Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, më 13 shkurt 2026, mbajti fjalën me temë: “Shën Sofia. Kishat e Urtësisë së Perëndisë nëpër botë”, në aktivitetin përurues të botimit në gjuhën shqipe “Shën Sofia: Kishat e Mençurisë së Tënëzoti nëpër botë”. Aktiviteti u zhvillua tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila e organizoi këtë aktivitet në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë dhe Asamblenë Ndërparlamentare të Orthodhoksisë (IAO). Në të morën pjesë studiues, akademikë, përfaqësues institucionesh etj.
***
Fjala e Kryepiskopit Joan
I
Është bekim dhe nder i veçantë të gjendemi sot këtu, në zemër të Tiranës, për të prezantuar një vepër që na fton të ngremë sytë nga kupola më e famshme e Krishterimit, dhe të zbulojmë se çfarë fshihet pas emrit të saj. Vëllimi “Shën Sofia. Kishat e Urtësisë së Perëndisë nëpër botë”, i botuar nga Asambleja Ndërparlamentare për Orthodhoksinë (I.A.O.) dhe i vlerësuar me një çmim nga Akademia e Athinës në vitin 2023, qarkullon tashmë në 13 gjuhë dhe është prezantuar në 25 kryeqytete e qytete të mëdha.
Kisha e parë dedikuar Urtësisë së Perëndisë (Shën Sofia) u ndërtua në shekullin IV nga Konstandini i Madh, themeluesi i qytetit të Konstandinopojës. Fatkeqësisht, nuk ka mbetur asgjë nga Shën Sofia e parë. Pas shkatërrimit të kishës së Konstandinit, një e dytë u ndërtua nga i biri, Konstandini, dhe nga perandori Theodhos. Kjo u dogj gjatë trazirave të Nikeas në vitin 532, megjithëse fragmente të saj janë gërmuar dhe mund të shihen sot.
Shën Sofia u rindërtua në formën e saj të tanishme midis viteve 532 dhe 537 nën mbikëqyrjen personale të Perandorit Justiniani I. Ajo është një nga shembujt më të mëdhenj të arkitekturës bizantine, me mozaikë, shtylla e mbulesa mermeri. Ajo u përurua më 27 dhjetor të vitit 537. Perandori Justiniani I ua besoi projektimin matematicienëve dhe arkitektëve Isidorit të Miletit dhe Anthimit të Tralianës, të cilët ndërtuan katedralen më të madhe të ndërtuar ndonjëherë deri në atë kohë, e cila mbeti e patejkalueshme për një mijë vjet, deri në përfundimin e katedrales në Sevilje të Spanjës.
Kur Justiniani pa veprën e përfunduar, thirri frazën historike: “Lavdi Perëndisë, që më ka konsideruar të denjë për të kryer një vepër kaq të madhe. Të kam mundur, o Solomon!” (Nenikika se, Solomon!) Kjo frazë nuk ishte thjesht shprehje e ambicies perandorake. Solomoni kishte ndërtuar Tempullin e Jerusalemit – shtëpinë e Perëndisë së Dhiatës së Vjetër, të Perëndisë Monokratorit. Justiniani me Shën Sofinë synoi të shprehte diçka më të thellë: me zbulesën e Perëndisë Triadik, nga që bota kishte hyrë në një epokë të re. Tempulli i Solomonit ishte vendi i hijes; Shën Sofia u bë vendi i dritës së zbulesës së plotë.
Kronikani Nestor (987 pas Krishtit), kur vizitoi kishën e Shën Sofisë, e përshkruan kështu përvojën e tij: “Ne nuk e dinim nëse ishim në qiell apo në tokë… sepse në tokë nuk ka një shkëlqim apo bukuri të tillë, dhe nuk dimë si ta përshkruajmë”.
Kjo kishë nuk ishte vetëm arritje arkitektonike, por edhe si simbol i triumfit të Krishterimit. Kisha, e cila gjatë persekutimeve adhuronte në katakombe, fitoi tani shtëpinë më madhështore. Rrezatimi i saj botëror i tejkaloi kufijtë e feve.
Shën Sofia shërbeu edhe si frymëzim arkitektonik për shumë ndërtesa të tjera fetare, të krishtera dhe jo të krishtera, duke përfshirë Shën Sofinë në Selanik, Panagia Ekatontapiliani (Të Tërëshenjtën e njëqind dyerve), Xhaminë Shehzade, Xhaminë Sulejmanije, Xhaminë Rustem Pasha, Kompleksin Kiliç Ali Pasha dhe shumë ndërtersa të tjera, duke dëshmuar se Shën Sofia ndikoi shprehjen e ndjenjës fetare në gjithë Lindjen dhe mbetet një nga ndërtimet më të rëndësishme të historisë njerëzore.
