EmailFacebookKontakt

Konferenca e Parë Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”

Më 5-6 dhjetor 2025, në Tiranë u zhvillua Konferenca I Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, e cila u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës (Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë), Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Shoqatën Shqiptare të Studimeve Bizantine. Ajo mblodhi rreth 50 studiues e profesorë nga Shqipëria dhe bota. Në fjalën e tij të hapjes së Konferencës, Kryepiskopi ynë Joan ndër të tjera tha: “Kjo Konferencë e Parë Shkencore Ndërkombëtare shënon një hap të rëndësishëm në studimin e trashëgimisë sonë të përbashkët. Zgjedhja e temës “Shqipëria në periudhën bizantine” është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kumtesat e kësaj konference do të jenë një burim i mrekullueshëm informacioni për historinë dhe kulturën e vendit tonë në këtë periudhë historike, jo aq të njohur. Promovimi i trashëgimisë sonë të pasur ndihmon edhe në ruajtjen e identitetit tonë, e dëshmisë për praninë e qytetërimit dhe kulturës në këtë vend dhe e kujtesës sonë historike. Bizanti nuk ishte thjesht një perandori politike – ishte një qytetërim i tërë që formësoi identitetin shpirtëror, kulturor dhe artistik të popujve të Ballkanit. Kjo trashëgimi shekullore ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në formimin psiko-kulturor të popullit tonë, sepse pa njohjen e gjendjes psiko-kulturore të një populli vështirësohet një kuptim më i mirë dhe më i thellë i ngjarjeve historike. Në këtë qytetërim, paraardhësit tanë nuk ishin thjesht marrës pasivë, por kontribuues aktivë. Mjafton të përmendim Joan Kukuzelin, bir i Durrësit, i cili u bë reformatori i muzikës bizantine dhe nderon Kishën e tërë. Kisha në hapësirën shqiptare ka qenë historikisht një urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes dhe ndërmjet besimit dhe kulturës. Kodikët tanë të lashtë, afresket tona bizantine, manastiret tona mijëvjeçare – të gjitha këto dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë shpirtërore që i kapërcen ndryshimet politike. Sot, pas dekadave të izolimit dhe persekutimit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon këtë mision historik. Më shumë se 150 kisha dhe manastire janë restauruar, tradita muzikore bizantine po rilind, dhe brezi i ri po zbulon thesaret e trashëgimisë shpirtërore të etërve të tyre. Kori ynë “Shën Joan Kukuzeli” simbolizon pikërisht këtë lidhje të gjallë me traditën. Bashkëpunimi midis shkencës dhe Kishës nuk është i ri – që nga koha e Etërve të Kishës, feja dhe arsyeja kanë ecur krah më krah. Kjo konferencë vazhdon këtë traditë të drejtë dhe të ndershme. Kisha jonë mbetet e gatshme të kontribuojë me arkivat, dorëshkrimet dhe ekspertizën e saj në studimin e kësaj periudhe kaq të rëndësishme. Urojmë që punimet e kësaj konference të sjellin dritë të re mbi historinë tonë të përbashkët dhe të frymëzojnë brezat e ardhshëm”.

Kryepiskopi Joan mbajti kumtesën kryesore të ditës së parë, me temë “Nga Iliriku në Bizant dhe deri më sot: Kisha si një urë e gjallë besimi dhe qytetërimi”.

Konferenca u mbyll me koncertin e muzikës bizantine, të zhvilluar në Qendrën Kulturore të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, më 6 dhjetor. Ky koncert përmbyllës, kushtuar mjeshtërit të madh të muzikës bizantine, Shën Joan Kukuzelit, i organizuar nga Kisha jonë në kuadër të konferencës, u konceptua si kurora shpirtërore e kësaj veprimtarie shkencore. Kori Bizantin i Psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”, nën drejtimin z. Theodhor Peci, solli mjeshtërisht për herë të parë në shqip pesë pjesë të përzgjedhura melismatike: vargu kalofonik “Ngrihu o Zot, shpëtomë, o Perëndia im. Aliluia”; anagramatizmi “Gëzohu, o e dëlirë…”, shkëputur nga “Gëzohu, o Hirplotë”; pjesa monumentale e agripnisë “Profetët prej së larti… dhe kratima”; pasthirrma “Do të të lavdëroj, o Zot…” dhe kungatorja e së dielës “Lavdërojeni Zotin prej qiejve. Aliluia”.

Përjetimi i thellë i koncertit u mbyll me fjalët e ngrohta të Kryepiskopit Joan: “Falënderojmë korin edhe jemi krenar për të, pas përpjekjeve shumë të gjata të filluara nga Kryepiskopi Anastas, rrugën e të cilit duam ta vazhdojmë edhe ne. Muzika është pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë sonë bizantine. Ky këndim dhe këto kompozime kaq të bukura nga shën Joan Kukuzeli erdhën edhe në kohën e sotme. Ajo që mund t’ju them unë është të falënderoj z. Theodhor Peci për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme. Më kujtohet që kam qenë unë që e kam dorëzuar në anagnost kur ishte në Korçë dhe ishte shumë i vogël. Që prej asaj kohe ka një rritje të madhe jo vetëm në moshë, por edhe në muzikë, dhe besojmë që kjo përpjekje të krijojë njerëz të tjerë për ta mbajtur gjallë muzikën bizantine në Kishën tonë. Kur po dëgjoja, këto po mendoja.

Falënderova Perëndinë për këtë bukuri kaq të madhe që i ka dhënë Kishës sonë. Gëzuar dhe për shumë vjet”!