“Si një yll u shfaqe në këtë jetë, o Kozma dhe botës, me fjalë e me gjak i dhe dritë”
Më 23 gusht në orët e vona të pasdites qindra besimtarë të ardhur nga i gjithë vendi dhe nga Greqia u mblodhën në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas në ditën e martirizimit të tij, i cili kremtohet më 24 gusht të çdo viti.
Këtu buzë lumit, mes një natyre që ndjell qetësi në shpirt ndjehesh më afër Perëndisë ku, besimtarët takohen të përmalluar me njëri-tjetrin koha ecën mjaft shpejt dhe pas pak fillojnë lutjet që ndjekin njëra-tjetrën. Ndërsa lutjet ndjekin njëra-tjetrën në grupe besimtarët e të gjitha moshave në bisedat, fjalët, lutjet, meditimet nëpër shpirtrat sikur ndjehet zëri dhe fjala e shenjtit, për të cilin kanë ardhur të nderojnë “Shën Kozmain”. Fjala e tij është fryminim hyjnor. Ai vjen si dhembje dhe shëptim i vuajtjes njerëzore. Ai është vetë fuqia ripërtëritëse e shpirtrave të lodhur. Ai vjen si misionar i bashkëjetesës njerëzore. Ai është vetë urë lidhëse midis zemrave. Ai vjen si profet, ai është ndezësi i fenerëve të shpirtrave që përpëliten për të gjetur pak ngrohtësi e shpresë. Ai shfaqet në përfytyrimin e gjithësecilit ashtu shpirtflakë dhe i paepër me Ungjillin e Shenjtë në dorë ku kish gjetur margaritar, thesar, pasuri, gëzim, urtësi dhe jetë shekullore e në dorën tjetër mban kryqin e shenjtë që ngulte në tokë. Ndërsa hipte në një stol, ku turma e njerëzve është embledhur thoshte: “Dëgjoni, o njerëz të mirë fjalën e Zotit Jisu Krisht!” Ai flet dhe zërat e njerëzve fashiten dalngadalë e mërmërimat tulaten si zogj nëpër gjethet e plepave e shelgjeve buzë lumit dhe fëmijët mbështeten në gjoksin e prindërve.
“O njerëz të mirë, lidheni jetën tuaj me Jisu Krishtin nëpërmjet lutjes. Mbusheni mendjen dhe zemërn me fjalën e Perëndisë. Çdo ditë fillojeni me një lutje që Perëndia t’ju ndihmojë në ecjen tuaj…”
Besimtarët e shumtë e kanë bërë traditë të përvitshme ardhjen për kremtimin e ditës së shenjtit. Ata kujtojnë edhe Liturgjinë e parë hyjnore të vitit 1991, të kryesuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas në atë kohë si Eksark, i cili solli lipsanet e Shën Kozmait në këtë ditë të shenjtë (që ruheshin në muzeumin e rrethit Fier).
Në datën 23 gusht, në orën 19:00, filloi mbrëmësorja, pasdarka dhe për gjithë natën u bë agripni, e drejtuar nga at Retail Rredhi, prifti i “Shën Kozmait” dhe prifti i Manastirit të Ardenicës Emanuel Bega, me studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe gjithë besimtarët.
Ditën e nesërme, më 24 gusht, në mëngjes erdhi Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Hirësia e Tij Ignati për të kryesuar Liturgjinë Hyjnore i shoqëruar nga shumë klerikë bashkëmeshtarë mes besimtarëve të shumtë. Në predikimin që mbajti Hirësi Ignati gjatë Liturgjisë Hyjnore ndër të tjera foli për jetën e shenjtit që nga lindja, vepra e tij kishtare, misionare, arsimore e deri në martirizim, ditë kjo që kujtohet sot. Ndër të tjera Hirësia e Tij Ignati tha: “Shën Kozmai si misionar predikoi fjalën e shenjtë të Zotit, duke hapur kisha, shkolla, duke shëruar të sëmurë dhe fuqizuar besimin orthodhoks. Në çdo vend që shkonte shenjti krahas predikimit mësonte besimtarët si të rrisnin fëmijët, si të zgjidhnin mosmarrëveshjet midis tyre dhe të kujdeseshin për çdo gjë që i rrethonte ata. Lajmi i vdekjes (martirizimit) të shenjtit më 24 gusht 1779 trondi popullin orthodhoks. Në ndërgjegjen e tyre at Kozmai konsiderohej i shenjtë para se të vdiste. Ai vdiq si martir dhe nën kujdesin orthodhoks myzeqar u varros pikërisht këtu në Kolkondas, pranë kishës së Shën Marisë dhe varri i tij u bë që atëherë pelegrinazh i shenjtë për të gjithë orthodhoksët. Për nder të shenjtit orthodhoksët myzeqarë me kontributin e tyre dhe nën kujdesin e Ali Pashës më 1814 ndërtuan këtë kishë që jemi mbledhur ne sot. Gjatë viteve prurjet e lumit Seman përmbytën gjithë kompleksin e këtij manastiri. Në vitin 1967 u mbyll nga regjimi komunist dhe në vitin 1991 ai u ringjall me ardhjen e Kryepiskopit Anastas dhe me fondet e mbledhura nga vetë ai në vitin 1967 filloi rikonstruksioni i këtij manastiri, ku pas disa vjet punimesh doli në dritë. Me bekimin e Perëndisë, nën kujdesin dhe fondet e mbledhura nga Kryepiskopi do të bëhet rikonstruksioni total i tij, duke e sjellë në identitet me të gjitha vlerat fetare arkitekturore të tij”. Hirësi Ignati i shoqëruar nga besimtarët e shumtë bëri dhe litani rreth kishës me ikonën e Shën Kozmait.
Llazar Çuko