EmailFacebookKontakt

30 vjet në shërbim të njerëzve (1992 – 2022)

Në vitin 1992, me iniciativën dhe bekimin e Kryepiskopit Anastas u krijua Zyra Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë). Ajo është zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Që nga viti 2000 zyra operon brenda Fondacionit “Fryma e Dashurisë”. Gjithë veprimtaria e saj është udhëhequr nga vlerat dhe parimet e mëshiruara në misionin dhe vizionin e DA-së.

Diakonia Agapes, për të shprehur dashurinë sakrifikuese të Perëndisë për njerëzimin, punon me të gjithë, veçanërisht me grupet në nevojë në Shqipëri dhe rajon, për më shumë shpresë, besim, përgjegjshmëri dhe vetiniciativë përmes asistencës teknike, ndërgjegjësimit dhe lehtësimit të situatave emergjente.

Qëllimi i Diakonia Agapes është zhvillimi i burimeve materiale dhe njerëzore në vendin tonë. Për këtë qëllim mobilizon dhe organizon burime financiare, materiale dhe njerëzore, si brenda dhe jashtë vendit.

Diakonia Agapes, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, ka punuar me komunitete në nevojë në zona të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në zona të varfra rurale. Realizimi i projekteve ka synuar të ofrojë shërbime për fermerët, gratë, komunitetin rom dhe egjiptian, të rinjtë, fëmijët dhe grupe me nevoja të veçanta.

Projektet e saj, kryesisht, janë mbështetur nga agjenci ekumenike (anëtare të Këshillit Botëror të Kishave) dhe më pak nga donatorë vendas.

– Që nga viti 2000, “Diakonia Agapes” ka operuar me projekte afatmesme (2-3-vjeçare) dhe ka marrëdhënie bashkëpunimi me të gjitha institucionet shtetërore në nivel lokal, me të cilët nënshkruhen çdo vit memorandume bashkëpunimi.

Fokusi i Diakonia Agapes gjatë viteve 1992 – 1993 ishte shpërndarja e ndihmave humanitare (ushqime, ndihma mjekësore, veshmbathje etj.), për zonat më të varfra të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve janë shpërndarë: 172 tonë qumësht dhe ushqime; 2,500 pako me veshmbathje e batanije; 60,000 USD u shpërndanë për 300 jetimë. Gjithashtu, u dha mbështetje për organizata të ndryshme joqeveritare për plotësimin e nevojave të tyre.

Në maj 1993, Kisha jonë mikpriti takimin e parë të Tryezës së Rrumbullakët. Ky takim, i organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave dhe Këshilli Evropian i Kishave, shënoi fillimin e një bashkëpunimi më intensiv me Agjenci Ekumenike të Zhvillimit. Në përgjigje të këtyre dinamikave të reja zyra filloi të ndryshojë fokusin e saj nga ajo e ndihmës humanitare në atë të zhvillimit. Projektet e para të zhvillimit u prezantuan në këtë takim.

Fushat e Veprimtarisë së Diakonia Agapes

– Zhvillimi i Integruar Rural, me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së banorëve në zonat rurale filloi në vitin 1994, me zbatimin me Programin e Kredisë Qarkulluese dhe vazhdon edhe në ditët e sotme me realizimin e projekteve në këtë fushë.

– Shëndeti dhe edukimi ka qëllim rritjen e vetëbesimit dhe kapaciteteve të individëve për të menaxhuar problemet sociale – ekonomike. Programi filloi në vitin 1995 me realizimin e Programit të shëndetit dhe zhvillimit për gratë në zonat rurale dhe vazhdon deri në ditët e sotme.

Gjithashtu, Diakonia Agapes vazhdon të përgjigjet në mënyrë efektive në rastet e katastrofave natyrore. Programi i parë i emergjencës është zbatuar në vitin 1997 dhe gjatë viteve i është përgjigjur emergjencave të ndryshme.

Programi i Bujqësisë dhe zhvillimit ka filluar në vitin 1994 në zonën e Shpatit, Elbasan, dhe më pas u zbatua si një projekt pilot në komunën e Hoçishtit, Korçë, me “Fondin e huasë qarkulluese”.

Në vitet 1995-1997 në zonën e Shpatit dhe komunën Hoçisht u dhanë 65 kredi (individuale ose në grup familje) për projekte të ndryshme. 200 familje përfituan në mënyrë indirekte nga këto kredi.

Disa nga arritjet në vite të DA kanë qenë: 4,000 fermerë kanë përfituar nga trajnimet në bujqësi, blegtori dhe bletari; 5,200 fermerë kanë marrë asistencë teknike dhe këshillime në fushë nga specialist të fushave përkatëse; 400 fermerë janë mbështetur me fonde për të investuar në bletari, impiante vaditjeje, pemëtari, pompa spërkatëse, përmirësimin e stallave, mbjellje ullinjsh, si dhe krijimin e sipërfaqeve të reja të serave.

Që nga fillimit e deri sot Diakonia Agapes ka realizuar rreth 25 projekte.

Shëndeti dhe edukimi – projektet për gratë

Projekti shëndet dhe shoqërizim për vajzat dhe gratë në zonat rurale filloi zbatimin ne vitin 1995. Deri më sot janë realizuar rreth 15 projekte, duke mbuluar rreth 60 fshatra të Elbasanit, Kavajës, Gramshit, Librazhdit, Kuçovës.

Disa nga arritjet e projektit të grave: 7,600 gra dhe vajza kanë marrë njohuri për çështje të ndryshme shëndetësore nga takimet shëndetit; 4,500 gra dhe vajza kanë marrë njohuri për çështje të ndryshme sociale nga takimet sociale; 5,000 gra dhe vajza kanë përfituar vizita mjekësore; 550 gra dhe vajza kanë përfituar nga trajnimet në bujqësi dhe 137 prej tyre janë mbështetur me iniciativa në fushën e bujqësisë.

