Më 22 janar 2026, në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë dhe në çdo Mitropoli u kremtua shën Anastas Persiani, një prej martirëve të Kishës sonë. Kjo ditë e shenjtë ka domethënie të veçantë për besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë, pasi përkon edhe me ditën e emrit të Kryepiskopit të lumur Anastas (1929-2025), bariut të madh që vulosi rilindjen dhe ringritjen e Kishës sonë, me jetën, veprën dhe sakrificën e tij. Hirësi Asti kryesoi Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesën e Përshpirtjes në kujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan u lut bashkë me të gjithë klerikët dhe besimtarët e shumtë.
Atë Harallamb Gjoka, në predikimin e tij, e paraqiti shenjtorin si figurë të kthimit radikal drejt Krishtit, të pendesës së thellë dhe të sakrificës së plotë, duke e vendosur martirizimin e tij në kontekstin e përplasjes mes besimit të krishterë dhe pushtetit ideologjik të kohës. Ndërtoi një paralelizëm shpirtëror ndërmjet shën Anastas Persianit dhe Kryepiskopit të lumur Anastas, duke theksuar se, ndonëse në forma të ndryshme historike, të dy dëshmuan të njëjtin ethos martirik.
***
Më 22 janar 2026, në të kremten e shën Anastas Persianit në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u krye Liturgjia Hyjnore në drejtimin e Mitropolitit të Korçës, Hirësi Anastasit, në bashkëmeshim me klerikë nga Mali i Shenjtë dhe klerikët e dioqezës. Po këtë ditë u krye përshpirtje për Kryepiskopin e lumur Anastas. Mitropoliti mori urime të shumta nga klerikët, autoritete të ndryshme dhe besimtarë të shumtë. Të gjithë i uruan Mitropolitit gëzuar të kremten e shën Anastasit të Persisë dhe për shumë vjet ditën e emrit!