Më 24 qershor 2022, në të kremten e lindjes së shën Joan Pagëzorit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, u kremtua përvjetori jubilar: 30-vjetori i zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas në Krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Liturgjia Hyjnore panegjirike u krye nga Fortlumturia Tij bashkë me Episkopin e Bylisit, Astin, dhe klerikë të Kryepiskopatës.
Në fund, Hirësi Asti falënderoi Kryepiskopin për veprën e perëndindriçuar në krye të Kishës sonë dhe uroi “Për shumë vjet, o Kryezot!”
Pastaj besimtarëve iu drejtua Kryepiskopi Anastas, i cili falënderoi Perëndinë për çfarë ka bërë të mundur për Kishën tonë në këta 30 vjet dhe më pas përmblodhi çastet që paraprinë zgjedhjen e tij nga Patriarkana Ekumenike.
Në vazhdim, Kryepiskopin e uruan klerikë e besimtarë, ku veçohen falënderimet e ngrohta prekëse dhe lulet nga fëmijët e kampit të shkollës “Protagonistët”, të shoqëruar nga kori i drejtuar nga znj. Agi Nano, e cila, me këtë rast, kishte kompozuar një këngë për Kryepiskopin, që u këndua nga fëmijët në fund të Liturgjisë.