“Mësuesi i vërtetë nuk mëson vetëm me ato që thotë, por më tepër me ato që ai është, sepse nuk mund ta drejtojmë tek të tjerët atë që është e shtrembëruar te vetja. Nëse nuk drejtojmë veten, nuk do t’i drejtojmë dot as të tjerët. Prandaj lutem që Perëndia t’ju japë urtësi dhe t’ju japë mençuri, jo vetëm për detyrën tuaj, por dhe për veten. Çdo njeri që drejtësohet, fiton një thesar shumë të madh.
… Atje ku është e keqja, nuk ka gëzim. Profeti Isaia thotë: “Nuk ka paqe për të paudhët”. Në përkthimin e të Shtatëdhjetëve (Septuagintës), fjala “Shalom” përkthehet në 3 mënyra: paqe, shpëtim dhe gëzim. Me pak fjalë, nuk ka gëzim ku është e keqja. Duke pastruar veten dhe duke e ndriçuar atë, do ta mbushim jetën me gëzim. Mund të jesh milioner, por gëzimin nuk mund ta blesh dot, sepse ai nuk është çështje e karakterit të personit, por është dhuratë nga Zoti; kur e kemi Atë në jetën tonë të përditshme.
…Në Universitetin e Harvardit takova një profesor shumë të dëgjuar. Sapo ishte hapur një degë e re mbi gjenetikën, sidomos për trurin e njeriut dhe pashë çfarë përmbante programi. Midis lëndëve kishin edhe filozofinë, ku studionin Shën Agustinin dhe filozofë të ndryshëm. E pyeta se cila ishte arsyeja që ishin vendosur këto dhe m’u përgjigj kështu: “Kjo dituri është një armë, por pa një etikë këta njerëz mund të kthehen në përbindësha”. Prandaj është shumë e rëndësishme për ne t’i mësojmë këto vlera. Le t’i lutemi Zotit, të na japë të gjithëve mençuri, për t’i përhapur këto vlera për të mirën tonë dhe të nxënësve tanë”.