Ne pronësinë – Kisha fondet
Gjatë simpoziumit për ikonografinë zhvilluar në Korçë, një funksionar i lartë shtetëror, pasi afirmoi edhe njëherë pikëpamjen për të mos ia kthyer Kishës Orthodhokse objektet fetare monument kulture të rrëmbyera nga komunizmi, lëshoi edhe një xhevahir: Kishës i takon të kontribuojë me fonde në mirëmbajtjen e tyre!
Kjo mund të kuptohet në disa mënyra:
– Ne nuk ua kthejmë, por na jepni para për t’i mirëmbajtur…
– Ne s’kemi para, por po të doni të mos prishen na i jepni ju fondet…
– Fondet tona s’mjaftojnë as për rrogat, ndaj duhet të na i plotësoni juve atj. etj…
Por, sido ta kuptosh, pas nxjerr krye mentaliteti për t’i trajtuar vlerat shpirtërore të Komunitetit Orthodhoks, barabar me objektet laike të një muzeu etnografik. Pa lënë mënjanë arsyen jodytësore, të shfrytëzimit të prerogativave jo të drejta, që u jep ligji këtyre institucioneve, për të siguruar fonde të këtilla.
Ngjashmëri apo njësi vlerash shpirtërore?
Sipas shtypit, në simpozium u afirmua se “Ngjashmëria (në Ballkan, ndërmjet veprave ikonografike e ndërtimore të kultit), ka një shpjegim, sepse ekzistonin kushte të njëjta, të përbashkëta, për zhvillimin e artizanatit dhe ndërtimtarisë…”
Pra, këto kryevepra shpirtërore, vihen në nivelin e prodhimit të poçerisë apo ndërtimit të shtëpive dhe lihet qëllimshëm ajo që vërtet i bashkon autorët: Besimi i përbashkët orthodhoks, krijimi sipas kanoneve të tij, afërsia shpirtërore që ai krijoi midis popujve ballkanikë.
Kush i ndruhet fjalës “orthodhoks”?
Sërish, duke iu kthyer këtij simpoziumi, ku nuk ishte ftuar të fliste asnjë përfaqësues i atij Komuniteti që i krijoi vlerat shpirtërore e kombëtare, për të cilat flitej, të binte në sy (në kronika televizive e radiofonike, në shtyp e në kumtesat), mungesa e fjalës “orthodhokse”.
Dëgjoje të flitej për vlera artistike, ndërtimore, stili etj., maksimumi deri tek emërtimi bizantine – por asnjëherë: Ikona orthodhokse; kurrë: Kisha Orthodhokse; kurrë vlera shpirtërore të Komunitetit Orthodhoks.
Në qoftë se dikujt kjo fjalë i vret veshin, aq na bën. Ato vlera në radhë të parë, ishin krijime të mrekullue me ikonografësh me shpirtin të mbushur me besimin e shenjtë orthodhoks, me frikë Perëndie. Ato s’ishin krijime të rastësishme të gjemsë individuale, por shprehje kolektive gjeniale të këtij besimi.
T.D.