EmailFacebookKontakt

Kreshma – Udhëtim drejt Zotit

Theksohet vazhdimisht që kreshma është udhëtim. Jo vetëm kreshma, por vetë jeta jonë është një udhëtim. Të gjithë ne që kemi filluar kreshmën, kemi filluar një udhëtim. Filloi periudha që ndryshon ngjyrat. Nëpërmjet Ungjillit, Zoti na tregon shpesh për gjendjen në të cilën ndodhemi. Jo vetëm Zoti, por edhe shumë filozofë e psikologë thonë që njerëzit kanë humbur “veten” e tyre, dhe kush humbet veten, ka humbur gjithçka. Gjithçka tjetër që përpiqet të fitojë njeriu, nuk mund ta përmbushë dot atë që mund t’i japë “vetja”. Një nga arsyet që njeriu mendon se e ka humbur “veten” është kur nuk e kupton dot që e ka humbur atë. Keni dëgjuar të thuhet te paravolia e Djalit Plangprishës për djalin që u kthye që “erdhi në vete” (Llk.15:17). Kjo do të thotë se ai filloi të kuptojë situatën në të cilën ndodhej.

Askush nuk mund të fillojë dot udhëtimin e kreshmës, nëse nuk vjen në vete. Ne sot e kemi humbur qëllimin e jetës. Dëshira për kënaqësi, etja për pushtet dhe të tjera gjëra të kota si këto jo vetëm që nuk mund ta ndihmojnë njeriun që t’i japë kuptimin jetës, por as nuk e bëjnë dot të lumtur. Lumturia dhe qëllimi i jetës janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse nuk ka qëllim në jetë. Njerëzit në ditën e sotme nuk kanë asnjë arsye për të jetuar dhe asnjë qëllim jete. Kjo ndodh edhe te njerëzit e kishës, të cilët mendojnë se besojnë, vijnë vazhdimisht në kishë, por kanë humbur arsyen për të jetuar dhe arsyen për të vdekur. Vetë fakti që shpeshherë brenda kishës kemi mëri, grindje, thashetheme, dhe plot kotësi, tregon që ata njerëz janë të ngeshëm, që nuk po udhëtojnë. Ai që udhëton, nuk merret me gjërat që ndodhin në stacion, por e ka mendjen vetëm tek udhëtimi. Vetë fakti që merremi me shumë gjëra rrotull nesh, do të thotë që kemi humbur sensin e udhëtimit. Gjatë gjithë historisë së tij, njeriu është përpjekur për pasuri; ai ka grumbulluar pasuri të madhe, megjithatë nuk është bërë i lumtur. Kishtari në librin e tij thotë se edhe dituria është “kotësi e kotësive”. Sado të grumbullosh pasuri, ajo nuk mund të të shërbejë, nuk mund të të sjellë lumturi. Solomoni ishte shumë i pasur, megjithatë nuk ishte i lumtur, sepse ai vetë thotë “kotësi e kotësive” (Pred. 1:2).

Me të vërtetë, askush nuk mund të arrijë dot lumturinë, nëse shpirti i tij nuk prehet te Zoti. Njeriu është krijuar sipas ikonës së Trinisë, që do të thotë se shpirti ynë do të jetë gjithmonë i shqetësuar, nëse nuk prehet te Zoti. Shën Agustini thotë: “Zot, na ke krijuar sipas ikonës Sate, dhe asnjëherë nuk do të gjejmë prehje derisa të gjejmë prehje tek Ti”.

Prehja te Zoti nuk kuptohet dot pa udhëtimin drejt Atij. Kjo është arsyeja pse e quajmë kreshmën një lloj udhëtimi: Udhëtim nga kjo gjendje fizike në të cilën ndodhemi, në një gjendje tjetër të thellë shpirtërore. Ky udhëtim kërkon sakrifica, kërkon mundim. Siç mësojmë nga Shkrimi i Shenjtë, që Izraeli u kthye në Tokën e Premtuar, duke kaluar nëpërmjet shkretëtirës, e cila simbolizon çlirimin nga shkretëtira shpirtërore e njeriut.

