Nga 7-10 dhjetor 2025 në Gjenevë të Zvicrës, u zhvillua Konsultimi i 12-të Akademik midis Judaizmit dhe Krishterimit Orthodhoks, i organizuar nga Patriarkana Ekumenike dhe Komiteti Ndërkombëtar Hebre për Konsultime Ndërfetare (IJCIC). Takimi kishte si temë kryesore “Shenjtëria e Vendit – Shenjtëria e Hapësirës”.
Në hapje, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Bartholomeu, theksoi se hapësira e shenjtë “nuk është një muze bukurie”, por një thirrje morale dhe shpirtërore që i udhëzon besimtarët drejt drejtësisë, dhembshurisë dhe shenjtërisë. Ai nënvizoi se adhurimi nuk është një shkëputje nga bota, por një transformim i saj. Punimet e konsultimit përfshinë sesione mbi natyrën e shenjtërisë, interpretimin e teksteve fetare dhe sfidat që sjell kultura digjitale. Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu Sinagogën Beth-Yaacov të Gjenevës dhe Qendrën Orthodhokse të Patriarkanës Ekumenike në Chambesy. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë u përfaqësua nga Dr. Thodhori Qesko, pedagog pranë Kolegjit Universitar “Logos”, i cili përcolli mesazhin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryepiskopi theksoi: “Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila përjetoi shkatërrim të plotë nën regjimin ateist dhe u ringjall me hirin e Perëndisë, e kupton thellësisht sa i çmuar është çdo vend i shenjtë. Ne pamë kisha e sinagoga të kthyera në magazina, xhami të shembura dhe libra të shenjtë të djegur. Por shenjtëria nuk banon vetëm në gurë, por para së gjithash në zemrat e besimtarëve”. Duke iu referuar sfidave të epokës moderne, ai vijoi: “Hapësirat digjitale zgjerojnë kufijtë e komunikimit njerëzor dhe adhurimit. Dëshmia jonë e përbashkët mbi shenjtërinë e çdo vendi të takimit të njeriut me Hyjnoren ka sot rëndësi të veçantë. Shpresojmë që ky takim të forcojë mirëkuptimin ndërfetar dhe bashkëjetesën paqësore”.
Gjithashtu, përfaqësuesi i Kishës sonë, me ftesë të organizatorëve, pati nderin të referonte në sesionin e tretë të takimit me temën: “Shenjtëria në hapësirat përtej atyre parësore: një qasje orthodhokse eukaristike dhe rasti i Shqipërisë”. Konsultimi u përmbyll me miratimin e komunikatës zyrtare dhe me zotimin për të thelluar më tej dialogun ndërfetar në nivel ndërkombëtar.
Thodhori Qesko