Janë realizuar edhe projekte për fëmijët: si: “Edukim shëndetësor për fëmijë”, i cili filloi të zbatohej për herë të parë në vitin 2001, si një projekt pilot në fshatin Kalush të Kavajës dhe vazhdoi realizimin e tij deri në vitin 2013. Projekti u realizua në 23 shkolla 9-vjeçare të rretheve Kavajë, Elbasan, Peqin, Rrogozhinë, Gramsh dhe Librazhd.

Disa nga arritjet e projektit: 4,655 fëmijë kanë përfituar nga sesionet e ndërgjegjësimit për shëndetin dhe mjedisin dhe nga vizitat mjekësore; 4,302 fëmijë kanë përfituar nga paketa ndihme me artikujt shkollorë; 2,000 prindër dhe staf mësimdhënës kanë përfituar nga sesionet informuese; 23 shkolla janë mbështetur me bazë materiale e didaktike, janë krijuar dhe pasuruar bibliotekat e tyre, janë krijuar ambiente sportive etj.

Janë zhvilluar në vazhdimësi programe në raste emergjencash për vendin. Nga viti 1997 – 2001, Zyra “Diakonia Agapes” ka qenë partneri lokal i Action by Churches Together (ACT – dega e emergjencës pranë Këshillit Botëror të Kishave) dhe ka realizuar programe te ndryshme emergjence në të gjithë Shqipërinë: Shpërndarja e ndihmave humanitare 1992 – 1994; Shpërndarja e ndihmave humanitare 1997; Programi i emergjencës për refugjatët nga Kosova 1998; Programi i Emergjencës për refugjatët nga Kosova 1999 – 2000; Program emergjence për Gërdecin; Ndihmë në Veri të vendit për komunitetin rom, 2010 – 2011; Mbështetje për të prekurit nga tërmeti, dhjetor 2019 – 2021.

Në programin për refugjatët e ardhur nga Kosova 33,000 persona u mbështetën deri në fund të vitit 2000. U shpërndanë 220 tonë ushqime në 10 qytete. 1,332 persona morën shërbime shëndetësore, edukuese dhe psikologjike. U ndërtuan 500 shtëpi parafabrikat për rreth 4,000 refugjatë. Vlera financiare e programit ishte 12 milion USD, për të cilin kontribuuan financiarisht agjenci të ndryshme ekumenike, anëtare të “Action by Churches Together” (ACT).

DA ka kontribuuar edhe në rehabilitimin e disa ndërtesave shkollore. Gjatë vitit 2000 u është bërë rikonstruksion objekteve të mëposhtme: Shkolla 8-vjeçare “Konferenca e Pezës”, Tiranë, me vlerë 220,000 USD; Kopshti nr. 14 – Laprakë, Tiranë, me vlerë 75,000 USD; Kopshti nr. 34 Kombinat, Tiranë, me vlerë 64,000 USD; Shkollë fillore dhe kopsht në Shën Joan Vladimir, Elbasan, me vlerë 58,000 USD.

Është zhvilluar një program për përkujdesjet ditore (kopshtet). Tetori i vitit 1994 shënoi hapjen në Tiranë të përkujdesjes së parë ditore, me 26 fëmijë të moshës 4-6 vjeç. Diakonia Agapes e ka mbështetur këtë program nga viti 1994 – 2013 në qytetet Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Përmet në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Koordinimit të përkujdesjeve ditore.

DA ka zhvilluar edhe programe për rininë. Qendra e parë rinore është hapur në vitin 1995, në Tiranë. Kjo qendër ishte pilot dhe përvoja e saj u zbatua dhe në qytete të tjera. Disa nga programet kanë qenë: 1994 – 2010, mbështetje për grupet rinore dhe Zyrën kombëtare të rinisë me 7 projekte të realizuara; 1999 – 2011, mbështetje për Qytetin Studenti, me 3 projekte të realizuara; 2005 – 2013, mbështetje për Zyrë e Fëmijëve për projektin: “Engjëjt e vegjël”.

Mjaft aktive kanë qenë edhe projektet sociale. Kështu, është ofruar mbështetje për grupet orthodhokse të grave të Kishës. Disa programe kanë qenë: Dyqani i kafesë dhe projekte të tjera në mbështetje të Grupit të Grave Orthodhokse të Tiranës, si dhe mbështetje për grupet e grave të Korçës dhe Shkodrës.

Është ofruar mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta. Janë zbatuar disa programe për mbështetjen e tyre: “Të ndryshëm, por të barabartë”, 2005 – 2007; “Duaj dhe respekto fëmijët me nevoja të veçanta”, 2008 – 2011; Shpërndarje e çorapeve me dhurata të Krishtlindjes, 2003 – 2004; “Dikush mendon për ju”, 2005 – 2008; projekti “Dhurata të fëmijëve për fëmijët”, 2008 – 2011; fuqizim dhe praktika institucionale përfshirëse për komunitetin egjiptian të Shushicës, Elbasan, 2013 – 2015.

Diakonia Agapes filloi si një përgjigje shërbimi dhe dashurie në periudhën kritike të tranzicionit në vendin tonë. Në ditët e sotme, ky shërbim është rritur dhe përpiqet të arrije tek të mënjanuarit e shoqërisë, duke punuar me individë dhe komunitetin për të bërë një ndryshim në jetët e tyre. Deri më sot 50 donatorë (të huaj dhe vendas) kanë mbështetur përpjekjet e DA, në vlerën 8 milion euro. Pjesë e rrugëtimit tonë kanë qenë 50 anëtarë të stafit.

Mirënjohëse dhe falënderuese që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi!