Shërbesa e Himnit Akathist është një nga shërbesat më të dashura dhe më të bukura të Kishës. Gjithsekush që vjen në kishë e ndjen edhe në ajër gëzimin e madh që sjell kjo shërbesë. Dhe atje ku është gëzimi, atje është Zoti, sepse atje ku është e keqja, nuk ka gëzim. Si në festën e Ungjillëzimit edhe në përshëndoshjet që bëjmë për të Tërëshenjtën, gjithmonë ndihet në ajër një lloj gëzimi i madh. Fjalët që dëgjohen më shumë në përshëndoshjet janë pikërisht: gëzohu dhe gëzim. Një jetë pa gëzim është jetë e gjymtuar, dhe gëzimi qëndron aty ku është i pranishëm Perëndia. Kur themi ‘është i pranishëm Perëndia’, do të thotë atje ku jetohet një jetë sipas mësimeve dhe vlerave që vijnë nga mësimi i Zotit.
Ndonëse sot përkujtojmë një ngjarje historike, kur qyteti i Konstandinopojës u shpëtua nga pushtimi me ndërhyrjen e së Tërëshenjtës – çdo gjë që prek Zoti kthehet në trans-historike, është për të gjitha kohërat – Etërit e Kishës, në mënyrë simbolike, e kanë përshkruar shpirtin e njeriut si një qytet dhe të gjitha pasionet e ndryshme nga jashtë dhe nga brenda tij, janë pikërisht sulmet për ta pushtuar qytetin. Për ta mbrojtur qytetin, çdo njeri ka nevojë për praninë e Perëndisë dhe të së Tërëshenjtës. Për ta ruajtur shpirtin e tij, njeriu ka nevojë t’i drejtohet të Tërëshenjtës, që të ndërmjetojë pranë Perëndisë. Nga përvoja e gjatë e Kishës, e jetës shpirtërore në kishë gjatë gjithë shekujve, edhe në ditët e sotme kryhen mijëra mrekulli, pikërisht nga lutjet drejtuar të së Tërëshenjtës. Kisha na kujton vazhdimisht që, sa herë jemi në vështirësi, sa herë e shikojmë që shpirti ynë shtrëngohet nga pasionet dhe vështirësitë, t’i lutemi të së Tërëshenjtës. Ajo do të na ndihmojë dhe do të na shpëtojë.
Në troparet e Kishës themi gjithmonë: “Mbrojtje e paturpëruar e të krishterëve…”, që do të thotë se çdo njeri që i lutet me gjithë shpirt të Tërëshenjtës, merr gjithmonë përgjigje. Prandaj, le t’i lutemi të Tërëshenjtës, Nënës së Zotit Jisu Krisht, që ta mbrojë Kishën tonë, që t’ju mbrojë ju dhe familjet tuaja. Lutja ka gjithmonë fuqi. Nëse lutja e të drejtit është shpërblyer me fuqi, kjo është për të gjithë njerëzit e drejtë. Sa më shumë të pendohemi, sa më shumë t’i përkushtohemi Zotit, aq më tepër do të dëgjohet lutja jonë.
Ne kemi thesar dhe bekim shumë të madh me këtë lloj shërbese dhe historia tregon që gjatë këtyre shërbesave dhe gjatë kësaj periudhe të Kreshmës së Madhe, lutja bëhet akoma më e fortë dhe e Tërëshenjta do t’u përgjigjet lutjeve tona.
Ju uroj të gjithëve që e Tërëshenjta të qëndrojë një mbrojtëse për ju, për familjet tuaja dhe për fëmijët tuaj.
Kryepiskopi Joan,
në Shërbesën I të Himnit Akathist
***
Mbrojtje e paturpëruar e të krishterëve,
ndërmjetim i pandërprerë ndaj Krijuesit,
dëgjo zërat e lutjeve të mëkatarëve, dhe
arri si e mirë për të na ndihmuar ne,
që të thërresim me besë, nxito të
ndërmjetosh dhe shpejto të lutesh,
o Hyjlindëse, që mbron ngaherë
ata që të nderojnë.
***
Më ty gëzohet, o Hirplotë, gjithë krijesa,
tërësia e engjëjve, dhe gjinia e njerëzve:
o tempull i shenjtëruar dhe parajsë
shpirtërore, mburrje virgjërore;
prej së cilës u trupëzua dhe u bë djalë
Perëndia ynë që është para jetëve.
Se mitrën tënde e bëri fron dhe barkun
tënd më të gjerë se qiejt. Më ty gëzohet,
o Hirplotë, gjithë krijesa; lavdi më ty.