Sa shumë breza kanë ëndërruar dhe shpresuar, edhe sot, të vizitojnë Vendet e Shenjta, që lidhen ngushtë jo vetëm me lindjen, jetën, mrekullitë, kryqëzimin dhe ngjalljen e Krishtit, por janë edhe vendi ku u profetizua ardhja e Mesisë, vendi i profetëve të mëdhenj.
E kush nuk do të dëshironte pak dhe nga Varri i Shenjtë i Krishtit; nuk do të dëshironte të lagte qoftë edhe pak gishtin në lumin Jordan, ku Ai u pagëzua, duke i ruajtur në kujtesë si një bekim i madh nga Perëndia.
Me këtë bekim u vlerësua grupi i Korit Bizantin të Kishës sonë, i përbërë nga 13 vetë, i drejtuar me përkushtim nga At Justini. Ky grup i ka filluar provat që prej 3 vjetësh dhe në të marrin pjesë nga Tirana, Durrësi, Kavaja e Korça; studentë, klerikë, psaltë… Kishte kohë që ai përgatitej, me një repertor të veçantë, për të marrë pjesë në një pelegrinazh në Jeruzalem, në vigjiljen e 2000-vjetorit të Krishtërimit.
Në fillimet e vizitës pamë me emocione të jashtëzakonshme vendin ku Lindi Drita e botës – Betlehemin dhe u përulëm me nderim të thellë e u falëm para grazhdit të thjeshtë, ku e Tërëshenjta Mari lindi Zotin Jisu Krisht. Ndërsa jashtë qytetit, shkuam tek shpella e barinjve, të cilët morën të parët lajmin se aty lindi Mesia, si dhe në shpellën ku Magët qëndruan pas adhurimit dhe ofrimit të dhuratave foshnjës hyjnore (sot në të dy vendet ekzistojnë manastire).
Vizituam edhe shpellën, ku ndenji Profet Ilia. Në këtë vend Joakimi dhe Ana morën lajmin nga Engjëlli se do të lindnin një fëmijë – Marinë. Sot, aty ngrihet manastiri i Lindjes së Shën Marisë.
Në Jeriko vizituam pemën ku Zaktheu (i shkurtër në trup), hypi për të parë Krishtin që kalonte në mes të turmës dhe shpellën, ku e Tërëshenjta u strehua pas lindjes, për të fshehur Foshnjën nga Herodi.
Ditën tjetër vizita vazhdoi brenda Jeruzalemit. Së pari, në Gjethsimani ku ndodhet varri i Hyjlindëses dhe tek Mali i Ullinjve, ku Krishti u ngjit së bashku me tre nga nxënësit e Tij e iu lut Atit, para arrestimit.
Udhëtimi i gjatë na çoi tek pusi i Jakovit dhe më pas tek Mali i ngasjeve, ku Krishti qëndroi 40 ditë dhe u tundua tri herë nga satanai. Sot ekziston manastiri e kisha. Përreth tyre shikoje shumë shpella, ku jetonin më parë asketët. Pikërisht në këtë vend të ashpër, ku njerëzit thonë se nuk jetohet, atje jeta bëhet më e shenjtë, duke qenë më afër Perëndisë.
I veçantë ishte edhe udhëtimi i shkurtër drejt Egjiptit, në Malin Sina, në manastirin e Shën Katerinës, pranë vendit ku Moisiu mori 10 porositë e Zotit, si dhe në vende të tjera të shenjta. Vizituam lumin Jordan, ku Krishti u pagëzua nga Joan Pagëzori; aty bëmë edhe Shërbesën e bekimit të ujit. Shumë afër nga aty pamë detin Tiberiad, ku Krishti mblodhi peshkatarët, për t’i bërë apostujt të Tij…
Vizita në Nazaret na njohu me vendin, ku jetonte e Tërëshenjta Mari dhe sipas traditës, pamë burimin, ku Ajo mbushte ujë dhe Kryeengjëlli i solli Lajmin e Mirë, se do të lindte Shpëtimtarin e botës. Sot, ai ndodhet brenda manastirit dhe kishës, që mban emrin e Ungjillëzimit.