Të fitosh përsëri atë që ke humbur, nuk është aq e lehtë, prandaj udhëtimi është i mbushur me vështirësi dhe sakrifica, për të cilat kërkohet një lloj privimi. Arsyetimi foshnjërak njerëzor dhe vlerësimi në mënyrë të papërgjegjshme, pa njohur mirë gjendjen reale të njeriut dhe nevojat e tij, propozuan çlirime të ndryshme. Ashtu siç i propozoi vetes dhe Djali Plangprishës, sepse edhe ikja e tij ishte lëvizje për çlirim. Historia e Djalit Plangprishës është historia e gjithë njerëzimit. Gjithsekush nga ne, ashtu si ai, ndodhet në vend të largët. Pra, ndodhet jashtë gjendjes së tij, prandaj për të çdo gjendje tjetër është një vend i largët.

Sa nga ne kanë një kungim të vazhdueshëm me Perëndinë? Sa nga ne jetojnë thellësisht shpirtërisht me Të? – Shumë pak. Këtë filozofët e quajnë “sensi tragjik i jetës”, sepse kemi humbur shumë nga ato që kishim. Kungimi me Perëndinë nuk është vetëm për shenjtorët.

Të gjithë njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë, janë krijuar të jenë në kungim të përjetshëm me Të, por ky qëllim sot ka humbur.

Dhe kthimi tek Ai vjen nga një dëshirë, vjen nga një mall që ka njeriu për botën tjetër. Djali pati mall, kështu thuhet në Shkrimin e Shenjtë.

Në sa nga shpirtrat dhe zemrat tona ndizet malli për botën tjetër? Sa prej nesh mendojnë për të, për ekzistencën e saj?

Shpeshherë kjo nuk ndodh as te njerëzit brenda kishës. Dhe ne jemi dëshmimtarë për jetën e njerëzve që mendojnë se besojnë, por nuk kanë dëshirën për të shkuar tek Ati. Askush nuk mund të shkojë diku, nëse nuk dëshiron të shkojë.

Në çfarëdolloj mënyre që ta shikojmë lirinë, si barrë apo si dhuratë, nuk mund të shpëtojmë dot prej saj. Anjë prej nesh nuk mund të lirohet nga të qenët i lirë. Kjo është një nga bazat kryesore të doktrinës së krishterë, që gjithsekush është krijuar i lirë ta pranojë ose të mos e pranojë Perëndinë; Ta fillojë ose jo udhëtimin.

Shumë njerëz janë munduar të gjejnë lumturinë; shumë janë përpjekur ta bëjnë njeriun të lumtur pa Zotin, por pa Zotin nuk ka lumturi. Të gjitha përpjekjet për lumturi pa Zotin, do të përfundojnë si tentativa e parë e Adamit, i cili donte të bëhej zot pa Zotin.

Në përpjekjen e tyre për të gjetur lumturinë, njerëzit jo vetëm humbën sensin e udhëtimit, por humbën edhe vetë udhëtimin. Prandaj, në këtë periudhë të Kreshmës së Madhe, gjithsekush nga ne le të mendojë për udhëtimin. Duam apo nuk duam një ditë do të jemi në fund të udhëtimit. Edhe kushdo që mund të jetojë më gjatë, të themi për hatër, 200 vjet, do ta mbarojë këtë udhëtim.

Mirë është që udhëtimi të fillojë që sot. Një jetë jashtë udhëtimit, nuk është më jetë. Njeriu nuk e bën dot udhëtimin, nëse realisht nuk do dhe nuk vendos për të. Njeriu ka brenda dëshira të ndryshme, kjo nuk do të thotë se janë të gjitha natyrale, por ato vijnë nga natyra e deformuar nga pasioni. Kjo është dhe arsyeja që Zoti e fillon historinë e njeriut me një “mos”. Dialogu i parë që ka pasur Perëndia me njeriun ka qenë një ndalim: “Mos hani nga pema” (Gjen. 3:4). “Mos-i” u vu për të përmbushur jo vetëm ekzistencën e njeriut, por edhe lirinë e tij, sepse jo çdo kundërshtim i “mos-it” është shenjë e lirisë.

Njeriu ka një dimension të madh shpirtëror dhe ai duhet ta përmbushë atë. Kreshma e ndihmon më shumë, për t’u çliruar sadopak. Kjo mund të duket e habitshme, por asketizmi është lëvizje për çlirimin më të madh, çlirimin nga vetja e rreme. Siç thotë një theolog i famshëm orthodhoks: “Çlirimi qëndron pikërisht në çlirimin e lirisë”. Vetja jonë është e zënë rob, ne nuk e dimë akoma se cila është gjendja jonë realisht e lirë, prandaj privimet e ndryshme që kemi gjatë Kreshmës së Madhe, do të na bëjnë të lirë.

