EmailFacebookKontakt

Agripni në Tiranë për Shën Joan Pagëzorin

Tani për besimtarët orthodhoksë të Tiranës nuk është më e panjohur edhe agripnia. Ndonëse ndër shërbesat e lëna më tepër në harresë gradualisht po rigjen vendin e vet në jetën adhuruese të Kishës. Në qytetin e Korçës agripni janë zhvilluar pothuajse rregullisht që me rilejimin e besimit fetar, ndërsa në Tiranë për herë të parë u zhvillua nëntorin e vitit të kaluar.

Edhe të premten, duke u gdhirë e shtunë, 23-24 Qershor, nga ora 21.00 deri në orën 02.00 në Kishën Katedrale të Tiranës u krye agripni për kremtimin e ditëlindjes së pro-fetit, pararendësit dhe pagëzorit shën Joan. Besimtarët e shumtë që kishin mbushur Kishën përjetuan momente të veçanta me kryerjen radhazi të shërbesave të Mbrëmësores, Pendartos (bekimit të pesë bukëve, vajit edhe verës), Orthros (Mëngjesores) dhe më pas të Liturgjisë Hyjnore, në një atmosferë adhuruese të veçantë që mbizotëroi gjatë gjithë kohës së kryerjes së tyre. Përpara fillimit të Liturgjisë Hyjnore teologu z. Dhimitër Beduli u foli besimtarëve për jetën e shën Joan Pagëzorit.

Gjatë Liturgjisë Hyjnore Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasi, hirotonisi në dhjak Stavri Çipin nga Elbasani, i cili mbaroi studimet në Shkollën Teologjike-Hieratike të Durrësit.

Atmosfera e veçantë adhuruese si edhe pjesëmarrja e madhe e besimtarëve dëshmojnë se jeta liturgjikale dhe shpirtërore e Kishës përjeton një thellim të vazhdueshëm gjë që kërkon shpeshtimin e shërbesave të tilla. Nga ana tjetër përvoja në këtë drejtim e Korçës dhe Tiranës duhet të gjejë vend edhe në jetën e enorive të tjera.

Korresp. i “Ngjalljes”