Pamë Malin Tabor, ku u krye Metamorfoza e Shpëtimtarit, vend ku sot ekziston manastiri dhe kisha shumë e bukur, që mban këtë emër. Vizita në Kana të Galilesë do të na jepte emocione të tjera – u njohëm me vendin, ku Krishti bekoi dasmën dhe e ktheu ujin në verë.
Në Betani pamë varrin, ku Krishti ringjalli Llazarin. Jo larg ishte edhe vendi ku Jisui u Ngjit në qiell. Aty, sipas traditës ruhet edhe një pjesë guri, ku duket gjurma e këmbës së Jisu Krishtit. Pasi puthëm me shumë emocione dhe lot gjurmën e shenjtë u larguam, për të vizituar vendin, ku sipas traditës Krishti u mësoi nxënësve lutjen “Ati ynë”, lutje e cila është e shkruar në të gjitha gjuhët e botës përreth mureve në oborrin e Kishës ekzistuese.
Pastaj i erdhi radha vizitës në Patrikanën Orthodhokse të Jeruzalemit dhe pritjes së ngrohtë nga Patriku i Shenjtë Diodor. Me kërkesën e Tij, kori ynë psali “Kryqit Tënd i falemi” etj…
Ndërsa e diela do të fiksonte një eveniment tjetër historik; përherë të parë meshohet dhe psalet në shqip në Kishën, kryetempullin e botës, Ngjallja e Krishtit. Kryesoi Liturgjinë Hyjnore episkopi i Gazës (një nga 24 që ka Patrikana Orthodhokse). Në të, veç klerikëve të tjerë, merrnin pjesë edhe At Justini, At Sotiri, dhiakon Josifi dhe kori bizantin i Kishës sonë, që psali në shqip Himnin Keruvik, “E meriton me të vërtetë” etj. Edhe të nesërmen morëm pjesë në Liturgjinë e Lartësimit të Kryqit të Nderuar, duke marrë me vete edhe bekimet e kësaj dite të shënuar.
Ditët kalonin dhe secila kishte emocionet, kujtimet e mbresat e saj. E kështu mbërritëm në ditën e fundit, por në të cilën etja për të parë diçka më shumë ishte më e madhe se kurrë. Gjatë saj vizituam Manastirin e Kryeengjejve dhe pamë gurin, mbi të cilën ishte ulur Krishti në tempullin e Solomonit, në moshën 12 vjeç dhe u predikonte mësuesve të tij.
Vizituam edhe manastirin e Shën Melanisë, e cila e kishte ndërtuar vetë, në vendin ku Maria qëndroi dhe shikonte Golgothanë, kur do kryqëzonin Krishtin.
Pastaj shkuam në pretori, vendi ku u gjykua Jisui nga Pilati, ku ndodhet edhe burgu ku qëndroi Krishti para kryqëzimit. Jo shumë larg pamë burgun e Shën Pjetrit, që ndodhet një kat më poshtë shtëpisë së Nikodhimit. Aty vinte e rrinte Krishti. Sot jeton një murg me origjinë shqiptare, që e kishte ruajtur dhe fliste mirë shqipen. Pamë dhe vendin ku u lind Shën Maria; një kat më poshtë ndodhej shpella ku ishin varrosur Joakimi dhe Ana.
Pastaj bëjmë Rrugën e dhimbjes, ku Krishti me kryqin në krah shkonte drejt Golgothasë…
Vizituam shtëpinë e Apostull Markut, ku Krishti shtroi Darkën Mistike. Aty erdhi Shpirti i Shenjtë mbi apostujt dhe Jisui iu shfaq dy herë nxënësve pas ngjalljes. Në katin e parë të saj ndodhet edhe varri i Davidit.
Pak metra më tej ndodheshin katakombet e të krishterëve, 5 m poshtë, nën tokë, me një sipërfaqe rreth 4-5 mijë m2.
U larguam nga ai vend i bekuar, që shpirtërisht është qendra e Botës, me një ngarkesë emocionale të fuqishme, të cilën mezi pritnim për ta ndarë me të afërmit dhe bashkëbesimtarët…
At Sotir Xhaferri