Me bekimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së Tij, Imzot Nikollës, dhe me ndihmën e katekistëve, grupet e katekizmit të Mitropolisë sonë u organizuan për të ndihmuar familje me nevoja ekonomike në fshatrat e tyre. Në këtë kohë ku dallohet një frymë individualiste, të krishterët orthodhoksë përpiqen të dëshmojnë që nuk janë indiferentë ndaj njerëzve rreth tyre, kushdo qofshin ata.
Të nxitur nga mësimet e Kishës sonë, grupet e grave dhe të fëmijëve të zonës së Verrisë, Pojanit, Agimit, Metaj, Libofshës, me shumë gatishmëri ndërmorën nismën për të ndihmuar disa familje të cilat nuk janë pjesë e grupit të katekizmit, por kanë shumë nevojë për mbështetje.
Gëzim i madh kur fëmijë, të rinj, gra dhe burra ofronin sipas mundësive të tyre dhe ndanin edhe ato pak që kishin, për të ndihmuar personat në nevojë. Bamirësia nuk na varfëron, përkundrazi na pasuron shpirtin dhe na mbush duart me vepra të mira përpara Perëndisë! Gjithashtu me këto grupe, përveç ndihmave ushqimore, u zhvilluan disa vizita baritore në shtëpitë e të moshuarve të cilët nuk vuajnë nga vetmia, se fëmijët i kanë larg. Bamirësi nuk do të thotë vetëm të falësh të mira materiale, por edhe të themi fjalë të mira, të japim këshilla shpirtërore, të jemi afër të vetmuarve dhe të vejave. Kjo vepër është e mirë përpara syve të Zotit.
Në prag të Krishtlindjes u zhvilluan kolendrat, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, në zonat e Mitropolisë sonë. Tashmë është rigjallëruar tradita që fëmijët në prag të Krishtlindjes dalin të përhapin lajmin e Lindjes së Krishtit në shtëpitë e besimtarëve. Fëmijët përgatiten gjatë takimeve të katekizmit dhe mësojnë këngë që më pas i këndojnë dhe nëpërmjet të cilave përcillet gëzimi i madh i ardhjes së Krishtit në tokë si njeri nga dashuria për ne. Nuk mund të përshkruhet gëzimi shpirtëror që ndiejnë fëmijët lajmsjellës, por edhe familjarët që presin me duar dhe zemra të mbushura plot. Hiri i Zotit vepron me tepri kur ndajmë me të tjerët se Fjala u Mishërua dhe bë Njeri për shpëtimin tonë. Me ikonën e Krishtlindjes dhe me grazhdin në duar, fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi duke kënduar këngë dhe himne për Zotin tonë Jisu Krisht. “Virgjëresha do të ngjizet e do të lindë një djalë që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne” (Mt.1:23-24). Për realizimin e kolendrave në të gjitha zonat e Mitropolisë punoi grupi i katekistëve të cilët me përkushtim të madh dhe dëshirë të zjarrtë përcollën te fëmijët rëndësinë që kanë kolendrat në përhapjen e Lajmit të Mirë! Kolendra organizoi edhe grupi i të rinjve orthodhoksë të qytetit të Fierit, të cilët çuan lajmin e Lindjes së Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht në disa familje.
Si çdo vit, Mitropolia ndau mbi 100 pako ushqimore për njerëzit në nevojë, që të gjithë të kenë mundësi të festojnë Krishtlindjen. Ato u mundësuan nga shumë kontribuues që iu bashkuan grupit të besimtarëve të Mitropolisë.
Ingrida Bida
Liturgjia Hyjnore kremtuese e Krishtlindjes dhe pritja zyrtare e organizuar nga Mitropoliti Nikolla në selinë e re mitropolitane, më 25 dhjetor 2025.