Kufizimet nuk duhen parë si ndalime, as nuk duhen parë si privime, por si mbrojtje. Shpeshherë lexojmë, por nuk kuptojmë që pjesa më e madhe e Dekalogut (Dhjetë urdhërimet) (Eks. 20:1-17) është me “mos-e”: mos këtë, mos atë, mos atë. Raporti që ka Zoti me ne është si ai që ne kemi me fëmijët.

Shpeshherë ke një fëmijë pranë dhe i thua: mos këtu, mos atje. E njëjta gjë ndodh me ne në lidhje me Zotin. Këto “mos-e” nuk janë për të na kufizuar, por për të na mbrojtur, sepse kemi rënë nga gjendja jonë e parë dhe na ka humbur përgjegjshmëria e lirisë. Ta duam lirinë tonë të vërtetë, atë liri për të cilën duhet të vendosim vetë për udhëtimin. Njeriu i sotëm e ka humbur këtë përgjegjësi dhe as që do t’ia dijë se kush është qëllimi i jetës.

Prandaj, shpeshherë mësimet fetare, predikimet, paravolitë e Krishtit, predikimet e shën Joan Pagëzorit ishin predikime dhe thënie që ngjallnin krizë shpirtërore te njerëzit; një britmë shpirtërore, pikërisht për të kuptuar cili është qëllimi i jetës së njeriut.

Është tragjedi e madhe të shikosh një njeri të krijuar sipas ikonës së Perëndisë të jetojë në këtë mënyrë. Ajo që duhet të reflektojmë sot është pikërisht kjo: Ne jemi qenie që duhet të shkojmë diku, sepse jemi larguar nga ajo diku. Ne jetojmë në gjendje të deformuar; natyra dhe arsyet tona janë deformuara, prandaj privimet janë për kurimin tonë. Askush nga ne nuk mund të thotë që ilaçet që jep mjeku nuk bëjnë se janë të hidhura. Po kështu, as për kreshmën dhe për të gjitha kufizimet e tjera asketike, nuk mund të themi që nuk bëjnë apo na pengojnë lirinë, përkundrazi ato na e forcojnë lirinë.

Kush është ai i marrë që thotë: lëreni fëmijën të luajë me pistoletë, se kështu i privoni lirinë? Nëse do t’i kuptonim thellë këto ndalime, çdo ditë do t’i puthnim ato faqe të Dekalogut që janë të mbushura me këto “mos-e”. Humbja e qëllimit të jetës dhe humbja e vetvetes e ka bërë njeriun që të mos kuptojë. Prandaj, shumë njerëz nuk kuptojnë dhe shkojnë drejt greminës. Neve na duket se jemi ndryshe nga të tjerët, sepse vijmë në kishë. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të atij që beson dhe atij që nuk beson – kur të dy njësoj vjedhin, të dy gënjejnë, atëherë ku qëndron besimi këtu? Besimi që nuk krijon në shpirt dëshirë për udhëtim, nuk është besim.

Prandaj, kjo periudhë udhëtimi është për të parë thellë në çdo skutë të shpirtit tonë: A besojmë realisht apo nuk besojmë? Ky besim a është për ne një lloj zbukurimi apo nevojë bazike e jetës? Zoti është për ne siguri apo rrënja e shpirtit tonë? A mund të jetojë dikush jashtë Jetës?

Këto i themi vazhdimisht në psalme e predikime: Zoti është jeta dhe çdo jetë jashtë Zotit është e gjymtuar. Megjithatë, a është jeta jonë e zhytur dhe e rrënjosur thellë te Zoti? Këto janë pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes gjatë Kreshmës së Madhe. Këto e bëjnë njeriun të fillojë udhëtimin e tij.

