EmailFacebookKontakt

Etërit e Shenjtë për shkallën që të çon te Perëndia

Lutja

– Lutja është të imitosh në tokë jetën e engjëjve. (Shën Vasili i Madh)

– Lutja është shkallë e shenjtë për t’u ngjitur në qiell. (Shën Grigor Theologu)

– Lutja është dashuri vepruese, shpëtimi i shpresës, simbol i shenjtërisë, njohje e Perëndisë, shenjë e Shpirtit të Shenjtë, kënaqësi e shpirtit, tregues i jetës engjëllore. (Shën Grigor Sinaiti)

– Lutja është shpëtim nga mëkati, urë për të kaluar ngasjet, burim virtytesh, ndërmjetëse hiresh, dobi e padukshme, ushqim shpirti, ndriçim mendjeje, zgjidhje hidhërimi, pakësim zemërimi… (Shën Joani i Shkallës)

– Lutja është pasqyrë e të krishterit – thonë etërit. (Jerontiko)

– Lutja është lulja e mirësisë dhe çlirimi nga zemërimi. Lutja është fryti i gëzimit dhe falenderimit. Lutja është ilaç kundër mërzitjes dhe dëshpërimit. Lutja është ngjitja e mendjes te Perëndia. Lutja është energjia që përputhet me dinjetin e mendjes; është aktiviteti i vërtetë dhe më i lartë i mendjes. (Filokalia)

– Lutja është aktiviteti më i mirë për shpirtin. Lutja është shtegu që të çon te Perëndia. (Shën Siluan Athoniti)

Lëmosha

– Uji nuk mund të pastrojë njollat e trupit të papastër, aq mirë sa fuqia e mëshirës ndotjen e shpirtit. (Shën Joan Gojarti)

– Lëmosha, ndihma për të varfrit dhe të dobëtit është vepër e mirë. Përbën rrugën më të shkurtër drejt shpëtimit, ngjitjen më të lehtë në qiell. (Shën Grigor Theologu)

– Çfarë është zemra mëshiruese? Është ajo zemër që nga dashuria dhembshuria digjet për të gjithë krijesën; për njerëzit, për shpendët, për kafshët… dhe kur kujton dhe shikon të gjitha këto, sytë e tij derdhin lot. (Shën Isaak Siriani)

– Nëse i jepni diçka atij që është në nevojë, shoqërojeni dhuratën tuaj me fytyrë që shkëlqen nga gëzimi, me fjalë të ëmbël dhe inkurajim për atë çka e shqetëson. (Shën Isaak Siriani)

– Ai që i jep lëmoshë vëllait të tij, duhet ta bëjë sikur i jep lëmoshë vetes së tij. Kjo lëmoshë e afron njeriun me Perëndinë. (Jerontiko)

– Ava Theodhori i Fermit iu lut ava Pamvoit t’i thoshte një fjalë të dobishme që ta kujtonte gjithë jetën e tij.
– Ava Theodhor, ki mëshirë për të gjithë të afërmit e tu, që të gjesh hir tek Perëndia, – i tha jerondi i shenjtë. (Jerontiko)

– Kur i jep lëmoshë vëllait tënd, – këshillon ava Isaia, mos e thirr të të ndihmojë në punën tënde, që të mos humbasësh shpërblimin e bamirësisë. (Jerontiko).

– Shën Maksim Omologjeti shkruan gjërat e rëndësishme që vijojnë përsa i përket lëmoshës: Disponimi i dashurisë duket jo vetëm nëpërmjet lëmoshës që bëhet me lekë, por shumë më tepër t’i transmetosh tjetrit fjalë Perëndie; dhe me çdo lloj shërbimi. Ai, që me të vërtetë është i huaj për botën dhe i shërben të afërmit të tij me dashuri të sinqertë, do të çlirohet shpejt nga pasionet dhe do të bëhet pjesëtar i dashurisë dhe i njohurisë hyjnore. Ai që ka dashuri për Perëndinë, patjetër që ka dashuri dhe për të afërmin. Ai nuk mund të mbajë asgjë për veten e tij. I rregullon të gjitha ashtu si i pëlqen Perëndisë dhe jep lëmoshë me gatishmëri tek të gjithë ata që kanë nevojë. (Jerontiko)

– Poezi –

Mbretëri e shpirtit tim

Kam thellë në gji,
Një mbretëri të fshehtë,
Atje shkoj e rri,
Sa herë mbetem vetë.

Botra pa mbarim,
Janë në at’mbretëri,
Mbretëri e shpirtit tim,
Pa kohë e pa kufi.

Askush nuk ma gjen,
Askush s’ma shikon,
Askush s’ma rrëmben,
Askush s’ma pushton.

Strehim i shpirtit tim,
Në kohë të vështirë,
I vetmi ndriçim,
Në terr e errësirë.

Kam mall e dëshirë,
Për atë mbretëri,
I tëri jam shkrirë,
Kur unë atje rri.

Marrë nga libri: “Malli i Parajsës”