Gjatë periudhës së Krishtlindjes, Rinia Orthodhokse “Bijtë e Dritës”, Tiranë, me bekimin e Kryepiskopit tonë Joan, ndërmori një nismë të gjerë dashurie, solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve dhe motrave në nevojë në Tiranë dhe jashtë saj.
Kjo nismë ishte një dëshmi e gjallë e përjetimit të Ungjillit në përditshmëri, ku fjala e Zotit tonë Jisu Krisht shndërrohet në vepër konkrete dashurie. Me porosinë atërore të Kryepiskopit Joan, të rinjtë u angazhuan të identifikonin persona që jetojnë në qytetin tonë pa dallim feje, duke vënë në qendër të vëmendjes ata që shpesh mbeten të padukshëm për shoqërinë: familje në vështirësi ekonomike, nëna dhe gjyshe që jetojnë të vetme në apartamentet e pallateve, njerëz që përballen jo vetëm me mungesën materiale, por edhe me barrën e rëndë të vetmisë.
Në këtë mënyrë, Kisha dëshmon se dashuria e saj është gjithëpërfshirëse dhe se çdo njeri është i çmuar dhe i veçantë në sytë e Perëndisë. Dhurata u përgatitën edhe për nënat për të cilat kujdeset Kisha jonë në Qendrën Rezidenciale Familja e Dashurisë “Hyjlindësja Mari” në Qendrën Thavor, dhe për fëmijët e Shtëpisë “Shpresa”.
Pako ushqimore u shpërndanë në Gramsh, Elbasan dhe Shtërmen. Nëpërmjet nismës u përgatitën dhe u shpërndanë 875 pako, të cilat u realizuan nga bashkëpunimi, përkushtimi dhe sakrifica e shumë njerëzve me zemër të mirë. Nëpërmjet nismave edukohet ndjenja e solidaritetit, forcohet lidhja njerëzore dhe dëshmohet se besimi i vërtetë qëndron në vepra.
Të rinjtë mësuan të shohin tjetrin me sy më të dhembshur, kuptuan më mirë realitetet e vështira të shoqërisë dhe u inkurajuan të jenë qytetarë dhe të krishterë të përgjegjshëm. Mirënjohje dhe falënderim i veçantë u drejtohet të gjithë dhuruesve dhe mbështetësve të cilët, me bujarinë e tyre e bënë të mundur realizimin e kësaj nisme. Kontributi i tyre u shndërrua në ndihmë konkrete për qindra familje dhe në shpresë për shumë zemra të vuajtura dhe të munduara.
Kjo nismë e Rinisë Orthodhokse të Tiranës është dëshmi se Krishtlindja është dritë që ndriçon errësirën, dashuri që ndahet dhe shumëfishohet, dhe thirrje për secilin prej nesh që të bëhemi bashkëpunëtorë të së mirës në shoqërinë tonë.