Më 24 qershor 1992, Patriarkana Ekumenike, si Kisha Mëmë që kishte dhënë autoqefalinë, zgjodhi Mitropolitin Anastas, si Kryepiskopin e parë pas ardhjes së demokracisë. Në po këtë Patriarkanë, në vitin 1937 u zgjodh Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës sonë. Kjo ngjarje ishte shpallje e lajmit të mirë se Kisha e Shqipërisë ishte e gjallë dhe plot jetë dhe do të vazhdonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare.
Fillimi i viteve ’90, megjithëse formalisht ishte rifituar liria e besimit, ishte dramatik për komunitetin orthodhoks. Gjendja ishte dëshpëruese: nuk kishte mbetur asnjë episkop, madje nuk kishte as edhe një kandidat për t’u ngritur në këtë gradë; ishin vetëm 15 klerikë në moshë pensioni e të sëmurë, nuk kishte kisha (ato ishin shkatërruar apo transformuar në objekte laike). Gjithashtu, nuk kishte mundësi financiare, për shkak të varfërisë së thellë, por edhe sepse shteti nuk mori përsipër asnjë detyrim për t’i mbështetur komunitetet fetare. Në këto kushte, Patriarkana Ekumenike dërgoi në Shqipëri për të parë situatën një klerik të lartë të njohur në të gjithë botën Orthodhokse dhe më gjerë, Mitropolitin e Andrusës, Prof. Dr. Anastasin, i cili në atë kohë ishte Moderator i Komisionit të Misionarizmit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave (WCC) dhe Kryepiskop i komanduar i Arqidioqezës së Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë.
Kryepiskopi Anastas erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 1991, si Ekzark Patriarkal, për të parë se çfarë kishte mbetur pas gërmadhave ateiste. Ai gjeti një zbrazëtirë të frikshme shpirtërore dhe materiale që kishte lënë ateizmi zyrtar dhe u përkushtua për ndryshimin e gjendjes. E nisi me hapjen e Seminarit për përgatitjen e klerikëve të rinj e duke vazhduar me riparimin e objekteve ekzistuese dhe me përpjekjet për ngritjen e kishave të reja.
Ishte kjo punë vetëmohuese, e cila i bindi orthodhoksët e Shqipërisë që t’i kërkonin zyrtarisht Patriarkanës Ekumenike që ta kishin Anastasin si Atin dhe Kryebariun e tyre. Pranimi prej tij i një shërbese të tillë ishte ashtu siç është shprehur edhe vetë më pas: “Jo fron pushteti, por kryq sakrifice”. Emri i tij jo vetëm u bë sinonim i ringjalljes së Kishës në Shqipëri, por edhe i një hierapostulli të ditëve të sotme, i promotorit të dialogut ndërmjet besimeve dhe kulturave të ndryshme, i paqes dhe dashurisë për të gjithë, i përkujdesit për të varfrit dhe nevojtarët dhe të respektit, lirisë e dinjitetit të çdo personi, kushdo qoftë ai.
Në këtë përvjetor, ku të gjithë orthodhoksët e vendit tonë kujtojnë me mirënjohje dhe falënderim 30-vjetorin e zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas, nuk duhet të harrojmë se ky eveniment madhor mishëron gjakun, djersën, mundin dhe përpjekjet e orthodhoksëve të Shqipërisë për të ruajtur të pastër e të pacenuar besimin e të parëve edhe në momentet më të vështira, siç ishte errësira e gjatë ateiste, por edhe më pas, për të kapërcyer të bashkuar rreth Kryebariut të tyre vështirësitë dhe sulmet e panumërta. Historia e Komunitetit tonë Orthodhoks ka një vend shumë të veçantë kushtuar veprës dhe shërbesës personale të Kryepiskopit Anastas jo vetëm në ringjalljen e Orthodhoksisë këtu, por edhe të ecjes së sigurt përpara, sot dhe në të ardhmen.
Kjo ka marrë edhe njohjen dhe mirënjohjen jo vetëm të besimtarëve orthodhoksë, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Presidenti Ilir Meta, në letrën që i drejtoi Kryepiskopit Anastas me rastin e marrjes së nënshtetësisë shqiptare, ndër të tjera shkruan: “Gjatë 25 viteve si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, duke kontribuuar me përkushtim në ringritjen e plotë kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në rimëkëmbjen dhe ngritjen e objekteve të besimit ortodoks, në ringjalljen, kultivimin dhe ruajtjen e traditës shumëshekullore të besimit ortodoks në Shqipëri dhe në ndërtimin e veprave në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe mjedisit në Shqipëri, keni dëshmuar se udhëhiqeni nga besimi, dashuria, paqja, shpresa dhe mësimet e veprat e shenjta të Zotit…”