EmailFacebookKontakt

Akte vandalizmi ndaj objekteve orthodhokse

Qipro e Veriut

Akte vandalizmi ndaj objekteve orthodhokse

Në një paraqitje përpara Komisionit të të drejtave të njeriut të OKB në Gjenevë, Mitropoliti Pavli i Kirenisë, i deleguar zyrtar i Kishës Orthodhokse të Qipros, bëri një kuadër alarmant të gjendjes së objekteve orthodhokse të kultit në zonën veriore të ishullit, pushtuar nga trupat turke që nga viti 1974.

Ai afirmoi se po bëhen përpjekje për të zhdukur të gjitha gjurmët e kulturës së krishterë në atë pjesë të ishullit, duke përmendur një numër aktesh okupimi e vandalizmi. Kështu, në Kirenia katedralja është e mbyllur që prej 23 vjetësh, ikonat janë rrëmbyer, këmbanorja është gati në të rënë, ndërsa rezidenca episkopale, që kishte një koleksion të rëndësishëm ikonash është grabitur. Në fshatin e Kallogresë kolonët turq kanë shkatëruar afresket e shek. XV. Manastiri i Ahiropitos është transformuar në kazermë ushtarake. Mozaikët e famshëm të Kanakarias (shek. VI), janë trajtuar nga administratorët turq si mall për të siguruar valutë. Shumë kisha më pak të njohura janë shkatërruar apo kthyer në xhami, magazina apo banesa…

Duke përfunduar, episkopi qipriot ftoi përgjegjësit e OKB-së të ndërhyjnë për të mbrojtur këtë trashëgimi kulturore e fetare.

Marrë nga SOP-i
(Shërbimi Orthodhoks i Shtypit, France)