EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi Joan mikpret artisten e madhe Roza Anagnosti

Në prag të Krishtlindjes, artistja e madhe Roza Anagnosti takoi Kryepiskopin Joan. Ajo shprehu fjalë të ngrohta dhe vlerësuese për figurën e tij në krye të Kishës sonë dhe për mesazhet që u përcjell besimtarëve dhe shoqërisë. Me përulësi dhe nota të thella mirënjohjeje e falënderoi për përkujdesjen e veçantë të tij për shërbesën e varrimit të artistit unikal Dhimitër Anagnostit, disa muaj më parë në fshatin e tij të lindjes në Vuno. Kryepiskopi Joan i përcolli artistes fjalë ngazëllyese shprese, gëzimi dhe drite. “Po largohem e mbushur dhe më e qetë. Vizita në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ ishte një takim i dëshiruar dhe i bekuar. Takimi me Fortlumturi Joanin ishte një mrekulli. Ai është i bekuar, është fat i madh dhe ka ardhur në kohën e duhur për ta ndriçuar vendin tonë. Mora një qetësi dhe energji që ta jep vetëm besimi në Zot dhe fjalët dhe prezenca e Fortlumturi Joanit. Në këto momente të vështira, pas humbjes së të shtrenjtit tim Dhimitër, mora paqe. I uroj të gjithë besimtarët për Krishtlindjen dhe Vitin e ri. Shëndet, dashuri dhe besim” – tha në fund Roza Anagnosti. Artisja e madhe dhuroi një kontribut simbolik për njerëzit në nevojë, duke vlerësuar mbështetjen e Kishës sonë për ta.