Me 31 mars mbushen 30 vjet që në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” u meshua për herë të parë mbas dy dekadash errësire të dhunshme ateiste.
Gëzimin e asaj dite e mbajmë mend të gjithë. Në kalendarin kishtar të vitit 1991, ajo ditë shënonte të Dielën e Dafinave. Pra, kisha u hap në kohë për t’u lutur e përjetuar Javën e Madhe, më e rëndësishmja e vitit, atë javë që me dramën e saj përmblidhte në atë moment edhe mundimet e Kishës sonë gjatë gjysmë shekulli, për të na çuar te gëzimi ngazëllyes i Ngjalljes së Zotit Krisht.
Përpjekjet ishin bërë shumë javë më parë dhe organizatorët synonin që hapja të bëhej më 25 Mars, dita që kremtonte kisha. Kjo nuk u realizua për shkak të pengesave që sillte ende regjimi në ikje. Megjithatë era e lirisë nuk ndalej më dhe ateizmi, porsi një rrobë e vjetër, ishte hedhur tej. Njerëzit ato ditë, sidomos të rinjtë, bënin pyetje të shumta dhe më të vjetrit u përgjigjeshin dhe i sqaronin për domethënien e dafinave në kishë, që simbolizonin lavdërimin e Zotit tek hynte në Jerusalem ku do të martirizohej, për shërbesat e ndryshme të ditëve të asaj jave, kur kisha rrinte hapur mëngjes – pasdite, për leximin e 12 Ungjijve, për epitafin dhe më në fund për mesnatën e së Shtunës, kur do të bëhej Ngjallja. Ndalimi i gjatë i çdo gjëje fetare, propaganda e vazhdueshme shtetërore, kishin pakësuar në kulm mundësitë që brezi i ri të informohej për të vërtetat e Kishës. Ajo periudhë e errët do të ndikonte edhe në vitet që pasuan, siç dëshmuan vështirësitë që kaloi komuniteti ynë nga paragjykimet që e mbanin një pjesë të opinionit në një qëndrim të paafrueshëm në mos dhe armiqësor ndaj risive që do të sillte hapja me botën, të pranishme veçanërisht në Kishën tonë. Por, njëherazi, vitet që na ndajnë prej asaj periudhe vërtetuan se sa e kotë është të kundërshtosh përparimin e përjetshëm të Kishës së Krishtit.
Ndër njerëzit që u ofruan të ndihmonin në strukturimin e kishës dhe ata që ndihmuan financiarisht për shpenzimet e nevojshme, ishin sigurisht ata që kishin qenë edhe në të kaluarën të lidhur me të, pjesëtarë familjesh besimtare, që kishin vazhduar të praktikonin fenë në fshehtësi, veçanërisht për hir të devotshmërisë këmbëngulëse të grave. Kështu që rilidhja e fillit u bë në mënyrë të natyrshme. Por edhe një masë e gjerë qytetarësh pa ndonjë formim të veçantë religjioz treguan një entuziazëm të habitshëm, gjë që i ktheu ato javë në një festë të pashpallur e masive, e cila kulmoi me një vërshim të paparë të popullit ditën e hapjes. Kisha u çel me mundësitë që ishin, e pastruar por pa ndryshime të thella në strukturën e saj, që prej 25 vjetësh ishte shndërruar në palestër.
Altari i thjeshtë prej dërrasash, ikona prej karte të ngjitura, kandila të vjetër, të gjetur diku në depot e kinostudios e të pastruar, për të ndriçuar përsëri në funksionin e vërtetë të tyre. Në Tiranë ishin dy klerikë të moshuar, sot të ndjerë, prifti atë Gaqi Petri dhe dhjakon Sotir Kanxheri. Ata meshuan dhe patën si kryepsalt teologun Dhimitër Beduli. Që ditët e para u riformua edhe kori i Kishës, i drejtuar nga profesionistë, dirigjentë si Eno Koço dhe më vonë Milto Vako, si dhe anëtarë të korit profesionist të Teatrit të Operës.
Fillimet, pra, ishin modeste. Që në vitet e para të regjimit komunist gati u bllokua plotësisht ripërtëritja e klerit (që më 1948 ishte mbyllur Seminari Teologjik). 40 vjet më vonë kishin mbetur gjallë vetëm 15 klerikë. Cila do të ishte e ardhmja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri? Ky ishte shqetësimi që na mundonte ndërsa gëzonim Pashkën e vitit 1991. Përcaktues për këtë u bë ardhja dhe drejtimi i qartë i Kishës nga Primati i saj, Kryepiskopi Anastas.
Ne shikojmë me nderim dhe me një ndjenjë malli Kishën tonë të paraluftës dhe të kohëve të vështira të diktaturës. Kemi pasur klerikë e teologë të mirë, disa prej të cilëve u martirizuan, dhe ne i kujtojmë me shumë nderim. Por duhet thënë se tabloja që paraqet Kisha jonë sot është më e plotë, ka një nivel më të lartë në predikim, veprimtari ndërtuese, aftësi e mjete në formim të klerit, kurse lidhjet me botën e krishterë janë bërë shumë më të shpeshta. Veç kësaj, këto zhvillime ndodhën në një moment historik botëror, kur vihet re mbi të gjitha materializimi i zakoneve, sekularizimi i çdo gjëje, për këtë, fuqizimi i Kishës sonë bëhet një faktor i rëndësishëm ringjalljeje dhe shëndoshjeje për shoqërinë tonë në tërësi.
Në mbyllje, duam të përsërisim fjalët që shpesh na thotë Kryepiskopi Anastas: “Nuk do të na braktisë Perëndia!”. Urojmë që Perëndia ta ruajë dhe ta frymëzojë gjithmonë Kishën tonë dhe Fortlumturinë e Tij në mbrojtje dhe lartësim të vlerave të krishtera dhe humane të shoqërisë sonë.
Lekë Tasi, Nasi Hobdari, Llazar Pjeshkazini
Shkrim i botuar në “Ngjallja” me rastin e 20-vjetorit.