Më 13 mars u mbushën 35 vjet nga fjetja e Hirësisë së Tij Theofanit (Nolit). Kontributi i tij ishte themelor për krijimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por ai la gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë shqiptare të shekullit të 20-të.
Pasi u bë vetë prift, më 8 mars të vitit 1908, prej mitropolitit rus të New Yorkut, Platonit, më 22 mars të po atij viti, Imzot Theofani bëri liturgjinë e parë në shqip dhe themeloi si qendër kryekishën e Shën Gjergjit në Boston, me të cilën lidhi gjithë komunitetet orthodhokse shqiptare të Amerikës. Në vitin 1923 ai u dorëzua episkop në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë, nga dy eksarkët e Patrikanës Ekumenike, Hirësia e Tij Jerotheu dhe Hirësia e Tij Kristofori – Kisi (i cili më pas do të bëhej i pari Kryepiskop kanonik i Kishës sonë).
Kontribut tepër të veçantë Noli dha për përkthimin dhe botimin e teksteve liturgjikë më të domosdoshëm, që do të përdoreshin në Kishë dhe do kontribuonin në vendosjen njëherë e mirë të gjuhës shqipe në të. Ndër to mund të përmendim botimin më 1908 të “Shërbesa e Javës së Madhe”; më 1909 përkthen e boton “Librin e shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse”; më 1911 “Librin e të Kremteve të mëdha të Kishës orthodhokse”; më 1913 përkthen e boton “Triodin e Vogël”; më 1914 “Lutjesoren”; më 1914 “Pesëdhjetoren e Vogël”… Një punë me të vërtetë e habitshme, për të cilën çdo orthodhoks i Shqipërisë i është mirënjohës.
Ndaj, në këtë përvjetor të largimit të tij nga jeta tokësore, lusim që Zoti i Tërëmirë t’ia prehë shpirtin në krahun e Tij.