EmailFacebookKontakt

“Kryepiskopi Anastas – madhështia në të bërët dhe në të mësuarit”

Nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij Joan, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos”, më 22 janar 2026, filloi punimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit” (Mt.15:19), në auditorin qendror të Kolegjit Universitar “Logos”. Në këtë konferencë përshëndeti Patriarku Ekumenik, z. Bartholome; Kryepiskopi Joan; mitropolitë; krerët e komuniteteve fetare të vendit, autoritete civile dhe akademike, përfaqësues të WCC-së etj.

Kryepiskopi Joan mbajti fjalën kryesore me temë: “Kontributi Theologjik dhe Eklesiastik i Kryepiskopit Anastas”.

Ndërsa fjala me temë: “Kryepiskopi Anastas: Ringjallja e misionit në shekullin XX: mësime të nxjerra dhe parime udhëzuese për sot dhe për të ardhmen” u mbajt nga atë Martin Ritsi, Drejtor i Qendrës së Misionit të Krishterë Orthodhoks në Amerikë (OCMC).

Himnet e kënduara nga dy koret e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë mbyllën programin e ditës së parë.

Konferenca i vazhdoi punimet e ditës së dytë dhe të tretë në Kampusin II të Kolegjit Universitar “Logos” në Shën Vlash, Durrës. Temat e sesioneve ishin: “Ungjillëzimi – Zhvillimi dhe praktika theologjike” dhe “Shembulli i Shqipërisë”. Në këto sesione u prezantuan punime nga studiues te shkollave të ndryshme theologjike si ajo e Athinës, Selanikut, Qipros, Finlandës, Mitropoliti i Surprasl-it, Instituti i Misioneve për Krishterimin Orthodhoks te “Kryqi i nderuar” në Amerikë, Kolegji Universitar “Bedër”, “Logos” etj.