Shërbesa e Shenjtërimit të ujërave në ditën e Theofanisë është një zakon i vjetër dhe i shenjtë i Kishës sonë. Uratat për shenjtërimin e ujit i gjejmë nëpër tekstet e lashta, si për shembull tek Urdhërimet Apostolike, Tradita Apostolike e Ipolitit dhe tek Uratorja e Serapionit, Episkopit të Thmueos. Shembuj përdorimi të ujit të shenjtëruar i gjejmë edhe në “Historinë Filotheo” dhe “Historinë Kishtare” të Theodhoritit.
Librat e sotëm kishtarë (Mujorë, Uratore), si krijues të Uratave të Shërbesës së Ajazmës së Madhe, konsiderojnë shën Sofronin e Jerusalemit. E vërteta është ndryshe. Shën Sofroni mund të konsiderohet si “ndërhyrës në shërbesë, duke shtuar në fillim të saj troparet hyrëse”. Krijues i shërbesës, me shumë mundësi, mund të jetë Prokli. Dorëshkrimet tregojnë se urata bazike e shenjtërimit të ujërave, urata “I madh je, o Zot…” i përket Vasilit të Madh.
Shërbesa e Ajazmës së Madhe celebrohet sipas rendit të sotëm dy herë: në vigjilje të së kremtes së Theofanisë, pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore të Vasilit të Madh dhe në ditën e Theofanisë. Në të dyja rastet celebrohet e njëjta shërbesë me ndryshimin e vetëm se, “prologu i uratës së madhe shenjtëruese, d.m.th., nga “Trini e Përmbiqenëshme…” deri tek “i shtrënguar nga frika të thërres zemërdërrmuar”, lexohet vetëm në ditën e Theofanisë. Pra, Ajazma e Vigjiljes dhe e ditës së Theofanisë janë që të dyja “Ajazmë e Madhe”.
Po pse Ajazma e Madhe celebrohet dy herë?
Për arsye praktike. Që të shërbehen besimtarët. Celebrimi i dyfishtë filloi që nga shekulli i pestë. Në fillim, Ajazma e Madhe bëhej gjatë Tërënatës të së kremtes së Theofanisë, menjëherë pas Shërbesës së Mëngjesores, për kujtim të Pagëzimit të Zotit. Pas Shërbesës së Mëngjesores, besimtarët spërkaten me ujë të shenjtëruar, pinë prej tij dhe në vazhdim me atë ujë pagëzoheshin edhe katikumenët. Në esencë, Ajazma e Madhe është bekimi i ujit të pagëzimit. Në Liturgjinë e së kremtes që vijonte pas Mëngjesores, merrnin pjesë edhe të sapondriçuarit, për këtë arsye psalet deri më sot: “Sa u pagëzuat më Krishtin…”.
Patriarku i Antiokisë Petro Gnafevs (465-475) urdhëroi që Ajazma të celebrohej gjatë vigjiljes së Theofanisë “në mbrëmje”. Kështu u ndanë Shërbesat e Shenjtërimit të ujit për Pagëzim dhe për Ajazmën e Madhe. Nuk është, pra, e çuditshme, që në Liturgjinë Hyjnore të Vigjiljes së Theofanisë dëgjojmë tropare të Mbrëmësores, pasi Liturgjia më parë bëhej gjatë mbrëmjes, ndërsa sot bëhet në mëngjes.
Nga: Aleksandros Kristodhulu, Teolog
Botuar në faqen e Mitropolisë së Shenjtë të Apollonisë