Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë,
Organizatorëve të nderuar, dijetarëve dhe pjesëmarrësve të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore të mbledhur në Tiranë në nder të kujtimit të bekuar të Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë, Anastasit,
Bij të dashur shpirtërorë në Zotin: Hiri qoftë mbi ju dhe paqja prej Perëndisë. Me gëzim atëror dhe ndjenjë të përzemërt, ju dërgojmë përshëndetjet dhe bekimet tona Patriarkale të gjithë të mbledhurve për këtë asamble shkencore, të thirrur për të përkujtuar përvjetorin e parë të fjetjes në Zotin të Kryepiskopit të gjithmonëkujtuar të Shqipërisë, Anastasit – një hierark i jashtëzakonshëm, jeta dhe shërbesa e të cilit dëshmuan me ndriçim Ungjillin e Krishtit si në fjalë ashtu edhe në vepër.
Përgëzojmë Kolegjin Universitar “Logos” në Tiranë për këtë nismë të denjë dhe shprehim vlerësimin tonë për Prof. Emerite znj. Dimitra Koukoura të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, Këshilltare Akademike, dhe për Dr. Georgios Gaitanos, Drejtues i Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës, përpjekjet e përkushtuara të të cilëve e bënë të mundur këtë mbledhje të dijetarëve dhe studiuesve të rinj në frymën e kërkimit të përulur, përgjegjësisë kishtare dhe ndjeshmërisë teologjike.
Tema e kësaj Konference: “Madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”, e nxjerrë nga fjalët e Zotit në Ungjillin e Shenjtë, përmbledh me qartësi të veçantë ethosin kishtar dhe vizionin misionar të Kryepiskopit Anastas. Në personin e tij, reflektimi shkrimor nuk u nda kurrë nga veprimi baritor, as ungjillëzimi nuk u shkëput nga përulësia, dialogu dhe dashuria. Jeta e tij qëndron si një sintezë e gjallë e shpalljes dhe shërbesës, mësimit dhe sakrificës.
Prandaj është më se e përshtatshme që diskutimet tuaja të trajtojnë temat jetësore të bashkëpunimit të ndërkrishterë dhe atij ndërfetar, ungjillëzimit të bazuar në dëshmi të shëndoshë teologjike dhe praktikë të jetuar, dhe shembullin e ndritshëm të Shqipërisë, ku Kisha, e rilindur nga shkatërrimi, ka ofruar një demonstrim bindës të besës, pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore. Nëpërmjet këtyre prizmave, trashëgimia e Kryepiskopit Anastas vazhdon të flasë – jo si një kujtim i mbyllur në të kaluarën, por si një thirrje drejtuar të tashmes dhe të ardhmes së Kishës.
Pjesëmarrja e akademikëve dhe teologëve të rinj në këtë përpjekje të denjë ofron një shenjë shprese, duke siguruar që trashëgimia shpirtërore dhe doktrinore e besuar tek ne të pranohet me dallim, të studiohet me rigorozitet dhe të transmetohet me besnikëri. Një angazhim i tillë intelektual, kur është i rrënjosur në ndërgjegjen kishtare, i shërben jo vetëm akademisë, por edhe jetës dhe misionit të vetë Kishës.
Ndërsa kjo Konferencë zhvillohet nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Joan, i lutemi për të gjithë pjesëmarrësit ndriçimin e Shpirtit të Shenjtë, që reflektimet tuaja të jenë të frytshme, dialogu juaj i sinqertë dhe puna juaj të kontribuojë në forcimin e të kuptuarit teologjik, respektit të ndërsjellë dhe dëshmisë së përbashkët të krishterë në botën bashkëkohore. Nga Qendra e Nderuar e Orthodhoksisë në Fanarin historik në Mbretëreshën e Qyteteve, ju përqafojmë të gjithëve me dashuri atërore dhe thërrasim mbi punët tuaja hirin e bollshëm dhe bekimin e Zotit tonë Jisu Krisht. Kujtimi i Kryepiskopit Anastas qoftë i përjetshëm!
Në Patriarkanën Ekumenike,
12 janar 2026
Lutësi juaj i zjarrtë përpara Zotit,
† Bartholomeu
Kryepiskop i Konstandinopojës – Romës së Re dhe Patriark Ekumenik