Shën Efremi Siriani është një nga etërit më të mëdhenj të Krishterimit lindor. Ai lindi rreth vitit 306 në qytetin e largët të Nisibit, në Mesopotami. Që në rini tregoi prirje të thellë shpirtërore. I ati, prift pagan, e dëboi nga shtëpia për shkak të simpatisë së tij ndaj Besimit të Krishterë. I riu u prit me dashuri nga episkopi i shenjtë Jakovi i Nisibit, i cili u bë udhëheqësi dhe mësuesi i tij shpirtëror. Nën drejtimin e tij, Efremi iu përkushtua me zell studimit të Shkrimit të Shenjtë. Fjala e Perëndisë ndezi në zemrën e tij një zjarr të pashuar besimi, dhe e drejtoi në jetën asketike dhe në kërkimin e pasurisë qiellore.
Përulësia e tij ishte e thellë dhe e sinqertë. Efremi u bë i njohur si “mësuesi i dërrmimit të shpirtit”. Lotët e pendimit rridhnin pandërprerë nga sytë e tij, si një pagëzim i dytë pastrues. Ai qante për mëkatet e tij dhe të mbarë botës. Ndonjëherë, duke medituar mbi mëshirën dhe mrekullitë e Perëndisë, lotët e tij shndërroheshin në lot gëzimi. Predikimet e tij për pendimin dhe për Gjykimin e Fundit preknin edhe zemrat më të ngurta. Brez pas brezi e deri më sot, leximi i veprave të shën Efremit sjell lot në sy, duke u hapur mëkatarëve udhën e pendimit dhe të kthimit.
Në moshën njëzetvjeçare, pas pagëzimit, u tërhoq në shkretëtirë për të jetuar në heshtje dhe lutje. Shkoi në qytetin e Edesës për një pelegrinazh dhe në kërkim të një njeriu me të cilin mund të bënte jetë monakale. Gjatë udhës takoi një grua që bënte jetë mëkatare, u shtir sikur i pranoi propozimet e saj dhe, duke i thënë që ta ndiqte, në vend që ta çonte në ndonjë vend të fshehur dhe të përshtatshëm për mëkat, e çoi në sheshin publik. Prostituta e pyeti: “Përse po më sjell këtu? Nuk të vjen turp që po ekspozohesh para vështrimeve të njerëzve?”. Shenjtori iu përgjigj: “O fatkeqe, i druhesh vështrimit të njerëzve, po përse nuk i druhesh syrit të Perëndisë, që shikon çdo gjë dhe do të gjykojë ditën e fundit veprimet dhe mendimet tona më të fshehta?!”. E pushtuar nga frika, gruaja u pendua dhe iku në një vend të përshtatshëm për shpëtimin e saj.
Pas disa vitesh qëndrimi në Edesë, shën Efremi u kthye në shkretëtirë. Meqë kishte dëgjuar të lavdëroheshin virtytet e shën Vasilit, Perëndia i zbuloi në një vizion se episkopi i Qesarisë i ngjante një shtylle zjarri që bashkonte qiellin me tokën. Pa humbur kohë, Efremi u nis për në Kapadoki. Mbërriti në Qesari ditën e Theofanisë dhe hyri në kishë në çastin kur kremtohej Liturgjia Hyjnore. U mallëngjye kur pa episkopin e madh të predikonte, sepse pa një pëllumb të bardhë që rrinte në supin e tij dhe i pëshpëriste në vesh fjalë hyjnore. Pikërisht ky pëllumb i zbuloi Vasilit praninë mes turmës të asketit të përulur sirian. Dërgoi dikë që ta gjente, biseduan për pak brenda në hierore dhe, në përgjigje të kërkesës së tij, ai mori nga Perëndia dhuratën që Efremi të fliste menjëherë greqisht, meqë shenjtori nuk dinte. Pastaj e hirotonisi dhjakon dhe e la të kthehej në atdhe.
