Edhe këtë vit u festua me gëzim e kremtja e shën Joan Vladimirit në manastirin që mban emrin e tij, në fshatin Shijon pranë Elbasanit.
Morën pjesë besimtarë e klerikëve të shumtë, që kishin ardhur për të nderuar kujtimin e këtij shenjtori kaq të dashur jo vetëm për vendin tonë por dhe të gjithë rajonin e Ballkanit.
Shërbesat e kryera në nderim të shenjtorit u kryen nga Mitropoliti i Elbasanit, Andoni dhe i Amantias, Nathanaili dhe klerikë vendas dhe nga rajoni. Në shërbesat morën pjesë klerikë e besimtarë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj. Ato filluan që në mbrëmjen e 3 qershorit, përgjatë natës, dhe në mëngjes, duke përfunduar me litaninë e lipsanit të shenjtorit përreth kishës.
Besimtarët orthodhoksë u uruan edhe nga autoritete lokale, të pranishëm në pritjen zyrtare që u zhvillua me këtë rast në ambientet e manastirit.
A. O.