Më 19 dhjetor 2025 në Qendrën Kulturore pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me bekimin e Kryepiskopit Joan, u zhvillua koncerti festiv me rastin e Krishtlindjes. Ai u organizua nga Institucioni Arsimor “Protagonistët” në të cilin bëjnë pjesë kopshti, shkolla 9-vjeçare dhe gjimnazi. Në të ishin të pranishëm Presidenti i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, Fortlumturia e tij, Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë; Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi; drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Fryma e Dashurisë” z. Andi Rrembeci, drejtuesit e njësive arsimore, mësues, prindër dhe të ftuar.
Programi i larmishëm përmbante këngë të përgatitura nga drejtuesja artistike e koncertit znj. Agi Nano. Poezitë e prezantuara nga nxënës të klasave të ndryshme përcollën mesazhe për Krishtlindje dhe gëzimin që ajo sjell. Kërcimi i valleve të bukura tradicionale ia shtuan entuziazmin koncertit. Fjala e urtë e Kryebariut tonë, Kryepiskopit Joan, mbylli këtë koncert: “Së pari do të doja të falënderoja të gjithë fëmijët për përgatitjen dhe përkushtimin për këtë koncert, si edhe mësuesit që i kanë drejtuar. Do të doja që fëmijët të shkëlqejnë në mësime, por nuk mjafton vetëm kjo, sepse njeriu nuk ka nevojë vetëm për njohuri, por ka nevojë dhe për urtësi.
Krishtlindja na mëson diçka shumë të rëndësishme. Magët ishin njerëz shumë ditur të asaj kohe, ndoshta nga më të diturit. Ata kishin njohuri të pakufijshme në matematikë, në astronomi dhe në gjithçka tjetër, po përsëri nuk u mjaftonte. Dhe ylli i drejtoi në diçka tjetër; jo drejt bibliotekave, as drejt librave, po drejt një personi që kishte lindur si një foshnjë e vogël. Gjë që do të thotë që Krishti mund të na sjellë urtësinë e cila nuk mund merret vetëm nga njohuritë. Bota e sotme ka ndoshta informacionin më të madh që mund të ketë pasur ndonjëherë, po përsëri ka dëshpërim, sepse mungon urtësia.
Mesazhi dhe kuptimi i Krishtlindjes na mbron dhe na jep urtësi të thellë, që t’i japë jetës gëzim. Do të doja t’ju thoja diçka edhe prindërve, së pari duke i falënderuar për përkujdesjen ndaj fëmijëve të tyre për t’i ushqyer, veshur dhe për t’i rritur në mënyrë të drejtë, por duhet të formojnë ngrohtësi edhe në familje. Nëse fëmijët do të kenë kujtime të bukura dhe imazhe të bukura nga fëmijëria, ata do të jenë më të fortë për të përballuar jetën. Përsëris shpeshherë një histori, sepse është shumë e rëndësishme.
Në librin e tij të famshëm, “Vëllezërit Karamazov”, Dostojevski në një nga pjesët qendrore të librit ka një fjalim shumë të gjatë nga Starec Zosimai. Atij i kujtohet që, kur ishte i vogël, e kishte marrë gjyshja në kishë, edhe përshkruan kujtimet e fëmijërisë, ikonat, temjanin, priftërinjtë, psalmet dhe në fund fare thotë këto fjalë: “Ai njeri që ka kujtime të bukura nga fëmijëria ka shpëtuar përgjithmonë”.
Dhurata më e madhe që mund t’u jepni fëmijëve është, pikërisht, kujtime të bukura. Sepse çdo njeri që ka kujtime të bukura nga fëmijëria, ka konstrukt psikik më të fortë.
Çdo vështirësi që do të hasë më vonë, do ta përballojë, sepse vetëm e mira mund të qëndrojë përgjithmonë. Në këtë Krishtlindje, do të doja t’ju uroja të gjithëve, gëzuar dhe për shumë vjet.
Le ta ruajmë gëzimin e Krishtlindjes, sepse bota ka nevojë për gëzim, ashtu sikurse edhe ne të gjithë. Një jetë pa gëzim është jetë e gjymtuar; dhe gëzimi që sjell Krishtlindja përsëritet vazhdimisht, duke na dhënë dritë, shpresë dhe ngushëllim.
Gëzuar Krishtlindjen
dhe për shumë vjet!”