Të Dielën e të Lidhurit të Mishit dhe të Gjykimit të Fundit, Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanaili, drejtoi Shërbesat e Shenjta në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Gjirokastër. Në predikim, ai theksoi se Kisha, përmes Ungjillit të kësaj të diele, nuk synon të na frikësojë, por të na zgjojë ndërgjegjen. Nënvizoi se kriteri i Gjykimit, sipas Ungjillit, është dashuria konkrete ndaj të afërmit. Çdo vepër mëshire, çdo fjalë ngushëllimi, çdo sakrificë e bërë me dashuri për tjetrin, është dëshmi e gjallë e besimit. Pas Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti priti në qendrën shpirtërore të Katedrales besimtarë të shumtë dhe mëpas mori pjesë dhe mbajti fjalën përshëndetëse në veprimtarinë promovuese të albumit me kishat e Shën Sofisë në mbarë botën, që u organizua nga Asambleja Ndërparlamentare e Orthodhoksisë në ambientet e shkollës “FrymëDashurie”, Gjirokastër.