Lidhja me Shën Sofinë nuk i përket vetëm së kaluarës. Katedralja e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, e cila hapi dyert në vitin 2012, u ndërtua nga Kryepiskopi Anastas, me referim të qartë në elemente arkitektonike të Shën Sofisë: kupola me lartësi 32,2 metra, apsidat e Altarit, dhe katër pilonët gjysmërrethorë që mbështesin kupolën në formë kryqi rreth kishës qendrore – saktësisht si katër shtyllat e mëdha të Shën Sofisë së Konstandinopojës.
II
Për të kuptuar plotësisht rëndësinë e kësaj katedraleje dhe shkakun e frymëzimit për ta ndërtuar atë me një madhështi dhe me një bukuri të jashtëzakonshme, duhet t’i drejtohemi rrënjëve biblike të konceptit të Urtësisë.
Në Dhiatën e Vjetër, Urtësia e Perëndisë – Hokma në hebraisht, Sofia në greqisht – shfaqet si prani e gjallë dhe misterioze pranë Perëndisë. Në librin e Fjalëve të Urta lexojmë: “Urtësia ndërtoi shtëpinë e vet dhe ngriti shtatë shtylla” (Fj. Urt. 9:1). Dhe akoma më mbresëlënëse: “Zoti më krijoi në fillim të udhëve të tij për veprat e tij; para shekujve më themeloi” (Fj. Urt. 8:22-23). Në Urtësinë e Solomonit thuhet gjithashtu: “Sepse ajo është avull i fuqisë së Perëndisë dhe rrjedhje e pastër e lavdisë së Pantokratorit (të Gjithpushtetshmit)” (Urt. Sol. 7:25). Megjithatë, në Dhiatën e Vjetër identiteti i kësaj Urtësie mbeti në mister. Hebrenjtë e njihnin Perëndinë si Një, si Jahve i Sinait. Urtësia shfaqej si veti apo energji e Perëndisë, pa u zbuluar si Person i veçantë.
Kthesa e madhe vjen me Dhiatën e Re. Perëndia zbulohet tani si Trinitar: Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë. Kjo zbulesë u shfaq në tre momente kulmore: Në Pagëzimin e Zotit në Jordan – Theofaninë – ku zëri i Atit dëgjohet nga qielli, Biri pagëzohet dhe Shpirti i Shenjtë zbret në formë pëllumbi (Mt. 3:16-17). Në Metamorfozën mbi Malin Tabor, ku Krishti shfaqet në lavdi dhe zëri i Atit dëshmon “Ky është Biri im i dashur” (Mt. 17:5). Dhe më në fund në Pendikosti, ku Shpirti i Shenjtë zbret mbi Apostujt “në formë gjuhësh zjarri” (Vep. 2:3).
Apostull Pavli e formuloi identifikimin e Urtësisë me Krishtin me qartësi të pakrahasueshme: “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar… Krishtin fuqi të Perëndisë dhe Urtësi të Perëndisë” (1 Kor. 1:23-24). Urtësia e Perëndisë identifikohet me Personin e Dytë të Trinisë së Shenjtë, Fjalën e Perëndisë, Krishtin. Këtë identifikim e konfirmoi edhe Sinodi VII Ekumenik (Nikea II, 787), i cili referohet shprehimisht tek “Zoti ynë Jisu Krisht, Perëndia ynë i vërtetë, Urtësia vetë-hipostatike e Perëndisë Atë”. Grigor Theologu po ashtu shpall: “Si mund të mos dijë ndonjë gjë nga ato që janë, ai që është Urtësia, krijuesi i botëve?” (Fjalimi 30, 15).
Festa e kishave dedikuar Shën Sofisë (Urtësisë së Perëndisë) lidhet me Pendikostinë dhe Trininë e Shenjtë, sepse Urtësia e Perëndisë nuk është një veti abstrakte, por zbulesa e plotë e Perëndisë Trinitar – Krishti, sipas interpretimit kryesor patristik. Lidhja ndërmjet festës së Gjysmëpendikostisë dhe “Urtësisë së Shenjtë” tregohet nga fakti se në ikonën e kësaj dite, Krishti paraqitet në mes të pleqve të tempullit, mësuesve të ligjit, duke u demonstruar atyre njohurinë e tij për fjalën e Perëndisë (Urtësinë e Tij).
Ishte pikërisht ky besim dhe përkushtim që frymëzoi dhe motivoi ndërtimin e kësaj katedraleje të madhërishme, dedikuar Jisu Krishtit si Fjala dhe Urtësia e Perëndisë.
Si përfundim, mund të themi se vëllimi që prezantojmë sot dokumenton se Shën Sofia nuk ishte një fenomen i veçuar. Ai përfshin 37 kisha historike kushtuar Urtësisë së Perëndisë, nga Ishujt Britanikë deri në Kinë, duke provuar se Shën Sofia, ndonëse është një ikonë arkitekturore dhe kulturore e qytetërimit bizantin dhe orthodhoks lindor, nuk i përket vetëm Konstandinopojës apo Orthodhoksëve, sepse Urtësia e Perëndisë është themel jo vetëm i Besimit të Krishterë, por i shumë qytetërimeve.