Motrave dhe vëllezërve tanë të mbledhur në Krishtin: Është privilegji im i madh të ofroj këto pak fjalë gjatë konferencës ndërkombëtare për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë – një njeri emri i të cilit shpallte Ngjalljen, dhe jeta e të cilit dëshmoi për të në çdo vend ku shërbeu. Për mua, ky kujtim është thellësisht personal. Kur Kryepiskopi Anastas hyri për herë të parë në skenën më të gjerë ekumenike, ai ishte tashmë mentor për shumë vetë, dhe unë pata privilegjin të isha ndër ta. Në një moment vendimtar të shërbesës sime – kur u zgjodha Moderator i Këshillit Botëror të Kishave (KBK) – ai më thirri. Fjalët e tij ishin të thjeshta, e megjithatë kanë mbetur me mua që atëherë: “Jam krenar për ty dhe për atë që ke arritur. Krenar që e di se po shërben në këtë detyrë”. Ato fjalë ishin komplimenti më i madh, siguria më e madhe dhe vërtetimi më i madh që mund të kisha marrë. Të kesh rrugën tënde në shërbesë të pohuar nga një klerik me një pozitë, shenjtëri dhe urtësi të tillë nuk ishte thjesht inkurajuese – ishte themelore. Pohoi se rrugëtimi shpesh i vështirë i shërbimit ekumenik ishte me të vërtetë një thirrje besnike. Kryepiskopi Anastas ishte, mbi të gjitha, një njeri shenjtërie. Thellësia e tij shpirtërore ngjallte respekt jo vetëm brenda Kishës, por edhe përtej saj. Edhe gjatë kohërave më të vështira politike, ai pritej me nderim nga udhëheqësit në sferën civile dhe politike – jo sepse kërkonte ndikim, por sepse integriteti i tij ishte një forcë e fuqishme në vetvete, të cilën udhëheqësit e çdo lloji nuk mund ta injoronin. Autoriteti moral i Kryepiskopit Anastas ishte i qetë, i qëndrueshëm dhe i padiskutueshëm. Në të njëjtën kohë, ai fitoi admirimin e klerikëve të tij kolegë në të gjithë botën ekumenike, dhe – më e rëndësishmja – dashurinë e thellë dhe të qëndrueshme të popullit të tij. Pak udhëheqës arrijnë t’i mbajnë bashkë këto tri forma besimi: respektin politik, admirimin kishtar dhe dashurinë popullore. Kryepiskopi Anastas e bëri këtë, sepse udhëheqja e tij nuk ishte kurrë vetë-referuese; ishte gjithmonë e ankoruar në shërbim. Shërbesa e tij ishte globale në shtrirje dhe misionare në frymë. Shumë kohë para se “Krishterimi global” të bëhej një frazë e zakonshme, ai e mishëroi atë. Siç kanë thënë shumë vetë – përfshirë miq në komunitetet misionare Anglikane dhe Orthodhokse – ai ishte figura që solli Orthodhoksinë në Afrikë në një mënyrë të rinovuar dhe të gjallë. Përmes dekadave të shërbimit në Afrikën Lindore, ai ndihmoi të rrënjosej besimi Orthodhoks në kulturat, gjuhët dhe udhëheqjen vendase, duke siguruar që ai të lulëzonte jo si një traditë e importuar por si një shprehje vërtet Afrikane e besimit të lashtë të krishterë. Shkrimet e tij mbi misionin, përfshirë reflektimet e tij mbi Orthodhoksinë në Afrikë, mbeten tekste themelore për shtrirjen misionare sot. Angazhimi i tij ekumenik gjeti shprehje të dukshme në udhëheqjen brenda WCC-së (Këshillit Botëror të Kishave), ku shërbeu si një nga Presidentët e tij nga viti 2006. Në atë rol, ai ndihmoi të udhëhiqte WCC-në me qartësi teologjike, urtësi baritore dhe një respekt të thellë për ndryshimin e mbajtur bashkë nga besimi i përbashkët në Krisht. Ai nuk ishte i interesuar për unitet sipërfaqësor, por për bashkim të thellë të bazuar në të vërtetën dhe dashurinë. Në këtë punë, ai qëndroi përkrah kolegëve dhe miqve të besuar – ndër ta Rev. Dr. Olav Fykse Tveit, udhëheqjen dhe miqësinë e të cilit e vlerësoj. Ata përfaqësonin një brez udhëheqësish ekumenikë që besonin se dialogu nuk ishte një strategji, por një thirrje. E megjithatë, ndoshta asnjë kapitull i jetës së Kryepiskopit Anastas nuk flet më fuqishëm se ringritja prej tij e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë pas dekadave të ateizmit të detyruar. Aty ku kishte pasur shkatërrim, ai ndihmoi të sillte ngjallje. Aty ku kishte pasur heshtje, ai ushqeu lutjen. Aty ku kishte pasur frikë, ai kultivoi shpresën. Jeta e tij demonstroi se rindërtimi i Kishës nuk ka të bëjë kurrë vetëm me struktura, por me njerëz – me besimin e ndezur me durim. Shërbesa e tij ishte e bazuar në bindjen se asnjë forcë në tokë nuk mund ta fshinte dashurinë e Krishtit nga zemra e njeriut; dhe se edhe nën kushtet më shtypëse, ajo dashuri ishte gjithmonë duke pritur thirrjen për t’u rizgjuar. Ndërsa kujtojmë Kryepiskopin Anastas sot, ne nuk ritregojmë thjesht arritje. Ne falënderojmë për një jetë që pohoi të tjerët, forcoi Kishën dhe ndriçoi rrugën e unitetit me përulësi dhe hir. Qoftë kujtimi i tij i përjetshëm.
Dhe le ta nderojmë më mirë duke vazhduar punën që ai donte – duke i shërbyer Jisu Krishtit me guxim, dhembshuri dhe shpresë të patundur. Përshëndetjet e mia të ngrohta dhe respekti im i thellë shkojnë për Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Joan, dhe për Departamentin e Teologjisë në Kolegjin Universitar Logos në Tiranë, për organizimin e kësaj konference të denjë ndërkombëtare.
Me mirënjohje dhe nderim,
† Kryepiskopi Vicken Aykazian
Legat Dioqezan dhe Drejtor Ekumenik
Dioqeza Lindore e Kishës Armene të Amerikës
Zëvendës-Moderator i Komitetit Qendror i Këshillit Botëror të Kishave.