EmailFacebookKontakt

“Edhe nëse rrojmë, edhe nëse vdesim, të Zotit jemi”

Më 25 janar 2026, të Dielën XV të Llukait dhe ditën e nderimit të shën Grigor Theologut, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u kryen Shërbesa e Mëngjesores dhe Liturgjia Hyjnore, në drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, së bashku me Mitropolitin e Gjermanisë Qendrore, Hirësi Isaaku, dhe të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë, Mitropolitin e Akaias, Hirësi Athanasin, që u lut bashkë me ta, dhe klerikë të shumtë nga vendi dhe jashtë tij.

Në të morën pjesë krerë të komuniteteve fetare, ambasadorë, autoritete nga WCC-ja, Komuniteti i Sant’ Egidios, OCMC-ja, Qendra “Porefthendes” dhe “Zoi” nga Greqia, të afërm dhe miq të Kryepiskopit të lumur si edhe besimtarë të shumtë. Më pas u krye Shërbesa e Përshpirtjes në kriptin ku prehet Kryepiskopi i lumur Anastas.

Një vit që Kisha jonë e përjeton mungesën e Atit, vëllait dhe bashkëmeshtarit tonë të dashur. Përkujtimi vjetor nuk është detyrim formal, është një nevojë shpirtërore, një nevojë për t’u ndalur, për të reflektuar, për t’u kujtuar dhe për të falënderuar me mirënjohje Perëndinë Triadik për të gjitha dhe për të marrë forcë nga hiri i Tij. Largimi i njeriut të madh lë gjithmonë një trishtim dhe një boshllëk. Po për ne që besojmë në Perëndinë, në Ngjalljen e Krishtit dhe në përjetësinë e shpirtit kemi një ngushëllim, sepse Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve.

Përkujtimi i Kryepiskopit të lumur Anastas nuk është thjesht kthim nostalgjik në të kaluarën, është zgjedhja e vetëdijshme për të mbajtur të gjallë trashëgiminë që ai na la. Jo si eksponat muzeu, por si udhërrëfyes për të sotmen dhe për të ardhmen dhe si një mundësi për meditim të brendshëm dhe për orientimin e jetës sonë. Fjalët e Shën Joan Gojartit: “Ata që i duam dhe i humbasim, nuk janë aty ku ishin më parë, ata janë tani kudo ku jemi ne”, – i përshtaten plotësisht Kryepiskopit.

Ne besojmë dhe e ndiejmë praninë e tij dhe kjo na jep shpresë, kurajë dhe lehtësim. Kryepiskopi i lumur na la mësime dhe fjalë të cilat vazhdojnë të ndriçojnë jetën tonë. Do të citoj disa nga këto mësime dhe fjalë të çmuara. “Liturgjia pas Liturgjisë”, sepse adhurimi nuk mbaron në Kishë, po vazhdon si shërbesë në botë. “Dashuria nuk ka kufij”, “Kisha nuk mbyllet në vetvete” dhe “nuk është vetëm për veten e saj, por për të gjithë njerëzit, kushdo qofshin”, sepse të gjithë janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Ai thoshte: “Gjithmonë në udhëtim”, “Besimi nuk është një zotërim statik, por udhëtim dinamik drejt Zotit”. Këto nuk ishin thjesht parulla, ishin jeta e tij. Predikonte atë që jetoi dhe jetonte atë që predikonte. Në një botë plot me fjalë, por pa vepra, jeta e tij ishte dëshmia më e fortë, se fjalët dhe veprat duhet të jenë të pandara, sepse besimi pa vepra është i vdekur, na mëson Shën Jakovi. Fjalët e tij: “Vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat”, të njohura tashmë nga të gjithë, janë bërë tashmë leitmotiv kur flitet për rolin e fesë në botën konfliktuale ku po jetojmë sot. Thoshte shpesh: “Ngjallja nuk është thjesht dogmë, është përvojë që shndërron jetën”. Pikërisht këtë pamë në Shqipëri: Një Kishë që dukej e vdekur u ringjall jo me forca njerëzore, por me hirin e Perëndisë që vepron nëpërmjet njerëzve plot me besë, që e duan Perëndinë dhe i shërbejnë atij. Jeta dhe vepra e Kryepiskopit Anastas do të jetë gjithmonë një shembull i gjallë dhe një frymëzim i vazhdueshëm jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë. Në këtë përvjetor të parë të fjetjes së tij, shpreh mirënjohjen tonë të pakufijshme për gjithçka që e ke bërë për ne dhe për Kishën tonë. Lutemi që Perëndia të na japë forcë e urtësi për të vazhduar rrugën e ndritshme të Kryepiskopit të lumur Anastas, sepse nderimi më i madh që mund t’i bëjmë atij është të ecim të bashkuar në atë rrugë dhe me të njëjtën frymë. I përjetshëm kujtimi i tij!

(Fjala e Kryepiskopit Joan)