Hirotonia e Fortlumturisë së Tij në gradën priftërore është njëra ngjarje e asaj dite. E dyta, më drithëruese dhe që zbulon planin e providencës së Perëndisë, është nisja për ekspeditën e tij të parë hierapostolike në kontinentin afrikan. Një udhëtim që, në fakt, u shndërrua në një rrugëtim anembanë botës prej gjashtë dekadash. Një rrugëtim i afërt dhe i largët, në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse ky gjashtëdhjetëvjeçar, për koincidencë, ndahet në dy tridhjetëvjeçarë hierapostullimi – larg, në Afrikën Lindore dhe afër, në Shqipëri. Ndonëse Kisha në vendin tonë është apostolike, sepse që në atë periudhë dëshmohen komunitete të krishterësh dhe në vijim episkopata të strukturuara, periudha e gjatë e persekutimit ateist e dëmtoi jashtë mase. Për pasojë, Kryepiskopi punoi dhe punon për hierapostullimin e riungjillëzimin e popullit dhe ringritjen e Kishës.
Na tregon vetë për nisjen për në Afrikë: “U ktheva në Greqi me vendimin që fillojmë sa më shpejt, me një grup bashkëpunëtorësh, veprimtari të drejtpërdrejtë hierapostolike në Afrikën Lindore. Duhej që ata të cilët shkruanin dhe flisnin për hierapostullimin, të japin të parët shembullin e tyre. Nevoja për mundësinë e kryerjes së Liturgjisë Hyjnore në rrethana të panjohura të kontinentit afrikan e përshpejtuan hirotoninë time në prift (e diel, 24.5.1964).
Të njëjtën ditë, u nisa për në Afrikën Lindore. Liturgjinë e parë Hyjnore e kreva në Kampala të Ugandës, dhe pasuan pagëzimet dhe kurorëzimet e para në Tanzaninë Perëndimore.
Perspektiva ishte që, paralelisht me veprimtarinë personale hierapostolike, të studioja kushtet për veprimtari të mundshme edhe të disa bashkëpunëtorëve të Qendrës Ndërorthodhokse “Porefthentes…”.
Kështu fillon shërbesa hierapostolike e Kryepiskopit tonë Anastas. Ajo është e gjerë dhe e shumanshme dhe nuk mjafton ky shkrim për ta paraqitur të plotë. Plot zell, Kryepiskopi çeli rrugë dhe forma të reja të hierapostullimit të jashtëm, jo vetëm për botën Orthodhokse, por për mbarë Krishterimin. Kontributi i Fortumturisë së Tij njihet më gjerë në lëvizjen ekumenike të krishterë, saqë studimet, kërkimet, letrat e tij në këtë fushë dhe mënyrat e implementimit në praktikë të hierapostullimit janë bërë tashmë manuale studimi dhe përgatitjeje për ata sa duan të ndjekin këtë rrugë.
Plot 60 vite rrugëtimi në vende të huaja, në kërkim të shpirtrave të etur për Zotin; me mijëra hapa për t’i gjetur ata dhe për t’i shndërruar në komunitete eukaristike, në zbatim të porosisë ungjillore: “Shkoni pra, dhe u mësoni gjithë kombeve…”.
Madje, kuptimin më të thellë të hierapostullimit orthodhoks e përcaktoi shumë herët, duke e konceptuar atë jo në ndonjë sallë leximi biblioteke të zgjedhur universitare, por në një kasolle në Tanzani, që funksiononte si shkollë për vogëlushët afrikanë. “… Menjëherë, një dritë shkreptiu dhe ndriçoi në mendjen time thelbin e çështjes: Sillni mesazhin, shpresën e Ngjalljes. Secili person njeriu ka vlerë unike. Secilin do ta ngjallë Zoti. Pikërisht këtu gjendet dinjiteti njerëzor, nderi dhe shpresa. Krishti u Ngjall! U mësoni të kremtojnë Ngjalljen, brenda misterit të Kishës. Ta parashijojnë atë. Si në një vizion, pashë një vajzë të vogël afrikane që më përshëndeste, sikundër e kishte zakon, duke më ndihmuar të theksoj më saktësisht epiqendrën e hierapostullimit të krishterë: T’u përçosh njerëzve të vërtetën dhe shpresën e Ngjalljes. T’u mësosh ta kremtojnë atë brenda Kishës…”.
Edhe në Shqipëri, Fortlumturia i Tij bën të njëjtën gjë: mbjell fjalën e Ungjillit dhe u jep njerëzve shpresën e Ngjalljes.
Grigja e kësaj Kishe kremton në mbarë vendin gëzimin e Ngjalljes me Kryepiskopin Anastas. Frytet e dashurisë sakrifikuese dhe të ofrimit të tij të pakursyer në gjurmët e Krishtit janë të njohura. Kështu, Ngjallja e Krishtit kremtohet panagjerikisht në qytete e fshatra, duke fuqizuar shpresën kudo.
O. B.