Më 4 dhjetor 2025, Hirësi Nathanaili drejtoi Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Varvarës, kishë e përbashkët për tre fshatra në Sarandë. Atë Kristo, i cili për 35 vjet shërben me devotshmëri në këtë kishë, mori ofiqin e Protopresviterit.
Më 6 dhjetor, Hirësia meshoi në kishën historike të Shën Nikollës në qytetin e Përmetit. Shën Nikolla është Shenjtor shumë i dashur për të krishterët orthodhoksë në mbarë botën dhe në veçanti për të krishterët orthodhoksë të Mitropolisë së Hirshme të Gjirokastrës, të cilët kanë ndërtuar nëpër shekuj mbi 60 kisha të mëdha dhe të vogla, si edhe 5 manastire për të nderuar shenjtin.
Të dielën e 10-të të Llukait, më 7 dhjetor, në të kremten e Shën Gjerasimit (Mikrajiananiti) të Ri Himnografit, Mitropoliti ynë drejtoi Mëngjesoren dhe Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Nikollës, në fshatin Dhrovjan, në vendlindjen e Shën Gjerasimit. Besimtarët iu falën një pjese të Lipsanit të shenjtit. Gjatë gjithë jetës së tij, shenjti shkroi mbi 2000 Shërbesa të Shenjta për Shenjtorët, të cilët nuk kishin shërbesë. Shumë prej këtyre shenjtorëve i shfaqeshin shenjtit dhe e falënderonin.
Ndërsa më 9 dhjetor, hirësi Nathanaili kreu Shërbesën e Hapjes së Dyerve në kishëzën e Skitit të Shën Anës në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas drejtoi Liturgjinë Hyjnore. Skiti i Shën Anës gjendet pranë kishës Mitropolitane të Metamorfozës së Shpëtimtarit në lagjen “Pazar i Vjetër”, Gjirokastër. I ndërtuar rreth dy dekada më parë me kujdesin e Kryepiskopit të lumur Anastas, Skiti mori emrin “Skiti i Shën Anës”, për nder të nënës së Hyjlindëses.
Në të kremten e Shën Spiridhon Mrekullibërësit, Episkopit të Trimithundës, më 12 dhjetor, hirësi Nathanaili zhvilloi një vizitë baritore dy ditore në zonën e Himarës. Nderimi i Shën Spiridhonit është shumë i përhapur në këtë zonë, edhe për shkak të pozicionit gjeografik përballë ishullit të Korfuzit, ku gjendet i paprishur Lipsani i shenjtit. Shumë kisha janë ndërtuar në nderim të tij në Himarë dhe në fshatrat krah saj: Qeparo, Vuno dhe Dhërmi. Në vizitën e tij, Mitropoliti u ndal në Himarë dhe Dhërmi.
Fillimisht, pasditen e së enjtes, në Mbrëmësoren e Shenjtë të së kremtes, ai vizitoi kishën e Shën Spiridhonit në Himarë, ku drejtoi edhe Shërbesën dhe ditën e nesërme vizitoi kishën e Shën Spiridhonit në Dhërmi, ku drejtoi Shërbesat e Shenjta. Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i dha ofiqin e Protopresviterit, ikonom Efthim Bixhilit, i cili shërben në kishat e Dhërmiut dhe Palasës.
Ndërsa në të kremten e Shën Elefterit, Hirësia vizitoi qytetin e Sarandës. Me këtë rast, u krye Shërbesa e Hapjes së Dyerve në kishën e rezidencës episkopale në qytet. Qytetit të Sarandës iu shtua kështu edhe kisha e Trinisë së Shenjtë, e cila bashkë me kishën e Shën Harallambit do t’i shërbejë kultivimit shpirtëror të besimtarëve të krishterë orthodhoksë të qytetit. Në vijim, Mitropoliti drejtoi Liturgjinë Hyjnore në atë kishë.
Agripina e përjavshme, si çdo të premte, u zhvillua në Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat, Dropull më 19 dhjetor. Në fund të agripnisë, Mitropoliti kreu Shërbesën e Përkujtimores për 6-mujorin e fjetjes më Zotin të paraardhësit të tij, Mitropolitit të lumur Dhimitër.
Në fjalën e tij të rastit, Mitropoliti Nathanail iu referua me nostalgji njohjes dhe bashkëpunimin të tij për 34 vite me Mitropolitin Dhimitër. Gjatë Agripnisë, Mitropoliti Nathanail i dha ofiqin e Protopresviterit Atë Josif Gjylit, i cili shërben në fshatrat malorë të zonës së Përmetit. Gjithashtu në Anagnost u dorëzua edhe i riu Kristo nga zona e Sarandës.
***
Muaji dhjetor u mbyll me përgatitjet për festën e Lindjes së Krishtit dhe programet festive të nxënësve të shkollave.
Nxënësit, pjesë e korit të shkollës, kënduan këngë tradicionale të Krishtlindjes në zyrat e autoriteteve të qytetit, si në Bashki, Drejtori Arsimore e Arsimit etj, duke përcjellë mesazhin e gëzueshëm të Lindjes së Krishtit.
Gjithashtu, shkollat organizuan bazarin bamirës për vitin 2025. Shumë prindër, nxënës dhe miq blenë dhuratat e tyre të Krishtlindjes nga punimet artizanale të nxënësve dhe mësuesve të shkollave tona, duke bërë kështu një të mirë të dyfishtë, pasi të ardhurat e bazarit janë caktuar për familjet në nevojë të qytetit tonë.
Të kremten e Krishtlindjes, Mitropoliti Nathanail drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Gjirokastër. Pas saj, ai mikpriti autoritete, përfaqësues të pushtetit lokal dhe mjaft besimtarë për të ndarë gëzimin e kësaj dite.
Dhjakon Pandeleimon Zeneli