EmailFacebookKontakt

‘Syri i Keq’ dhe e vërteta e Besimit Orthodhoks

Në jetën e përditshme dëgjojmë shpesh shprehje si: “Ka sy të keq”, “Që mos të na marrin mësysh”, “Vendos një hajmali që të mos të të kapë syri i keq” etj. Këto janë dukuri të përhapura në traditën popullore mesdhetare dhe ballkanike, përfshirë edhe hapësirën shqiptare. Për të shmangur këtë të keqe, dikush vendos syrin blu në shtëpi, dikush var patkoin mbi derë, dikush mban një hajmali apo një kukull prej kashte “për mbrojtje” etj. Këto zakone, të trashëguara nga kohë të vjetra, lidhen me përpjekjen e njeriut për ta larguar të keqen përmes një sendi material. Por për ne, të krishterët orthodhoksë, pyetja thelbësore nuk është nëse këto zakone ekzistojnë, por nëse përputhen me jetën e Kishës dhe me udhën që na çon drejt Mbretërisë së Perëndisë.

Shkrimi i Shenjtë na mëson se e keqja nuk buron nga syri si organ, por nga smira dhe nga gjendja e zemrës. Libri i Urtësisë së Solomonit thotë: “Nga smira e djallit hyri vdekja në botë” (Urt. Sol. 2:24). Rrënja e së keqes është pasioni dhe largimi nga Perëndia. Edhe Zoti ynë Jisu Krisht na mëson se “nga zemra e njerëzve dalin mendimet e liga” (Mk. 7:21-23). Pra, e keqja buron nga brenda, nga një zemër e papastruar, dhe jo nga jashtë. Problemi nuk qëndron në një energji magjike të syrit, por në smirën dhe ndikimin demoniak që vepron përmes pasioneve. Etërit e Shenjtë e thellojnë këtë kuptim. Shën Joan Gojarti, në “Homeli mbi Ungjillin sipas Mattheut” (PG 57), thekson se ajo që quhet “sy i keq” nuk është veprim fizik i shikimit, por pasojë e smirës dhe e sprovimit shpirtëror. Shën Vasili i Madh, në “Epistola 188” (PG 32), drejtuar Shën Amfilokut të Ikonisë, dënon praktikat supersticioze dhe mbështetjen në sende si mungesë besimi në Providencën e Perëndisë. Për Etërit, problemi nuk është “syri” si fenomen i jashtëm, por zemra e njeriut dhe lidhja e tij me Zotin. Kur njeriu kërkon mbrojtje në një send, ai, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, zhvendos besimin nga Zoti te materia. Kjo nuk është thjesht çështje kulture, por çështje besimi.

Tradita Kanonike e Kishës është e qartë në këtë drejtim. Kanoni 36 i Sinodit të Laodikesë (380) dënon ata që përgatisin dhe përdorin hajmali jashtë Besimit të Krishterë Orthodhoks, duke i quajtur ato “pranga të shpirtit” dhe duke urdhëruar përjashtimin e tyre nga bashkësia kishtare. Kjo tregon se Kisha nuk i konsideron hajmalitë si sende të pafajshme folklorike, por si shprehje të një mentaliteti që e lidh shpëtimin me objekte materiale dhe jo me hirin e Perëndisë.

Në të njëjtën frymë janë edhe Kanoni 24 i Sinodit të Angirës (314), Kanonet 7, 65, 72, 83 të Shën Vasilit të Madh, si edhe Kanoni 61 i Sinodit të Pestë-Gjashtë (691), i cili dënon praktika supersticioze dhe forma të ndryshme besimesh popullore që zëvendësojnë besimin e gjallë me mekanizma ritualë. Këto Kanone nuk kanë karakter juridik; ato shprehin kujdesin baritor të Kishës për shpëtimin e njeriut dhe për ruajtjen e pastërtisë së besimit.

Kisha nuk e mohon realitetin e tundimit dhe ndikimit të së ligës, por përgjigjja e saj nuk është përdorimi i një sendi për ta neutralizuar atë. Në jetën liturgjike dhe baritore, mbrojtja kërkohet përmes lutjes dhe hirit të Perëndisë. Në librin Uratore e vogël të Kishës përfshihet “Urata e marrjes mësysh”, e cila i drejtohet me lutje Zotit për çlirimin nga çdo influencë djallëzore. Kjo dëshmon se mbrojtja e vërtetë nuk vjen nga objekti, por nga Perëndia. Prandaj, “prishja e syrit të keq”, në kuptimin e lutjes së Kishës, e bërë me besim, pendim dhe në bashkim me jetën sakramentale, është krejt e ndryshme nga praktikat supersticioze që funksionojnë si teknika mekanike: e para është shprehje e besimit në Krishtin; e dyta është zhvendosje e besimit drejt një sendi.

Si të krishterë orthodhoksë, nuk kemi nevojë për hajmali. Ne kemi Kryqin si dhe Misteret e Shenjta të Kishës Orthodhokse, si Kungimin e Shenjtë edhe Misterin e Vajit të Bekuar (Efqelia). Kemi jetën në bashkësi dhe lutjen e Kishës. Jeta jonë nuk drejtohet nga frika e një syri të keq, por nga shpresa e Mbretërisë së Perëndisë. Qëllimi ynë nuk është thjesht të shmangim një dëm të përkohshëm, por të pastrojmë zemrën dhe të bëhemi pjesëtarë të jetës së përjetshme.

Jeta e krishterë është udhëtim drejt Mbretërisë. Kanonet e Shenjta, mësimet e Etërve dhe jeta sakramentale na drejtojnë drejt këtij qëllimi. Hajmalitë dhe praktikat e ngjashme e mbajnë njeriun të lidhur me frikën dhe me një siguri të rreme. Kisha na fton të jetojmë në liri, në besim dhe në dashuri, duke e vendosur shpresën jo në sende, por në Krishtin. Vetëm Ai është mbrojtja jonë e vërtetë. Vetëm në Të gjejmë paqe, çlirim dhe siguri për këtë jetë dhe për jetën e përjetshme.

Vlash Plepi