Në vitet 338-387 nisën luftërat mes romakëve dhe persëve dhe njëkohësisht në mbarë mbretërinë nisën persekutime të pamëshirshme kundër të krishterëve, duke i konsideruar si aleatë të romakëve. Kur Efremi mësoi në shkretëtirë për vuajtjet e vëllezërve, shkoi në Nisibë, që t’i ndihmonte me veprat dhe fjalët e tij. Që kur ishte fëmijë, i ishte zbuluar thirrja e Perëndisë, sepse kishte parë në një vegim një vresht të bollshëm, që do të mbinte prej gojës së tij dhe do të mbushte gjithë tokën. Të gjithë zogjtë e qiellit vinin dhe qëndronin atje, duke u ngopur me frytet e tij dhe, sa më shumë kokrra hanin, aq me më shumë rrush mbushej vreshti. Hiri i Shpirtit të Shenjtë e kishte mbushur me bollëk, sa, kur i drejtohej popullit, gjuha e tij nuk kishte kohë të shprehte mendimet qiellore që Perëndia i frymëzonte dhe dukej sikur i mbahej goja. Për këtë arsye ai i drejtoi Perëndisë këtë lutje: “Përmbaji, o Zot, rrëketë e hirit tënd!”. Kur nuk merrej me mësimdhënie për forcimin e besës kundër paganëve dhe heretikëve, u shërbente përulësisht të gjithëve, si një shërbëtor i vërtetë, duke imituar Krishtin që u bë për ne “shërbëtor”.
Virtytet, lutja, frytet e soditjes dhe të studimit, të gjitha dhuntitë që Perëndia i kishte dhënë, nuk i ruante vetëm për vete, por e stolisi Kishën, Nusen e Krishtit, si me kurorë të artë me gurë të çmuar. Më 338, kur rrethuan Nisibën, falë lutjes së oshënarit dhe të shën Jakovit, qyteti u çlirua. Por pas luftërave të njëpasnjëshme, qyteti ra në duart e sovranit mizor të persëve, më 363. Nuk pranoi të jetonte nën sundimin pagan dhe u nis për në Edesë.
Atje kaloi dhe 10 vitet e fundit të jetës dhe vazhdoi veprën e papërfunduar të Shkollës së Interpretimit, themeluar në Nisibë nga shën Jakovi, duke dhënë mësim në shkollën e Edesës, e cila që atëherë u quajt “Shkolla e persëve”. Hartoi pjesën më të madhe të veprave të mrekullueshme, ku njohja e tij për Perëndinë dhe për dogmat e shenjta e veshi me stolinë madhështore të një gjuhe të pakrahasueshme poetike. Thuhet se kompozoi në sirisht më shumë se tre milionë vargje: komentarë të shumicës së librave të Shkrimit të Shenjtë, ligjërata kundër herezive, himne për Parajsën, për Virgjërinë, për Besimin, për Misteret e mëdha të Shpëtimtarit dhe për të kremtet e vitit. Një pjesë e madhe e këtyre himneve hyri në kompozimin e librave liturgjikë të Kishës në gjuhën siriane, prej nga vjen edhe përcaktimi si “Lira e Shpirtit të Shenjtë” dhe “Mësues i universit”. Na janë transmetuar ligjërata të shumta, që flasin kryesisht për dërrmimin e shpirtit, asketizmin dhe virtytet murgërore. Pasi organizoi ndihmat e para në qytet gjatë zisë së bukës, më 372, oshënar Efremi fjeti në paqe më 373, i rrethuar nga murgj dhe asketë që kishin dalë nga manastiret, nga shkretëtira dhe shpellat, për të qenë me të në momentet e tij të fundit. La një testament prekës, plot përulësi dhe dërrmim shpirtëror, ku kërkonte vazhdimisht nga ata që e donin të mos e nderonin me ceremoni mortore pompoze, por ta vendosnin trupin e tij në një gropë që ishte caktuar për të huajt, dhe të mos i çonin lule e aroma, por lutje.
Çdo vit në periudhën e Kreshmës së Madhe, bashkohemi me 16 shekuj besimtarësh që janë ushqyer dhe inkurajuar shpirtërisht nga përkushtimi i shën Efremit ndaj Krishtit. Lutja e shën Efremit thuhet se përmban të gjithë esencën dhe qëllimin e Kreshmës së Madhe. Kur themi fjalët e kësaj lutjeje, e sjellim të gjithë trupin tonë në meditim, duke bërë metani (përkulje) të vogla dhe të mëdha.