EmailFacebookKontakt

Adami dhe Eva, njerëzit e parë

Nga shenjtorët e muajit

Adami dhe Eva, njerëzit e parë.
(E diela e Paraetërve).

Të dielën para Krishtlindjes, si dhe një të diel më parë, ne kremtojmë tërë shenjtorët para Krishtit. Për Njerëzit e Parë shkruan Gjeneza (1.26 – 5.5). Gjatë ditës së gjashtë të Krijimit, Zoti (nga mirësia e papërshkruar, për të marrë pjesë në lumurinë e Tij), krijon njeriun, si kurorë dhe mbret të Krijesës, si një entitet shpirt – trup, tokësor dhe qiellor. Prandaj, Adami u vë emrat kafshëve. Lexojmë: “Tha Perëndia: Le ta bëjmë njeriun sipas ikonës dhe sipas shëmbëlltyrës sonë, dhe le të mbretërojë”. Numri shumës “Le ta bëjmë”, nënkupton ndofta Trininë e Shenjtë; fjalët “sipas ikonës” mundësitë qielldhënëse (liri, mendje, dashuri etj.), kultivimi i të cilave, me ndihmën nga lart do ta ngrinte, “sipas shëmbëlltyrës”, në hyjnëzim me hirin dhe jo sipas natyrës. Ndërsa për të gjithë të tjerat, thjesht “tha dhe u bënë” (Psalmi 32, 9). Adamin (=prej dheu) e krijoi me dhëmbshuri, pasi mori “dhe nga toka, dhe fryu në fytyrën e tij frymë jete!” Pastaj njeriun e vendosi në Parajsën mahnitëse (= kopsht), për ta punuar dhe për ta ruajtur (pa u munduar). Ia ndaloi për vdekje të shijonte vetëm një fryt, atë të pemës së njohjes të së mirës dhe së së keqes, ndofta për arsye pedagogjike, domethënë për të kujtuar se edhe pse sundimtar, ishte nën Perëndinë, nuk ishte Perëndi! Dhe, për të mos qenë pa ndihmës, e vuri në gjumë, i hoqi një brinjë dhe duke e plotësuar u bë Eva. “Mashkull dhe femër i bëri ata”, të barabartë, gjë e papranushme nga të lashtët. I pari baba i njeriut e pranoi si pjesë të tij (izostaz) dhe paratha se burri do të lërë prindërit për t’iu ngjitur bashkëshortes. Por djallit i erdhi zili për ta. Kështu gjarpëri shpifi tek Eva kundër Perëndisë: Nëse do të provonin nga fryti i shijshëm nuk do të vdisnin; përkundrazi do t’i ngjanin Atij! Ajo ra në kurth dhe hëngri nga fryti, dhe i dha edhe të shoqit. Tashmë ata e shohin lakuriqësinë e tyre, që nuk e dallonin më parë, sepse qenë të padjallëzuar. Prandaj u mbështollën me gjethe fiku. Kur dëgjojnë Zotin duke bërë shëtitjen e mbasdites, fshihen. Ai i pyet dhe ata justifikohen. Përgjegjësia në formë zinxhiri hidhet tek gruaja dhe tek gjarpëri. Zoti i mallkon të gjithë. Më konkretisht, ajo, do të vuante, do të lindte me dhimbje dhe do t’i nënshtrohej burrit, i cili do të lodhej për t’u ushqyer gjersa të kthehej në tokë… I vesh me “rroba lëkure”, ndërkohë u komunikon “Lajmin e parë të mirë”: Se sperma (jo veza) e saj (Krishti) do t’i dërrmojë kokën gjarpërit, i cili do t’i dëmtojë Atij thembrën (do ta kryqëzojë përkohësisht).

Njeriu humbi përsosmërinë e aftësive të tij dhe pavdekësinë e mundshme, me qëllim që të mos hante nga pema e dytë, pema e jetës, dhe kështu e keqja do të bëhej e përjetshme. I Larti vendosi Keruvimët si roje në Parajsë me shpata të flakta, pasi dëboi bashkëshortët. Dëbimi nga Parajsa përkujtohet të Dielën e të Lidhurit të Djathit. Vetëm atëhere erdhën në kontakt trupor (si kundërpeshë e vdekësisë) dhe lindën fëmijë: Eva (= jetë), siç e kishte quajtur Adami, lindi Kainin, Avelin, Sithin e të tjerë. Rënia në mëkat i dedikohej keqpërdorimit të dhuratës shumë të çmuar të lirisë, përderisa çdo e mirë e detyrueshme duket skllavëri! U krijua dizarmoni me Krijuesin, me veten e tyre dhe me mjedisin: Krijesa ngriti krye. Neve na lanë si trashëgimi “mëkatin e parë” (tendencën drejt mëkatit, fajin, vdekjen). Por, çifti i njerëzve të parë, edhe pse sollën vdekjen, parathonë Adamin e Dytë, Krishtin, dhe Evën e Dytë, Kishën, e cila u formua nga brinja e shpuar e Tij. Ata na rilindën shpirtërisht.

Adami vdiq në moshën 930 vjeçe dhe sipas legjendës u varros në Golgotha, kështu që gjaku i derdhur i të Kryqëzuarit lau eshtrat e tij! Prandaj, shpesh nën Kryq pasqyrohen kafka dhe eshtrat e Adamit.

At Ju.