frymëzojë zemrat e të gjithëve ne, të ripërtërijë përkushtimin për dëshminë e Ungjillit në botën moderne.

Me urime të ngrohta dhe gjithmonë me shumë dashuri në Krishtin,

† Joani,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit
dhe i Gjithë Shqipërisë