Kjo periudhë kreshme nuk ndahet nga gëzimet. Edhe troparet thonë: “Le ta fillojmë këtë periudhë me gëzim”. Po të fillojë kreshma, edhe gëzimi do të vijë vetvetiu. Ne nuk na vjen gëzim, sepse nuk fillojmë. Udhëtimi drejt Zotit është i mbushur me gëzim. Nuk ka jetë më të bukur sesa të udhëtosh drejt Zotit dhe të jetosh në këtë rrugë. Asgjë nuk mund të krahasohet dot me gëzimin e madh që mund t’i japë shpirtit kthimi te Zoti, udhëtimi drejt Tij. Kjo i jep shpirtit dimensionin e tij të vërtetë, prandaj dhe periudha e kreshmës është periudhë ripërtëritjeje, periudhë për vendosjen e një gjendjeje shpirtërore për të realizuar përmbushjen e ekzistencës sonë (Mk.12:30). Mos e neglizhoni këtë. Kisha jep vazhdimisht shanse. E gjithë jeta liturgjike e Kishës është udhëtim dhe na ndihmon për të realizuar takimin personal – udhëtimin drejt Zotit. Askush nuk mund të shkojë te Zoti, nëse nuk fillon këtë udhëtim, pikënisja e të cilit është pendimi.

Gjithsekush nga ne që nuk është penduar dhe nuk vazhdon të pendohet tregon që nuk është në udhëtim. Pendimi nuk është thjesht të kuptosh se ke bërë faj, kjo është një pjesë e vogël e tij. Pendim do të thotë të të ndizet një mall për shtëpinë e Zotit, Atit, dhe atëherë fillon udhëtimi. Nëse nuk fillojmë këtë, nuk ka pendim, sado të bëjmë pseudo-jetë shpirtërore, sikur të jemi pendimtarë të mëdhenj, madje një pendim i tillë është pendim demoniak. Njerëz të tillë bëhen njerëzit më të pakuptueshëm dhe mendojnë se janë të përulur dhe fetarë. Njerëzit kanë filluar të bëhen krenarë, vetëm ngaqë mendojnë se janë të përulur. Ata që mendojnë se janë në udhëtim, por në të vërtetë nuk janë, janë në një pozicion të vështirë. Kjo është arsyeja pse zemërimi i Zotit është më i madh me farisenjtë (shih Mt. 23). Ne ndoshta do të ndiheshim të turpëruar para një fariseu. Ai kreshmonte 2 herë në javë. Kush nga ne e bën këtë sot? Ai jepte një të dhjetën, kush nga ne e bën këtë? Ai nuk kishte shkelur kurorë dhe nuk kishte bërë edhe shumë gjëra të tjera, megjithatë Zoti ishte kundër tij. Ai jetonte në një pseudofe. Kjo i kap shpeshherë njerëzit që janë më afër Kishës. Secili nga ne le të mendojë thellë sa po e vazhdon udhëtimin ose nëse ka nevojë për këtë udhëtim.

Nëse nuk do të na ndizet një mall në shpirt për të takuar Zotin, kjo do të thotë që shpirti ka vdekur. (shih Ps. 42:1-2) Dhe, për sa kohë jemi në këtë jetë, mund ta bëjmë këtë udhëtim.

Koha e udhëtimit është tani. Tani është orari që mund të udhëtojmë. Gjithsekush që pendohet, përfitimi është për të. Le ta shikojmë kreshmën si udhëtim, jo vetëm kreshmën, por të gjithë jetën, sepse faktikisht po udhëtojmë edhe nëse disa nuk e dinë. Gjithsekush nga ne shkon drejt diçkaje. “Nëse nuk bëhemi familjarë që këtu me Zotin, thotë shën Joan Gojarti, nuk do të jemi as në jetën tjetër familjarë me Të. Miqësia me Zotin fillon që këtu. Udhëtimi dhe kungimi i përjetshëm me Zotin fillon që këtu”.

Le ta fillojmë udhëtimin drejt Zotit dhe le të mendojmë për sakrificat e këtij udhëtimi. Le të mendojmë dhe le të kuptojmë ashtu siç Psalmi thotë: “Shijoni dhe shihni” (Ps.34:8).

Nuk ka gëzim më të madh se jeta shpirtërore. Zoti do të na shikojë që në momentin e parë që do të bëjmë lëvizjen për t’u kthyer dhe që menjëherë do të na japë diçka; menjëherë do të ndiejmë një lloj pranie në shpirtin tonë, e cila do të na japë gëzimin dhe fuqinë për të vazhduar këtë udhëtim.

Jeta jonë është një udhëtim drejt Zotit. Këtë të mos e harrojmë kurrë.

Ai na bekoftë ta takojmë Atë në ditën e Pashkës. Amin.