Më 16 janar 2021 u mbushën 25 vjet nga fjetja e teologut dhe punëtorit të dalluar të besimit, Dhimitër Bedulit. Që në fillimet e lirisë së besimit, ai u bë një faktor i çmuar për Kishën në ringritjen e saj nga gërmadhat, duke qenë edhe teologu i vetëm që i mbijetoi persekutimit të besimit. Ai, si bashkëpunëtor shumë i afërt i Kryepiskopit Anastas, punoi me entuziazmin dhe forcën që i jepte besimi i thellë, pavarësisht nga gjendja jo e mirë shëndetësore, kudo ku lindi nevoja: në Seminarin Teologjik, në administratë, në botimet dhe në gazetën “Ngjallja”, në përfaqësimin dinjitoz të Kishës sonë jashtë vendit, me predikimet e tij etj.
Dhimitër Beduli lindi në vitin 1914, në fshatin Skore të Pogonit, në Mitropolinë e Gjirokastrës. Në vitin 1930 mbaroi shkollimin e mesëm (gjimnaz) në Athinë, prej nga do të shkonte për studimet e larta për teologji në Kishinau të Rumanisë (1930-1934), duke u specializuar edhe në fushën e muzikës bizantine. Pasi u kthye në atdhe, pas studimeve universitare, e caktuan të jepte mësim në Seminarin kombëtar orthodhoks “Apostull Pavli”, Tiranë, duke shërbyer prej vitit 1935 deri më 1944 si drejtor i tij. Po në atë periudhë, drejtoi revistat “Predikimi”, 1935-1939 dhe revistën “Jeta kristiane”, 1940-1944. Krijoi dhe drejtoi që prej vitit 1935 korin e ri miks të kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, si dhe ndërmori një sërë nismash të tjera, duke iu përkushtuar përkthimeve, botimeve etj. Në vitin 1945, ndërsa Seminari “Apostull Pavli” do të mbyllej nga regjimi komunist, ishte ndër nismëtarët e organizimit të “Lidhjes së Teologëve dhe Seminaristëve të Shqipërisë”. Mbas kësaj punoi si ekonomist.
Jeta e tij e dytë nisi në shkurtin e vitit 1991, kur u shfaq bashkë me nismëtarët e tjerë në rihapjen e kishës katedrale të Ungjillëzimit në Tiranë, më 31 mars, gjatë së cilës mbajti edhe fjalën e hapjes. Vetëm pak muaj më vonë, kur u kthye në shtëpi nga Liturgjia Hyjnore solemne për pritjen e Ekzarkut Patriarkal, shkroi në shënimet e veta: “O Irine (Banushi), o Theofan (Popa)! Sot qava. Ëndrrën tonë që, kur të hapej Kisha, ta hapnim duke kënduar ‘Krishti u ngjall!’, e plotësoi sot Ekzarku, i ndriçuar prej Zotit… E kisha si peshë në shpirt. Tani u lehtësova”.
Në Konferencën e Parë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, më 1992, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të saj, ndërsa në vitin 1993, Sekretar i Përgjithshëm i atij Këshilli. Në po këtë vit, emërohet Kryetar i Komisionit të përkthimeve dhe shqyrtimit të veprave kishtare. Rihapja e Seminarit do ta kthente, ashtu si gati 50 vite të shkuara, në pupitrin e pedagogut.
Për teologun e rënduar nga sëmundjet, këto ishin vite të ethshme të një veprimtarie me intensitet të pabesueshëm për moshën e tij.
Th. Dh.