EmailFacebookKontakt

Ardhja e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, në Kavajë

Festimet e këtij viti kushtuar Shën Nikollës, mbrojtësit shpirtëror të qytetit të Kavajës, u zhvilluan në një atmosferë të përshkuar nga devocioni, rregulli dhe përkushtimi i thellë liturgjik. Përgatitjet paraprake, – përfshirë programin njëjavor të lutjeve të mëngjesit dhe të mbrëmjes në kuadër të “Javës së Shën Nikollës” – u organizuan me seriozitet dhe përkujdesje nga klerikët e Kishës së Shën Nikollës: Stavrofor, Ikonom atë Petro Thanasi dhe Stavrofor, Saqellar atë Jani Tereziu. Nën drejtimin e tyre, komuniteti u përfshi në një ritëm të përditshëm lutjeje që e përgatiti shpirtërisht për ditën e shenjtë të kremtimit.

Më 5 dhjetor, në orën 17:00, u zhvillua shërbesa e Mbrëmësores, ku besimtarët morën pjesë masivisht, duke përjetuar qetësinë dhe solemnitetin që karakterizon vigjiljen liturgjike të festës. Kremtimi arriti kulmin më 6 dhjetor, në ditën e Shën Nikollës, me Liturgjinë panagjirike e cila u kryesua nga Kryepiskopi Joan. Ardhja e Fortlumturisë së Tij në Kavajë u përjetua si një bekim i rrallë dhe një ngjarje e veçantë për jetën fetare e shoqërore të qytetit. Prania e tij e nderuar, fjala e urtë baritore dhe porositë e thella shpirtërore prekën dhe frymëzuan zemrat e besimtarëve të shumtë që mbushën Kishën e Shën Nikollës. Në fund të predikimit të tij, ai theskoi se kur lexojmë jetët e shenjtorëve, nuk mjafton vetëm t’i admirojmë. Shenjtorët nuk duan admirim, shenjtorët duan t’i imitojmë, t’i kemi modele në jetën tonë. Edhe njerëzit që ndoshta nuk janë të krishterë kanë një nderim të jashtëzakonshëm për këtë shenjt të madh, Sepse shenjtorët bëjnë mrekulli për njerëzit, kushdo qofshin ata, nëse afrohen me besim dhe zemër të pastër. Duke pasur këto modele para nesh, le të përpiqemi t’i afrohemi më shumë Perëndisë. Dhe duke iu afruar Perëndisë, Perëndia na afrohet neve, na ndriçon, ndryshon jetën tonë dhe, nëpërmjet nesh, mund të ndriçojë edhe njerëzit rreth nesh.

Pas përfundimit të Liturgjisë, u organizua pritja zyrtare në nder të Kryepiskopit, ku besimtarë dhe të ftuar kishin mundësinë të përshëndetnin Fortlumturinë e Tij, të merrnin bekimin dhe të ruanin kujtime nga kjo ditë përmes fotografive të realizuara pranë tij. Në ambientet e kishës u shërbye më pas një kafe e përbashkët, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë bashkësie dhe komunikimi të hapur me udhëheqësin e lartë të Kishës sonë. Ngjarja u përmbyll me një drekë të gjerë vëllazërore, ku morën pjesë klerikë, përfaqësues të autoriteteve vendore, personalitete të shquara të qytetit dhe shumë besimtarë.

Kjo pritje e përbashkët shfaqi qartë frymën e unitetit dhe të harmonisë që mbizotëron në komunitetin tonë, sidomos në momente të tilla të rëndësishme ku prania e Fortlumturisë së Tij sjell bashkim, frymëzim dhe forcim të lidhjeve shpirtërore.

Festimet e Shën Nikollës të këtij viti dëshmuan edhe një herë vitalitetin e komunitetit tonë, gatishmërinë e tij për t’u bashkuar rreth Kishës dhe mirënjohjen e thellë për udhëheqjen e mençur të Kryepiskopit Joan. Zoti e bekoftë qytetin tonë dhe Shën Nikolla qoftë përherë mbrojtësi ynë i dashur dhe ndërmjetësuesi ynë në Krishtin!

Harallamb Terziu