Në datën 16 korrik u mbushen 32 vjet nga një ngjarje shumë e rëndësishme për ringritjen nga gërmadhat të Kishës sonë pas persekutimit të egër ateist. Më 16 korrik 1991, zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit Ekzarku i Patriarkanës Ekumenike, teologu dhe hierapostulli i njohur në gjithë botën, Hirësi Anastasi. Në aeroport Ekzarkun e priti ngrohtësish nga një grup besimtarësh orthodhoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera.
Nga ai çast nisi një rrugë e vështirë, plot me të panjohura e vështirësi. Në vendin tonë kishte shumë pak kisha të sapohapura dhe kishin mbetur vetëm disa klerikë të shkuar në moshë. Gjithashtu mungonin objektet administrative, nuk kishte prona dhe as të ardhura, nuk ekzistonte mbështetje financiare nga askush, as nga shteti. Kjo ditë do ishte nisja e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, që askush nuk mund ta imagjinonte – ishte nisja e një ringjalljeje të mahnitshme shpirtërore dhe materiale. Ashtu si shkatërrimi i Kishës ishte më i madh se kudo tjetër në botë, i pamasë ishte edhe Hiri për të ringritur gjithçka nga e para. Pas asaj dite nisi menjëherë ringritja e objekteve të kultit, godinave administrative, shkollave për formimin e klerikëve e katekistëve, siç Kisha jonë nuk i kishte pasur asnjëherë në historinë e saj. Me veprimtarinë sociale dhe mundësitë e punësimit që krijoi për qindra e mijëra njerëz, në çastet e vështira që po kalonte vendi, Kisha jonë ka dhënë një kontribut të qenësishëm edhe për ekonominë në përgjithësi.
Ky rrugëtim vazhdon ngjitjen nga viti në vit, duke garantuar një të ardhme të sigurt të Besimit Orthodhoks në vendin tonë. Brenda këtij rrugëtimi, do të kujtohet gjithmonë edhe 16 korriku, si pikënisja jo vetëm e ringritjejes, por e një mrekullie të njohur tashmë mbarëbotërisht.
***
Ja si i kujton ato ditë vetë Kryepiskopi ynë, Anastasi:
Vizita e parë dhe udhëtimi nëpër Shqipëri
Pritja e rezervuar nga orthodhoksët si në aeroport, ashtu edhe në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, ishte paskale dhe prekëse. Me llambadhe të ndezura, i gjithë populli psalte i përlotur troparin “Krishti u ngjall!”. Në aeroport ishin, po ashtu, të pranishëm prifti romano-katolik i Tiranës, atë Zef Pllumi, dhe përfaqësuesi i Bektashinjve, të cilët mbajtën edhe fjalën e rastit. Nuk kishte ardhur asnjë përfaqësues i qeverisë shqiptare.
Në Tiranë qëndrova gjashtë javë (16 korrik – 27 gusht), i shoqëruar fillimisht nga profesori G Papazaho (deri më 5 gusht 1991) dhe atë Gjeorgjios Leonardhos (deri më 10 gusht 1991) e në vazhdim (nga 10 gushti 1991) nga hieromonaku Dhimitër Sinaiti dhe nga mjeku Pan. Mavrudhi. Gjatë kësaj kohe, vizituam 30 qytete dhe fshatra (ku gjenden qendrat dhe vatrat kryesore të Kishës Orthodhokse), duke kryer Liturgjinë dhe predikuar gjithmonë fjalën hyjnore, duke kryer efqeli dhe ajazma, duke biseduar kryesisht me priftërinjtë dhe këshillat kishtarë lokalë e duke transmetuar përherë bekimet e Tërëshenjtërisë së Tij fort të Hirshme, Patriarkut Ekumenik, z. Dhimitër.
Gjatë qëndrimit tonë në Tiranë, synuam nga njëra anë të komunikonim me grigjën orthodhokse dhe, në veçanti, me Këshillin Kishtar dhe intelektualët e rinj dhe, nga ana tjetër, të vendosnim kontakte me faktorët politikë dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare.
a) Kontakte me orthodhoksët
Të shtunën, më 20 korrik, të kremten e Profetit Ilia, u zhvillua Liturgjia e parë Hyjnore në kishën katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë, me pjesëmarrjen e shumë njerëzve. Ishte Liturgjia e parë arkihieratike pas përndjekjeve shumëvjeçare. Të nesërmen (e diel, 21 korrik), po në këtë kishë, u krye një Liturgji Hyjnore solemne. Fjala përshëndetëse u mbajt nga teologu i respektuar, profesor Dhimitër Beduli, i cili ka qenë drejtor i Shkollës Hieratike dhe i periodikut “Jeta kristiane”, të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
Gjatë Liturgjive Hyjnore, që u kryen të shtunën dhe të dielën, transmetova uratat atërore dhe bekimet e Tërëshenjtërisë fort të Hirshme, Patriarkut Ekumenik Dhimitri, shpjegova qëllimin e misionit tim dhe predikova rreth Ungjillit të ditës. Vijuan pagëzime të 21 personave të moshave të ndryshme.